Autoritetet ruse të premten kanë arrestuar tre avokatët që përfaqësojnë liderin e burgosur opozitar, Alexei Navalny. Shtëpitë e avokatëve janë bastisur nga autoritetet në përpjekje për të izoluar krejtësisht Navalnyn.
Lideri opozitar është në burg që prej vitit 2021 dhe po vuan dënimin me burgim prej 19 vjetësh. Nëpërmjet avokatëve, Navalny vazhdimisht ka dërguar mesazhe dhe është mbajtur i informuar për situatën në Rusi.
Regjimi rus ka arrestuar avokatët Vadim Kobzev, Igor Sergunin dhe Alexei Liptser, nën dyshimin për pjesëmarrje në grupe ekstremiste.
Navalny që ka marrë pjesë në seancën dëgjimore të premten, ka thënë se rasti ndaj avokatëve tregon shumë për sundimin e ligjit në Rusi. Ai ka thënë se si në kohën sovjetike, edhe tani, aktivitet politikë po shndërrohen në të burgosur politikë së bashku me avokatët e tyre.
Mediat e pakta të pavarura të Rusisë kanë thënë se cak i arrestimit ka qenë edhe avokatja Olga Mikhailova, por ajo nuk është në territorin e Rusisë.