OpEd
Sa është numri real i viktimave nga lufta në Ukrainë?
Demokracia
18:57 | 13 Maj 2022

Share:

Nga Sanjana Varghese “Newlines Magazine”

Në vitin 2018, një pjesë e vogël e ushtrisë ukrainase nisi të mbledhë të dhëna për dëmet në radhët e civilëve nga luftimet e vazhdueshme në Donjeck dhe Luhansk, dy rajone ukrainase në Donbas, të pushtuara nga grupet separatiste të mbështetura nga Rusia që 4 vite më parë.

Ishte një lëvizje e rrallë, pasi pak ushtri në botë, kishin bërë një monitorim kaq të detajuar të pasojave civile të luftës. Më pas, në shkurtin e këtij viti Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës.

“Që nga dita e parë e pushtimit, ne ishim vazhdimisht në kontakt përmes telefonave me njerëz që punonin për ta mbështetur njësinë e monitorimit. Ata  thoshin:”Na falni, duhet ta mbyllim telefonin dhe të shkojmë të luftojmë” thotë Beatris Godfroi, drejtore për Evropënnë CIVIC, një nga OJQ-të që ndihmuan në krijimin e celulës së monitorimit të numrit të viktimave civile brenda ushtrisë ukrainase.

Strukturat për ndërtimin e të cilave u deshën vite, rrezikuan që të mbingarkoheshin për shkak të përmasave të krizës. Më shumë se 2 muaj pas pushtimit rus, askush nuk e di realisht sesa civilë ukrainas kanë vdekur. Qeveria ukrainase nuk ka publikuar shifra zyrtare që nga 28 shkurti, pra vetëm 4 ditë pas luftës.

Vlerësimi më i fundit nga Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, më 3 maj, flet për minimalisht 6.546 viktima në total. OKB-ja e pranon se numri real është shumë më i lartë, dhe po e rregullon metodologjinë e saj të llogaritjes. Ndërkohë qytete të veçanta, kanë publikuar vlerësime që i tejkalojnë shumë herë shifrat e OKB-së .

Kështu vetëm Mariupoli i rrethuar, ka raportuar për më shumë se 20.000 të vdekur në radhët e civilëve. Por raportimi mbi këtë çështje është i fragmentuar: Disa këshilla bashkiakë kanë mbledhur informacione, ndërsa të tjerët përballen ende me një mjedis tepër armiqësor për ta bërë këtë gjë.

Monitorimi i viktimave nga radhët e civilëve gjatë një konflikti të armatosur të drejtpërdrejtë, ka qenë prej kohësh shumë sfidues. Gjerësia dhe egërsia e fushatës ruse, e ka bërë edhe më të vështirë këtë procese. Qytete të tëra të Ukrainës janë rrafshuar, dhe deri tani janë zhvendosur më shumë se 10 milionë njerëz.

Imazhet e shkatërrimeve nga rrethimi rus dhe të trupave të pajetë të braktisur rrugëve, kanë qarkulluar gjerësisht në media dhe rrjetet sociale, edhe pse zonat e sulmuara janë përballur me ndërprerje të informacionit. Por të kuptuarit e ndikimit të plotë të luftërave në aspektin e humbjeve në jetë njerëzore, është thelbësore, si për popullsinë, ashtu edhe për çdo shpresë drejtësie dhe pajtimi që do të pasojë.

Të dhënat e sakta mbi numrin e viktimave, mund të ndihmojnë gjithashtu në humanizimin e atyre historive, që përndryshe mund të humbasin në valën e pafund të konfliktit. Bekim Blakaj ka shpenzuar 20 vjet duke dokumentuar ndikimin e një prej luftërave të fundit që shpërtheu në Evropë. Si kryetar i Fondacionit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ai ka punuar me një ekip që nga lufta e Kosovës e viteve 1998-2000 për të dokumentuar çdo vdekje për shkak të atij konflikti.

“Në atë kohë, qeveritë nuk u kujdesën aq sa duhet për ta bërë këtë. Por pa vlerësime të besueshme të dëmeve në popullatën civile, ata do të kishin krijuar hapësirë që shifrat të manipuloheshin, të mohoheshin krimet dhe viktimat. Dhe kjo e dëmton procesin e pajtimit, dhe atë të krijimit të një kujtese kolektive”- deklaron ai.

Në terma të gjerë, ekzistojnë 3 qasje për monitorimin e viktimave në radhët e civilëve, numërimi, dokumentimi dhe vlerësimi, thotë Majkëll Shpagat, profesor në Universitetin e Londrës, që ka shkruar shpesh mbi këtë temë.

E para përfshin përpilimin e të dhënave mbi dëmet në civilë, bazuar në mbledhjen e vlerësimeve dhe shifrave nga spitalet, zyrtarët publikë, certifikatat e vdekjes, dhe lloje tëtjera të dokumentacionit institucional. Shpesh ekziston një bazë të dhënash apo sistem që e shoqëron këtë proces, por që zakonisht nuk bëhet publik, dhe që mund të përfshijë gjithashtu “supozime” mbi numrin e njerëzve të prekur nga një ngjarje specifike.

Kjo metodë ka përfitimin e të qenit relativisht e shpejtë, por nga ana tjetër ka kufizime të mëdha. Pa grupe të dhënash të besueshme dhe të detajuara, është e pamundur të kryqëzohen shifra të ndryshme. Për shembull, se si mund të mbivendosen vlerësimet nga këshillat e qytetit të Ukrainës, spitalet dhe OKB-ja.

“Nëse synojmë realisht të hartojmë një listë viktimash të mirë-dokumentuar – ose ngjarjet kur ata kanë humbur jetën – kemi nevojë që njerëzit të regjistrojnë më shumë informacion sesa thjesht numrat”- thotë Shpagat. Qasja e dytë është dokumentacioni.

Ajo kërkon jo vetëm një numër të madh viktimash civile, por edhe informacione specifike mbi secilin rast, si për shembull mosha, emri ose vendi ku është identifikuar dëmtimi i civilëve. Por mund të përfshijë një kombinim të kërkimit në terren dhe verifikimit dixhital.

Kjo mund të bëhet gjithashtu përmes të dhënave me burim të hapur dhe monitorimit të mediave sociale. Grupe si “Iraq Body Count” dhe “Airwars”, e bëjnë këtë në konfliktet që zhvillohen kryesisht në Lindjen e Mesme, ose përmes intervistave në terren.

Misioni i OKB-së për monitorimin e viktimave në Ukrainë, po e përdorte këtë qasje deri në pushtimin e Rusisë. Raed Xharrar, kreu sondazhe derë më derë në Irak në vitin 2003 së bashku me CIVIC.

“Në raste të tilla mblidhen shumë histori dhe emra. Dikush thotë ‘Fqinjin tim e vranë’. Tregimet, emrat e veçantë, historia e një sulmi me bombë mbi një autobus apo një autokolone ushtarake. Kështu gjërat nisin të vendosen kontekstin e tyre, gjë që është po aq e rëndësishme sa edhe të publikosh një imazh”- thotë ai.

Menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, Blakaj dhe të tjerët filluan të intervistonin burime lokale dhe anëtarët e mbijetuar të familjeve, për të mbledhur informacione për të zhdukurit. Më vonë, ata e standardizuan metodologjinë e tyre. Për të konfirmuar dikë si të vdekur ose të zhdukur, u duheshin dy burime të pavarura, njëri prej të cilëve duhej të ishte burimi kryesor, si për shembull një i intervistuar.

“Ne nuk kishim asnjë model apo trajnim. Gjithçka e shpikëm vetë”- thotë Blakaj. Atyre iu deshën 4 vite për të bërë vlerësimet e tyre të para të bilancit të viktimave. Aktualisht, sipas tyre numri i tyre i të vdekurve nga lufta në Kosovë është 13.535. ku 75 për qind janë civilë.

“Sa më shpejt ta nisni procesin pas fundit konfliktit, aq më afër informacionit të saktë”- shpjegon Blakaj. Qasja e tretë, vlerësimi, përfshin marrjen e madhësive të mostrës dhe ekstrapolimin e tendencave kombëtare.

Pra, në vend se të dokumentohet çdo vdekje e veçantë, gjë që mund të jetë e pamundur nëse konflikti në Ukrainë vazhdon me këtë intensitet për një kohë të gjatë, vlerësimet bazohen në tendencat nga një numër mostrash të popullsisë, përcjell CNA.

Zakonisht, vlerësime të tilla prodhojnë shifra më të mëdha. Për shembull, Grupi i Studimit të Shëndetit Familjar në Irak vlerësoi 151.000 vdekje të dhunshme gjatë viteve 2002-2006, bazuar në anketat me familjet, dhe variablat e tjera. Kjo shifër ishte shumë herë më e madhe se sa vlerësimi i “Iraq Body Count” për të njëjtën periudhë.

Përpara pushtimit rus të këtij viti, Ukraina kishte mekanizma shumë të mirë për dokumentimin e të vrarëve ose të zhdukurve. Më shumë se 3095 vdekje të civilëve ukrainas ishin dokumentuar nga vitit 2014 deri në fundin e vitit 2021. Por egërsia e konfliktit aktual i ka fragmentuar rrjetet ekzistuese.

Organizata si CIVIC dhe agjencitë e OKB-së po hasin shumë vështirësi, pasi i gjithë stafi i tyre ukrainas është larguar nga shtëpitë e tyre. Edhe ata që kanë qëndruar po përballen me ndërprerje të informacionit, duke e bërë të vështirë verifikimin ose dokumentimin e incidenteve lokale dhe kombëtare.

Ndërkohë OKB-ja njoftoi kohët e fundit se po ripunon metodologjinë e saj, pasi u kritikua shumë për vlerësimet e saj aktuale. Metodologjia e përdorur që nga viti 2014 deri në fillimin e luftës, bazohej në një gamë të gjerë informacioni, duke përfshirë raportet mjekoligjore, rrëfimet e dëshmitarëve okularë dhe intervistat me viktimat dhe të afërmit e tyre.

Uladzimir Sherbau, kreu i monitorimit të dëmeve civile në Ukrainë për OKB-në, shpjegoi se zakonisht duhen të paktën tre burime të pavarura për të konfirmuar një vdekje. Dhe si civilë numërohen ata që gjendeshin të paarmatosur. Tani OKB-ja po synon të  mbledhë vlerësime nga një gamë më e gjerë burimesh, duke përfshirë autoritetet rajonale dhe agjencitë zyrtare.

Në vend se të publikojnë shifra të sakta të atyre rasteve që kanë vërtetuar, ata shpresojnë të kenë se shpejt një vlerësim realist të numrit të viktimave nga luftimet në Ukrainë, që mund të jetë është ndoshta më afër numri real sesa atij të mirë-dokumentuar.

“Hapi i parë drejt një situate paqësore, është kur pranojmë faktet e asaj që ka ndodhur. Krijimi i një kujtese kolektive, redukton mundësinë e përsëritjes së dhunës në të ardhmen”- thotë Blakaj.

Të ngjashme
OpEd • 23 Prill 2024