Lajme
Sa mandate i fitoi koalicioni i Dritan Abazoviqit 
Demokracia
23:08 | 11 Qershor 2023

Share:

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Malin e Zi tregojnë se Lëvizje Europa Tani doli e para me 26 përqind të votave apo 24 mandate, por jo të mjaftueshme për të formuar një qeveri e vetme. Ajo pasohet nga koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit Milo Gjukanoviq me 23,7 për qind ose me 21 mandate në Parlamentin e Malit të Zi.

Koalicioni pro-serb dhe pro-rus “Për të Ardhmen e Malit të Zi” (ish Fronti Demokratik) ka fituar 15 përqind të votave ose 13 mandate dhe koalicioni URA e Dritan Abazoviqit me Demokratët të Aleksa Beçiqit 12.3 përqind ose 11 mandate.

Partia Boshnjake, si partia më e madhe e pakicave në Mal të Zi fitoi 6.8 përqind të votave ose 6 mandate, kurse në parlament do të hyjë edhe Forumi Shqiptar me 2 mandate, Aleanca Shqiptare dhe Nisma Qytetare Kroate me nga 1 mandat.

Sipas të dhënave të Qendrës për Tranzicionin Demokratik, pjesëmarrja në zgjedhje ishte 56.4 për qind ose 305.760 qytetarë. Kjo është dukshëm më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, kur votuan 76.6 për qind, si dhe në vitin 2016, kur pjesëmarrja ishte 73.3 për qind.

Rezultatet paraprake tregojnë se më shumë vota kanë fituar partitë pro-demokratike dhe proevropiane siç është Lëvizja “Evropa Tani”, e cila u formua në mesin e vitit të kaluar dhe të cilës i përket edhe presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, koalicioni i URA-s me Demokratët dhe partitë e pakicave të cilët në koalicionin paszgjedhor mund të formojnë shumicën në parlamentin e Malit të Zi.

Një ndryshim i madh ndodhi tek koalicioni i Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, i cili në zgjedhjet e kaluara formoi shumicën aktuale parlamentare. Ky koalicion politik është ndarë tashmë në tre parti të pavarura dhe në këto zgjedhje shënoi një rënie të theksuar.

Nga këto zgjedhje dalin 81 deputetë, dhe shumica e re parlamentare do të zgjedhë kryeministrin dhe qeverinë e re të Malit të Zi.

Gjatë viteve të fundit, shumica e paqëndrueshme parlamentare zëvendësoi dy qeveri, të cilat e zhytën Malin e Zi në një krizë institucionale dhe thelluan edhe më tej ndarjet në skenën politike.

Për këtë arsye faktori ndërkombëtar në vazhdimësi ka shprehur shqetësimin për krizën e zgjatur politike në vend, bllokimin e institucioneve, polarizimin në rritje të shoqërisë dhe pamundësinë e autoriteteve për të gjetur një rrugëdalje nga kriza.

Mali i Zi u bashkua me NATO-n në vitin 2017, pas një përpjekjeje të pasuksesshme për grusht shteti një vit më herët, për të cilën Podgorica akuzoi agjentët rusë dhe ultranacionalistët serbë.

Pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë vitin e kaluar, Mali i Zi i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Kremlini në këmbim e vendosi Malin e Zi në listën e shteteve jomiqësore. /VOA

Të ngjashme