“Raketat ruse shkatërruan tanke T-72 dhe automjete të tjera të blinduara pranë Kievit që ishin furnizuar nga vendet e Evropës Lindore në Ukrainë”.
Kjo ishte deklarata e bërë të dielën ministria ruse e mbrojtjes.
Ministria shtoi se Forcat Hapësinore Ruse përdorën raketa me precizion të lartë të lëshuar nga ajri me rreze të gjatë veprimi në sulmet në periferi të kryeqytetit, duke goditur ndërtesat.
Njoftimi rus vjen pas shpërthimeve të shumta që tronditën Kievin të dielën në mëngjes. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha se një person është shtruar në spital.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka kërcënuar se do të “godasë në ato objektiva ende nuk i kanë goditur” në Ukrainë nëse Perëndimi i siguron Kievit armatim me rreze më të gjatë.
Në pjesë të një interviste për televizionin shtetëror Rossia-1 të transmetuar më 5 qershor, Putin tha se “buja” rreth ofrimit të armatimit perëndimor në Ukrainë ishte një dredhi për të larguar konfliktin.
Putin nuk specifikoi se cilat objektiva të reja mund të godasë Rusia.
Rusia nisi luftën e saj të paprovokuar kundër Ukrainës më 24 shkurt. Dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë dhe miliona janë zhvendosur në më shumë se 100 ditë luftime që atëherë. Rusia nuk ka lëshuar shumë informacione në lidhje me humbjet e saj gjatë konfliktit, por analistët perëndimorë dhe ukrainas kanë thënë se ato kanë qenë shumë më të mëdha sesa pritej fillimisht Moska.
Ukraina ka kërkuar sisteme të avancuara të lëshimit me shumë raketa si M270 dhe M142 HIMARS në mënyrë që të jetë në gjendje të godasë në pjesën e pasme të forcave ruse.
Presidenti i SHBA-së Joe Biden tha javën e kaluar se do t’i siguronte Ukrainës sistemin HIMARS pasi u sigurua se nuk do të përdorej për të goditur objektivat brenda Rusisë.