Sport
Rrugëtimi në Evropë | Nga takimi i tensionuar i Llapit me Buducnost, eliminimi i Gjilanit, sfida e Dritës me yjet e Antwerp deri te suksesi i Ballkanit
Demokracia
12:47 | 29 Gusht 2022

Share:

Edicioni 2021/22 në garat evropiane ishte padyshim më i suksesshmi për futbollin e Kosovës që nga pranimi me të drejta të plota në dy institucionet më të mëdha të futbollit në botë, UEFA dhe FIFA, shkruan Demokracia.com.

E para ishte se ishte edicioni i parë që katër skuadra nga elita e futbollit kosovar kanë marrë pjesë në garat evropiane, përkatësisht në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Konferencës. E padyshim se “kulmi” i suksesit ishte kualifikimi historik i Ballkanit në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Ballkani si kampion i Kosovës e nisi kampanjën evropiane në raundin e parë kualifikues në Ligën e Kampionëve, për ta vazhduar në Ligën e Konferencës në grupet e së cilës do të ketë punë me ekipet si Slavia Praga, Cluj e Sivasspor.

Drita, Gjilani e Llapi përfaqësuan Kosovën në Ligën e Konferencës.

Demokracia.com ju sjell kronologjinë që nga ndeshja e tensionuar e Llapit me Buducnostin e Podgoricës, eliminimin e Gjilanit në rrethin e parë, sfidën e madhe të Dritës me yjet e Antwerpit e deri te kualifikimi i Ballkanit në fazën grupore në Ligën e Konferencës.

SUKSESI HISTORIK I BALLKANIT

Siç e përmendëm më lart, Ballkani e nisi rrugëtimin në garat evropiane në raundin e parë kualifikues në Ligën e Kampionëve, duke u eliminuar nga ekipi lituanez Zalgiris. “Portokallezinjtë” në takimin e parë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë barazuan 1:1, por u mposhtën në vazhdime 1:0.

Eliminimi i Ballkanit në raundin e parë në ligën më prestigjioze evropiane për klube u komentua jo mirë në vend. Megjithatë, të besuarit e trajnerit Ilir Daja arritën suksesin në Ligën e Konferencës. Në rrethin e dytë të kësaj lige, ata eliminuan me rezultat të përgjithshëm 10:0 ekipin nga San Marino, La Fioritas (0:4 – 6:0).

Shenjat e para për ëndrrën e realizuar tanimë Ballkani i dha kur triumfoi edhe ndaj ekipit nga Ishujt Faroe, Klaksvik, të cilën anise me vështirësi, e eliminoi me rezultat të përgjithshëm 5:4 (3:2 – 2:2).

Suharekasit pas triumfit ndaj ishullorëve e gjetën veten në “Play-Off” të Ligës së Konferencës, e ku shorti e ballafaqoi me skuadrën shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Shkupin.

Ballkani u tregua superior edhe ndaj Shkupit, duke e mundur fillimisht në udhëtim 1:2, teksa ndeshja historike e zhvilluar në kryeqendrën kosovare u mbyll 1:0, duke shkruar historinë e futbollit të Kosovës.

PËRMBYSJA NDAJ INTER TURKUT DHE SFIDA E MADHE NDAJ ANTWERP

Drita, sikurse në edicionet paraprake vazhdoi me ndeshje të madhe në garat evropiane dhe si zakonisht gjilanasit nuk e kishin “aleat” fatin në short.

Futbollistët që drejtohen nga trajneri Ardian Nuhiu e nisën ciklin kualifikues në Ligën e Konferencës me humbje 1:0 në ndeshjen e parë nga ekipi finlandez, Inter Turku në udhëtim.

Drita e “gjunjëzoi” para mijëra tifozëve Inter Turkun në ndeshjen e dytë me rezultat bindës 3:0, duke kaluar kështu në rrethin e dytë të kualifikimeve aty ku shorti e përballi me ekipin e madh belg, Royal Antwerp, pjesë e së cilës ishin edhe disa futbollistë me “bagazh” në futbollin evropian si Alderweirld e Radja Nainggolan.

Takimi i parë në Belgjikë u mbyll 0:0 duke dhënë sinjale se Drita mund të bëjë befasinë e madhe në Prishtinë, e kësisoj bëri që interesimi për atë sfidë të ishte tejet i lartë.

Yjet e Antwerp u desh të djerësiten fortë edhe në tempullin “Fadil Vokrri”, anise triumfuan në fund 0:2. Drita po rezistonte deri në minutën e 53-të kur u ndëshkua, për t’u “nokautuar” më pas në minutën e fundit.

NDESHJA E TENSIONUAR E LLAPIT ME BUDUCNOSTIN

Sikurse në edicionin e parë, Llapi u eliminua herët edhe në sezonin e dytë në garat evropiane. Fituesit e Kupës së Kosovës kësaj radhe u mposhtën nga Buducnosti i Podgoricës me rezultat të përgjithshëm 2:4 (2:0 – 2:2).

Por, vëmendjën më të madhe për të keq e morën incidentet dhe tensionet që u shënuan në kryeqytetin malazez, me tifozët e Buducnostit që hodhën gjësende në drejtim të ekipit kosovar dhe duke bërë thirrje kundër shqiptarëve.

Koreografitë nacionaliste serbe ishin gjithashtu pjesë e skandaleve të prodhuara nga tifozeria malazeze, anëtarë të së cilës janë mjaft të afërt me tifozeritë serbe.

Sjelljet e huliganëve malazezë mobilizuan tifogrupet shqiptare të cilët iu përgjigjën në numër të madh llapjanëe në sfidën e dytë (2:2) duke e mbushur plotë stadiumin në Prishtinë.

ELIMINIMI BEFASUES I GJILANIT 

Gjilani përkundër fitores në sfidën e parë kualifikuese, nuk arriti kalimin në rrethin e dytë kundër ekipit letonez, Liepaja.

“Kuqebardhët” festuan fitoren 1:0 në sfidën e parë në Prishtinë nën drejtimin e trajnerit të ri, Zekirija Ramadanit.

Duke parë rezultatin e ballafaqimit të parë që kishte, Gjilani udhëtoi në Letoni që të paktën ta ruante rezultatin.

Por ajo u “shkri” në sfidën e kthimit dhe me ç’rast Liepaja triumfoi 3:1 duke bërë që Gjilani të eliminohet herët dhe befasisht nga garat evropiane./Demokracia.com/

Të ngjashme