Intervista
Rruga drejt rikthimit pas një dekade në Superligë më afër këtë edicion për Fushë Kosovën, “bomberi” i ekipit shprehet optimist
Demokracia
13:07 | 31 Tetor 2022

Share:

Ëndrra për rikthimin në kampionatin elitar të futbollit kosovar tanimë ka nisur te klubi i Fushë Kosovës. Rikthimi në majën e futbollit tonë ka nisur furishëm këtë edicion te “Pampurat”.

Ishte edicioni i largët 2013/14 kur Fushë Kosova bëri gara për herë të fundit në Superligën e Kosovës dhe që nga ajo kohë, ekipi “bardhekaltër” endej në Ligë të Parë, teksa “shijoi” edhe Ligën e Dytë.

E këtë sezon, duket se Fushë Kosova ia ka dhënë vetes një objektiv. Rikthimi në elitën e futbollit kosovar. Ata kanë grumbulluara 25 pikë dhe pozicionohen në pozitën e dytë me një pik më pak se Ulpiana lidere.

Këtij synimi po i ndihmon jashtëzakonisht shumë edhe një sulmues që është rikthyer në një “bomber” të vërtetë. Bëhet fjalë për Rilind Haziraj që bazuar në statistika është futbollisti më në formë në futbollin tonë.

Në 11 ndeshjet e fundit, Haziraj ka kontribuuar me 12 gola për ekipin e Fushë Kosovës.

Haziraj është shprehur i kënaqur me ecurinë dhe formën e tij. Por, ai ndjehet edhe më i lumtur kur sheh se golat e tij po e ndihmojnë skuadrën në kampionat.

Natyrisht që jam i kënaqur për ecurinë time me gola. Jam edhe më i kënaqur kur e shoh ekipin duke triumfuar dhe që jemi një nga kandidatët kryesor për inkuadrimin në Superligën e Kosovës”, tha Haziraj të hënën për Demokracia.com.

Se objektivi i Fushë Kosovës është rangu më i lartë i futbollit kosovar po e thotë edhe Haziraj, i cili nuk u ndal vetëm me aq.

Objektivi i Fushë Kosovës natyrisht që është Superliga. Por, nuk duhet të lënë anash edhe Kupën e Kosovës pasi që kemi ekip shumë të mirë dhe të lidhur shumë me njëri-tjetrin”, shtoi Haziraj.

Për fund, sulmuesi tregon edhe skuadrat rivale në “luftë” për inkuadrim në elitë.

Gara për një vend që dërgon në Superligën e Kosovës do zhvillohet me Ulpianën, Vushtrrinë dhe Flamurtarin. Por, asnjëherë nuk duhet harruar edhe ekipet tjera”, theksoi Haziraj për portalin./Demokracia.com/

Të ngjashme