Ministria ruse e mbrojtjes ka njoftuar për një armëpushim në qytetin port të rrethuar të Ukrainës, Mariupol, duke filluar nga mëngjesi i së enjtes, për të lejuar evakuimin e civilëve.
“Që ky operacion humanitar të ketë sukses, ne propozojmë që të kryhet me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq”, njoftoi ministria, raporton BBC.
Korridori humanitar nga Mariupol në Zaporizhzhia – përmes qytetit portual të kontrolluar nga Rusia, Berdiansk – do të hapet në orën 10:00 me orën lokale (07:00 GMT).
Ukraina nuk e ka komentuar njoftimin, derisa përpjekjet e mëparshme për të vendosur një armëpushim në Mariupol kanë dështuar mes akuzave për keqbesim nga të dyja palët.
Rusia është akuzuar gjithashtu se ka zhvendosur me forcë mijëra civilë në Rusi ose në zonat e kontrolluara nga Rusia.
Njoftimi vjen pasi fotot e reja satelitore treguan shkatërrimin e shkaktuar nga granatimet.
Pamjet e publikuara nga kompania e vëzhgimit të Tokës, Maxar, treguan se zonat e banuara janë kthyer në rrënoja.