Lajme
Rusia për raketën në Poloni: Edhe vjet u munduan të na fajësonin, por ishte nga Ukraina
Demokracia
15:16 | 30 Dhjetor 2023

Share:

Moska nuk do të japë ndonjë shpjegim për raketën në hapësirën ajrore të Polonisë derisa ky shtet të paraqesë “dëshmi të qarta” se ajo ishte ruse, tha Andrei Ordash, i ngarkuari me punë i Rusisë në Poloni, pasi u thirr për sqarime në Ministrinë e Jashtme të Polonisë.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve, “RIA Novosti”, Ordashi tha: “Derisa të ofrohen prova të qarta, nuk do të japim asnjë shpjegim, sepse këto akuza janë të pabaza.”

Ai e vuri theksin tek incidenti i nëntorit të vitit 2022, kur nga një raketë ishin vrarë dy persona në një fshat kufitar polak, raporton gazeta “The Guardian”.

“Atëherë, ata gjithashtu u munduan ta fajësonin palën ruse për këtë incident. Më vonë, doli se raketa ishte hedhur nga ushtria ukrainase”- shtoi zyrtari rus në Poloni.

Çfarë tha Polonia të premten?

Një raketë ruse duket se ka hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë të premten, tha një gjeneral polak, pasi një objekt i paidentifikuar ajror u vërejt në orët e hershme të mëngjesit në kohën e një sulmi të gjerë rus ndaj Ukrainës gjatë natës.

Gjenerali Maciej Klisz, komandant operues i forcave të armatosura polake, tha se objekti, sipas të gjitha gjasave, u largua nga hapësira ajrore polake pas më pak se tre minutave mbi territorin e vendit dhe u kthye në Ukrainë, raporton agjencia “Reuters”.

“E tërë rruga e fluturimit mbi territorin polak ishte duke u vëzhguar. Për momentin, skenari që unë po e rekomandoj është që raketa u largua nga hapësira ajrore e Polonisë”- tha Klisz-i para gazetarëve.

Të ngjashme