Lajme
Rusët mbajnë zi për humbjen e luftanijes “Moskva” – u mbyt nga predhat ukrainase
Demokracia
20:51 | 15 Prill 2022

Share:

Rusia ka mbajtur zi për humbjen e luftanijes “Moskva” në Detin e Zi, mjeti raketor i cili u fundos të enjten pasi municionet shpërthyen në bord.

Ceremonia u zhvillua në Sevastopol, baza e flotës në Krimenë e aneksuar nga Rusia.

Ukraina thotë se goditi “Moskvën” me dy raketa anti-anije, të cilat i vunë flakën anijes.

Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi zjarrin pa specifikuar shkakun e tij dhe ka thënë se zjarri kishte shpërthyer municionet në bord.

Ukrainasit: E vramë kapitenin e “Moskës”, ai urdhëroi sulmin në ishullin e gjarpërinjve

Në ceremoni, kapiteni (rezervë) Sergei Gorbachev ka thënë se “Moskva” “ishte një simbol për të gjithë, simbol i fuqisë sonë, shpresës sonë, ringjalljes së flotës në vitet ’90”.

Aty mori pjesë edhe një prift, i cili ka thënë se humbja e “Moskvës” ishte “një tragjedi për të gjithë ata dhjetëra mijëra njerëz që shërbyen atje për më shumë se 20 vjet”.

Anija e ndërtuar nga sovjetikët po luante rol të madh në koordinimin e operacioneve të flotës jashtë Ukrainës.

Rusia nuk ka dhënë shifra të viktimave në lidhje me “Moskvën” . Ministria e Mbrojtjes ka thënë se ekuipazhi u shpëtua nga anije të tjera të flotës në zonë.

Vlerësohet se në momentin e shpërthimit ishin 510 njerëz në bord.

Raportet ukrainase – të pakonfirmuara – thonë se kapiteni i anijes Anton Kuprin ishte në mesin e atyre që vdiqën kur anija mori flakë dhe shpërtheu.

Të ngjashme