Lajme
Rusia publikon pamjet e shkatërrimit të depos së armëve me raketa hipersonike, flasin ekspertët
Demokracia
21:24 | 19 Mars 2022

Share:

Ushtria ruse njoftoi të shtunën se përdori raketa hipersonike për herë të parë në Ukrainë, në mes të garës globale për blerjen e këtyre armëve, transmeton Demokracia.com.

Rusia thotë se përdori për herë të parë super-raketën e saj hipersonike Kinzhal për të shkatërruar një depo armësh në perëndim të vendit të Ukrainës.

Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konachenkov tha se “më 18 mars, sistemi i avionëve shkatërroi një depo të madhe nëntokësore për raketa dhe municione të Forcave Ajrore të Ukrainës në Delatin, rajoni Ivano-Frankivsk, në Ukrainën perëndimore”.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka publikuar edhe një video që dyshohet se tregon momentin e shkatërrimit të depove të armëve ukrainase, por menjëherë u shfaqën pretendimet se bëhej fjalë për propagandë ruse.

Zyrtarët amerikanë kanë konfirmuar se Rusia ka lëshuar raketa hipersonike ndaj Ukrainës, por thonë se kjo ishte vetëm një provë dhe duke i treguar Perëndimit se çfarë armësh disponon Moska.

Rusia kurrë më parë, në dy konfliktet e mëparshme në të cilat ka luftuar në Ukrainë dhe Siri, nuk ka raportuar përdorimin e kësaj rakete. Që nga testimi i parë i suksesshëm në vitin 2018, raketa është përdorur disa herë si pjesë e stërvitjeve ushtarake, transmeton Demokracia.com.

“Ata ndoshta donin ta testonin atë në kushte luftarake, për herë të parë në botë,” i tha AFP Vasily Kachin, një analist ushtarak dhe drejtor i qendrës kërkimore në Shkollën Ekonomike të Moskës.

Moska zyrtare pretendon se kjo lloj rakete është një sfidë për sistemet e mbrojtjes ajrore, sepse shpejtësia e saj është deri në 10 ‘Mach’ ose rreth 12,000 km/h, kështu që manovrueshmëria e saj e bën të vështirë ose të pamundur detektimin saj, megjithëse disa ekspertë ushtarakë perëndimorë thonë se Rusia i ekzagjeron aftësitë e kësaj arme.

Për ekspertin ushtarak rus Pavel Felgenhauer, përdorimi i këtyre armëve nuk i jep Rusisë një avantazh strategjik në Ukrainë, por ka një efekt psikologjik sepse Moska përdori një nga armët e saj më shkatërruese atje.

“Në fakt, kjo lëvizje nuk ndryshon shumë në fushën ushtarake, por gjithsesi ka një efekt në aspektin e propagandës psikologjike, e ajo është mbjellja e frikës”, tha ai. /Demokracia.com/

Të ngjashme