Kalimi me makinë s’është i mundur, e ecja goxha problematike. Kjo për faktin se rruga “Nexhmi Llumnica”, në lagjen “Kodra e Trimave” të kryeqytetit nuk u asfaltua kurrë, gjë që u shkakton shumë telasheve kalimtarëve e banorëve.
Rregullimi dhe asfaltimi i udhës do t’ua lehtësonte punën banorëve edhe përsa i përket instalimit këndejpari të një linje të trafikut urban. Stacioni më i afërt i kësaj ndërmarrje është 3 km larg. E zgjidhja nuk del të jetë e afërt, raporton Ju Flet Prishtina.
Krenar Xhaferi, drejtori për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave, tha se ajo rrugë nuk pritet të trajtohet as vitin që vjen.
“Trajtimin me zhavorr mund ta bëjmë, por rrugë me kubëza ose me asfalt nuk e kemi në plan as vitin që vjen. Aty duhet një plan i hollësishëm rregullues, duhet zgjidhja urbanisitke e rrugëve për me fillu me trajtu rrugë të nivelit të tillë”, deklaroi Xhaferi.
Telashet nuk përfundojnë veç me rrugën. Kjo hapësirë është shndërruar në një deponi ilegale të bërllogut. Në komunë thonë se kjo pritet të pastrohet më 2024, me gjithë premtimin e mëhershëm se do të largohet sivjet.
“E kemi largu deponinë më të madhe në Trudë, e cila për shkak të sasisë e ka harxhu një kontratë në aspektin financiar për vitin 2023, tani po presim me vazhdu me deponitë e tjera, e që këtu bën pjesë edhe ajo që e përmendët ju, e do të trajtohen prej janarit 2024”, theksoi ai.
Aty ku janë mbeturinat, vijnë edhe qentë. Banorët thonë se në jo pak raste u sulmuan nga endacakët.