Lajme
“Rusia e Serbia të pafuqishme para presidentes”: Pronari i banimit në varg i “ekzaltuar” nga paraqitja e Osmanit në OKB
Demokracia
14:40 | 23 Prill 2024

Share:

Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, dje është duartrokitur për paraqitjen e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku u përball me Aleksandar Vuçiqin, president i Serbisë. Në këtë mbledhje, Osmani shkoi bashkë me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçolli e Shyrete Tahiri, katër gratë që u prekën nga lufta e fundit.

Osmani u lavdërua edhe nga…Prindon Sadriu. Bashkëshorti i presidentes, pra Zotëriu i Parë, ishte jashtëzakonisht aktiv në përkrahjen për Osmanin. Madje, nga shkrimet që i bëri në Facebook, lirisht mund të themi se Prindoni ishte i ekzaltuar nga paraqitja e Komandantes Supreme.

Sadriu ka bërë mbi pesë postime në lidhje me këtë ngjarje. Në postimin e parë, Sadriu shkroi se paraqitja e Osmanit është autogoli i radhës i Serbisë (Prindoni vazhdimisht e ka shkruar emrin e Serbisë me s të vogël).

“Autogoli i radhës i serbisë.

Sa më shumë që serbia mundohet t’i keqpërdorë Kombet e Bashkuara, aq më shumë zëri i Kosovës po dëgjohet para botës. Fytyra e vërtetë e regjimit gjenocidal serb po shpërfaqet çdo ditë e më shumë, në Kosovë, në rajon, në Kombe të Bashkuara e gjetiu.” – ka shkruar Sadriu.

Pas përfundimit të fjalimit, Sadriu e thelloi edhe më shumë përkrahjen. Tashmë, sipas Sadriu, nuk ishte vetëm autogol i radhës, por “autogol i përmasave historike”.

“Një autogol i përmasave historike i pësuar nga serbia. Zëri i Kosovës dhe i heroinave tona kumboi fuqishëm para botës në forumin më të lartë botëror, Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara” – shkroi ai.

Sadriu nuk ngurroi të shpërndante një video të Osmanit, duke shkruar se presidentja ia ka humbur udhën në oborr Vuçiqit, të cilin e cilësoi si “të ashtuquajtur presidente”.

“Momenti kur Vjosa ia hup ‘udhën në oborr’ Vucicit. Sjellje banditeske e një të ashtëquajturi President” – shkroi Sadriu.

Në postimin e radhës, Prindoni, që është edhe diplomat i Kosovës, shkroi se Rusia dhe Serbia ishin të pafuqishme para presidentes Osmani. Tutje, Prindoni shkroi se Rusia dhe Serbia nuk arritën të ndalojnë hyrjen e katër heroinave si pjesë e delegacionit të presidentes.

“Natyrisht se përpjekjet e tyre dështuan dhe në fund Presidentja hyri heroikisht me heroinat në sallën plenare të KSOKB.

Kosova edhe mund të mos jetë ende anëtare e KSOKB, por kush do që mendon se do t’ia dalë lehtë me të e ka gabim. Fuqia e Presidentes dhe e Kosovës në ndërtimin e miqësive dhe aleancave tejkalon egërsinë e regjimeve në Beograd e në Moskë. Kjo u pa më së miri sot me dështimin e Rusisë (si anëtare permanente e KSOKB) dhe serbisë për t’ia diktuar agjendën Presidentes së Kosovës. Krejt cka morën si përgjigje ishte pritja e tyre 10 minutëshe në seancë” – shkroi ai.

Në një postim tjetër, Prindoni vlerësoi se fjalimi i Osmanit e shpartalloi përfundimisht narrativën e Serbisë.

“Fjalimi i cili përfundimisht shpartalloi narrativën e serbisë. Narrativë e bazuar në gënjenshtra dhe shpifje kundër Kosovës dhe viktimave të gjenocidit në Kosovë” – ka shkruar ai.

Të ngjashme