Lajme
Transporti i rrymës 907% më i shtrenjtë: Kompania nën hetim nga Shqipëria që mori miliona nga KESCO
Demokracia
09:59 | 11 Prill 2025

Share:

Nëse nga sot qytetarët në Kosovë përballen me një tjetër rritje të tarifave të energjisë elektrike, arsyeja nuk qëndron vetëm te kostot globale apo mungesa e prodhimit vendor. Pas kësaj rritjeje fshihen përfitime marramendëse të disa kompanive të energjisë, të mundësuara nga dështimi i shtetit për të menaxhuar siç duhet linjat e transmisionit, shkruan Demokracia.com.

Sipas dokumenteve publike të dorëzuara në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE), vetëm transporti i energjisë që KESCO e ka blerë nga kjo kompani në vitin 2024 ka rezultuar 907% më i shtrenjtë sesa vetë çmimi i energjisë. Pra, qytetarët nuk po paguajnë vetëm për rrymën – por shumëfish më shumë për “rrugën” që ajo bën, edhe kur ajo udhëton.

Për këtë ka raportuar Demokracia.com në janar të vitit 2025.

Kosovës i mbyllen autostradat energjetike me Shqipëri e Serbi, qytetarët do të paguajnë 70 milionë euro më tepër

KESCO ka blerë energji nga Noa Energy Trade përmes një marrëveshjeje direkte.

Noa Energy Trade SH.P.K Dega në Kosovë, është regjistruar në ARBK më 29 qershor 2021 dhe është në pronësi të kompanisë mëmë nga Shqipëria, e cila kontrollohet nga NOA Holding, me pronar Gentian Sulën.

 

Bazuar në të dhënat e Data4x.com, Noa Energy Trade është njëra prej top kompanive më të mëdha në Kosovë për vitin 2024, ani pse ajo u fute ne tregun e Kosovës në vitin 2021. Në tri vitet e fundit ka qarkulluar miliona euro dhe e gjithë kjo nga shitja e rrymës.

Gentian Sula, ndërkohë, është një nga biznesmenët më të përfolur në Shqipëri pasi ai është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për korrupsion aktiv në një dosje që përfshin edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Masa e sigurisë për Sulën është vendosur nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), me urdhër që ai të paraqitet rregullisht në prokurori.

Kush është Gentijan Sulo, ortaku i Surroit që u përmend për ryshfet në ndërtimet në Brezovicë

 

Javë më parë, Demokracia.com informoi për rritjen dramatike të kësaj kostoje, e cila ka ndodhur për shkak të linjave të bllokuara dhe politikave të ALPEX-it. Në një takim emergjent të zhvilluar ditën e djeshme, Ministrja Rizvanolli kërkoi nga ZRrE që të analizojë në detaje çmimin e kapaciteteve të transmisionit dhe të mos lejojë që konsumatorët të mbajnë kostot e evitueshme.

Në një komunikatë zyrtare të publikuar të martën, Ministrja Rizvanolli shprehu shqetësimin për rritjen e kësaj kostoje, duke përmendur në mënyrë specifike rritjen e çmimit të kapaciteteve të transmetimit, të cilat sipas raporteve të Demokracia.com kanë rritur për 71% krahasuar me vitin e kaluar.

Ministrja, kërkoi nga ZRrE të sqarojë në detaje këtë komponent të çmimit dhe të analizojë nëse operatorët kanë mundur të shmangin një pjesë të këtyre kostove. Ajo gjithashtu theksoi se në raste kur konstatohet se kostot janë të evitueshme, ato nuk duhet të transferohen te konsumatorët, por përgjegjësia duhet të mbetet te operatorët e përfshirë. Kjo qasje e ministres vjen në një kohë kur ZRrE është duke shqyrtuar kërkesat për tarifa të reja.

Një paradoks i madh ka ndodhur gjatë vitit 2024 në lidhje me importin e rrymës nga KESCO. Në shumë raste, pagesa për transportin e rrymës përmes linjave ndërkombëtare ka qenë më e lartë sesa vetë çmimi i rrymës në tregun e bursës. Vlerësohet se dhjetëra miliona euro janë shpenzuar për pagesat e linjave ndërkombëtare. Dyshohet se kjo situatë ka ndodhur pas bllokadës së “autostradës energjetike” me Shqipërinë, kur importi varej vetëm përmes Malit të Zi dhe Maqedonisë, e cila situatë është shfrytëzuar nga kompanitë e licencuara për tregtimin e energjisë. /Demokracia.com/

Demokracia.com paralajmëroi, Qeveria konfirmon: Rritja e çmimit të rrugës së transmetimit të rrymës godet qytetarët

Të ngjashme