Lajme
Rusia me propagandë në gjithë botën, investon shumë para edhe në Ballkanin Perëndimor
Demokracia
17:07 | 27 Gusht 2022

Share:

Rusia po terrorizon të gjithë botën përballë qasjes së butë të shteteve perëndimore karshi saj. Një ndikim të madh me propagandë ajo ka edhe në Serbi, Bosnje, Mal të Zi, Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë. Kurse, Kisha Ortodokse është pika e fortë e Rusisë të cilën po e shfrytëzon për ‘t’i futur duart’ në politikën e Ballkanit.

Kështu u tha në konferencën “Ndikimi rus në Ballkan – Kriza e Ukrainës” që u mbajt sot në Prishtinë. Aty u tha po ashtu se Rusia është e interesuar në krijimin e tensioneve, në ndërprerjen e kohezionit social dhe në krijimin e mosbesimit në institucione dhe në demokraci.

Ljubomir Filipoviq, gazetar nga Mali i Zi, tha se Mali i Zi dhe Bosnja janë shumë të ndikuar nga propaganda ruse.

“NATO-ja na mbron neve, është mirë që jemi larg Rusisë. NATO na mbron nga Rusia. Dje kemi marrë një sulm kibernetik nga Rusia, sipas hakerëve tonë. Dhe jeta ka ndaluar dje, thënë figurativisht, në Mal të Zi. Nuk mund të më jepnin një kupton fiskal për shkak të atij sulmi. Është e frikshme çfarë po bën Rusia. Kur flitet për kërcënimet e sigurisë që po ndodhin në Kosovë është e frikshme që diçka e tillë sikurse lufta në Ukrainë mund të ndodhë edhe këtu. Ne jemi shumë të ndikuar nga propaganda ruse”.

Gazetarja nga Ukraina, Daria Mescheriakova, tha se Rusia si shtet terrorist po terrorizon gjithë botën. Derisa shtoi se propaganda ruse po e bën punën e saj.

“Rusia dëshiron të shkatërrojë popullatën, jo vetëm vendin (Ukrainën). Agjenda e Rusisë është që të insistojë që të dy palët janë fajtore duke thënë se ‘kjo është një çmenduri që po bëhet nga të dy palët’. Kjo është një narrativë e re ruse. Rusia ka investuar shumë para vitet e kaluara, sidomos në politikanët e djathtë në mbarë botën. Të gjithë ata thonë se nëse ndalojnë furnizimet e Rusisë, atëherë gjithçka do të ndalet. Ata investojnë shumë para në agjendën e tyre edhe këtu në Ballkan, sepse dëshirojnë që bota të destabilizohet, që të mbjellin dyshime. Ky është synimi i tyre – që njerëzit të dyshojnë. Ata synojnë që të bindin botën se është faji i Ukrainës. Tash Putin ka nevojë për dialog, sepse nuk ka kapacitete për kundërofensivë”, tha ai, shkruan KP.

Dietmar Pichler, ekspert i dezinformatave në Austri, ka thënë se po ashtu edhe shteti i Austrisë është ndikuar shumë nga propaganda ruse.

Ai shton se në propagandën ruse thuhet se Ukraina nuk është një vend i vërtetë mirëpo, sipas tij, kjo dihet se është dezinformatë. Më tej ai thotë se edhe në Austri ka shumë pro rusë si në Serbi.

“Austria është shumë e ndikuar nga propaganda ruse. Partitë populiste janë përgjegjëse për ndarjen e propagandës ruse kundër Ukrainës. Edhe ndikimi serb është gjithashtu me rëndësi. Kemi shumë në Austri që janë pro rusë si në Serbi “.

Ruslan Trad, studiues i sigurisë, bëri një krahasim të dezinformatave ruse në Siri, Ukrainë dhe Ballkan.

“Në Bullgari kemi gjetur 700 ueb faqe që kanë shpërndarë pika të bisedimeve se lufta në Ukrainë nuk është luftë, por operacion. Propaganda që vjen nga Kremlini është e njëjtë si në Siri, Libi – vetëm ndërron aspekti lokal. Qeveritë tona duhet të bashkëpunojnë si një front i përbashkët kundër fushatave të tilla, sidomos nëse vazhdon lufta në Ukrainë për disa vite”.

Më tej, ai thotë se në Bullgari nuk kanë fushata konkrete për t’iu kundërvënë propagandës as në nivel vendor, sepse nuk kanë faqe që bëjnë verifikim të fakteve.

Të ngjashme