Lajme
Sali Berisha thirri protestë më 16 maj, në ditën kur krejt Evropa ‘zbarkon’ në Tiranë
Demokracia
15:31 | 13 Maj 2025

Share:

Më 16 maj 2025 në Tiranë mblidhen udhëheqësit evropianë për Samitin e Komunitetit Evropian Politik (KPE). Në po atë ditë, Sali Berisha ka paralajmëruar protestë.

Udhëheqës të të gjitha vendeve evropiane, mblidhen më 16 maj 2025 në Sheshin Skënderbe në Tiranë, për Samitin e Komunitetit Evropian Politik – KPE. Kjo ide që ishte e presidentit francez Emmanuel Macron dhe që lindi si përgjigje ndaj luftës në Ukrainë, Komuniteti Evropian Politik mblidhet në nivelin më të lartë dy herë në vit, derisa kryesuesi i saj ndërrohet mes 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe 20 vendeve që nuk bëjnë pjesë në bllok.

Samiti – data e së cilit ishte vendosur shumë më herët, zhvillohet pesë ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri, zgjedhje të cilat kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nuk i pranon dhe për këtë, ka paralajmëruar protestë bash më 16 maj.

“Me datën 16, në orën 17:00, në bulevadrin ‘Zogu i parë’ për të senzibiluzuar opinionin public botëror mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral Edi Rama, që nuk respekton asnjë rregull, asnjë ligj kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjedhjet. Protesta do të jetë paqësore”, tha Sali Berisha në një konferencë për media.

I pyetur nga gazetarët se pse protesta po thirret bash në ditën kur do të mbahet Samiti evropian, Sali Berisha tha se ‘kjo është edhe një arsye që komuniteti ndërkombëtar ta shohë se opozita nuk pajtohet me zgjedhjet në Shqipëri’.

“Ne garantojmë se nuk do të ketë probleme që të cënojnë në shkallën më të vogël sigurinë e dinjitarëve që vijnë por duam që ata ta mësojnë se kanë qenë të ftuar nga një narko-diktaror, që nuk njef ligj as moral për votën dhe vullnetin e qytetarëve të tij.

Sic e shifni dhe po e ndiqni në media, që i përgëzoj për raportet që kanë bërë, disa prej tyre shumë të cmuara dhe shumë të guximshme, ne, nuk bëhet fjalë kurrë që të pajtohemi me këto zgjedhje. Jo. Të harrojë kush. Ne kemi bërë gjithcka në përputhje me ligjin, sa na takonte ne si opozitë që Shqipëria të ketë zgjedhje. Tani opozita ka detyra që do ti përmbushë me shumë dinjitet dhe shumë vendosmëri.

Protesta e datës 16, është një protestë në emër të një populli që votën ia dikton revolja pas kokes, sic ka ndodhur në Peshkopi”, tha Berisha në konferencë për gazetarë.

Vendi ku do të mbahet protesta, problem

Siç tregoi Sali Berisha, protesta e 16 majit do të zhvillohet në Bulevardin Zogu i Parë. E pikërisht për këtë bulveard, drejtoria e Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, ka bërë me dije – më herët sesa kur u mbajt konferenca e Berishës – se do të ketë devijim, që nënkupton se është në hartën e shesheve që ‘do të preket’ për shkak të Samitit Evropian.

Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike Rebani Jaupi, tha më herët se kanë ndërmarrë të gjitha masat për të garantuar siguri në ditën kur mbahet Samiti.

Siç vërehet në hartën e shesheve të listuara që do të kenë devijim ose bllokadë totale, është edhe bulevardi Zogu i Parë, aty ku Berisha ftoi protestuesit të dalin më 16 maj.

Nga ora 06:00 – 18:00 të datës 16.05.2025, do të jetë i paaksesueshem nga këmbësorë dhe mjete, i gjithë perimetri i sheshit ku do të zhvillohet aktiviteti, perimetër i cili përfshin rrugët:

“Bulevardi “Zogu i Parë” në drejtim të Sheshit “Skënderbej”, do të devijohet tek Ministria e Drejtësisë” – është njoftimi me plot rrugë të tjera në Tiranë ku mund të ketë bllokadë ose devijim më 16 maj.

Edi Rama nuk e ka komentuar protestën e thirrur nga Sali Berisha, bash në ditën kur në Tiranë janë krejt liderët evropianë, por ai ka publikuar vetëm një fotografi të Sheshit Skënderbe – pak minuta pasi Sali Berisha paralajmëroi protestën, me mbishkrimin:

“Më 16 maj të gjithë ata do të mblidhen nga të katër anët e Europës në sheshin tënd o Mbret dhe ne, stërnipërit e tu do të jemi të gjithë krenarë për emrin e Shqipërisë tonë, që do të shqiptohet në të gjitha gjuhët e botës”

Të ngjashme