Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar të enjten se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë pritshmëri të larta sa i përket bisedimeve të ditës së nesërme ndërmjet delegacionit të Rusisë dhe atij të Ukrainës.
“Dua të jem i drejtpërdrejtë, nuk mendoj se ne kemi pritshmëri të larta për çfarë do të ndodhë nesër”, ka thënë Rubio për gazetarët, pas takimit të mbajtur në Ankara me ministrat e Punëve të Jashtme të NATO-s.
Ai ka bërë të ditur se do të takohet me homologun e tij turk, Hakan Fidan, dhe një zyrtar të lartë nga delegacioni i Ukrainës të premten në Stamboll.
Krahas kësaj, Rubio ka njoftuar se bisedime të ndara do të zhvillohen mes zyrtarëve të tjerë amerikanë dhe një delegacioni rus të “nivelit më të ulët”.
“Shpresoj se bisedimet do të jenë mes Ukrainës dhe Rusisë, ndërsa homologët turq të jenë të pranishëm në sallë, së bashku me dikë nga ekipi jonë në nivelin e përshtatshëm”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, sekretari amerikan ka shfaqur indikacione se rruga e vetme që “diçka produktive të ndodhë nga ky moment e tutje”, është organizimi i një takimi ndërmjet presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe nikoqirit të tij rus, Vladimir Putin.
“Mendoj se është mëse e qartë që mënyra e vetme për të pasur një përparim këtu është përmes një takimi mes presidentit Trump dhe presidentit Putin”, ka thënë Rubio.
Ai ka konstatuar se Trumpi është “i gatshëm” për ta zhvilluar këtë bisedë dhe “i paduruar” për ta përfunduar luftën.
“Vlerësimi im është se nuk do të ketë përparim të vërtetë derisa presidenti Trump dhe Presidenti Putin të komunikojnë drejtpërdrejt për këtë çështje”, ka vazhduar ai.