Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Adnan Rrustemi, i ka dalë në mbrojtje të Qeverisë Kurti, duke thënë se kjo periudhë ishte e mjaftueshme për të ndalë të keqën.
Rrustemi në seancën e kuvendit tha se kthimi i besimit të qytetarëve në institucione, sipas tij, nisi të japë efekte pozitive në secilën sferë.
“Vetëm gjatë kësaj periudhe, Qeveria Kurti ka marrë 144 vendime, ka kaluar 19 projektligje dhe ka nxjerr 4 koncept dokumente për reforma të thella në vend. Kosova po merr fuqishëm formën e shtetit të së drejtës, i munguar dhe i dëshiruar me ngulm nga qytetarët e saj. Zhvillimi ekonomik po ia zë vendin dëshpërimit dhe zhgënjimit kolektiv të rrënjosur si pasojë e qeverisjeve të shkuara. Si Kuvend i Republikës, po japim kuptim mbikëqyrjes parlamentare duke i dhënë fund paligjshmërisë, performancës së ulët, keqpërdorimeve të mëdha në agjenci të themeluara nga kuvendi. Kërkimi i llogarisë janë rruga drejtë zhvillimit”, tha Rrustem, përcjell Demokracia.com.
Në kuvend është duke u mbajtur debat parlamentar për 100 ditëshin e qeverisë Kurti II./Demokracia.com/