Lajme
Rrjedh biseda: Anëtarë të elitës ruse e përshkruajnë Putinin si “xhuxh” e “djall”
Demokracia
22:02 | 29 Mars 2023

Share:

Gazeta britanike “The Telegraph” ka publikuar një shkrim në të cilin thotë se dy figura të shquara të shoqërisë kanë hedhur kritika e sharje të ashpra ndaj Vladimir Putinit.

Vladimir Putin është një “xhuxh” dhe një “mashtrues” që po shkatërron Rusinë, sipas një bisede telefonike të zbuluar mes dy figurave të shquara të shoqërisë, transmeton Klankosova.tv.

Telefonata jashtëzakonisht e sinqertë supozohet se përfshin Iosif Prigozhin, një producent muzikor dhe Farkhad Akhmedov, një miliarder që merret me energjinë i lindur në Azerbajxhan, dhe ka ekspozuar pakënaqësi të thellë ndaj Kremlinit në mesin e elitës që në publik del pro regjimit.

Në bisedën 35-minutëshe, Akhmedov e quan Putinin “Satan”, “djallëzor” dhe “xhuxh” të cilit “nuk i intereson për asgjë dhe nuk i intereson për njerëzit”.

Akhmedov shprehet i zhgënjyer edhe për fëmijët dhe të ardhmen e tyre, duke e kritikuar Putinin se nuk i intereson për asgjë nga të sipërpërmendurat.

Prigozhin përgjigjet: “Ata janë kriminelë, të jem i sinqertë, kriminelë të llojit më të keq. Ai [Putini] e shpërdoroi vendin… Nuk do të ketë asnjë të ardhme për ne”.

Akhmedov më vonë thotë: “Ai ka varrosur gjithë kombin rus… Si do ta pastrojmë këtë? Kjo është një luftë midis vëllezërve. Atje do të ketë fashizëm, ja çfarë do të ndodhë… një diktaturë ushtarake. Do ta shohësh. Do të përfundojë kështu”.

Telefonata rrodhi në publik nga një kanal i panjohur ukrainas në YouTube në fillim të këtij muaji, por u bë e madhe vetëm në ditët e fundit.

Yevgeny Prigozhin, themeluesi i “Wagner Group” – i cili nuk ka lidhje me producentin muzikor – ka sugjeruar se përgjuesit mund të kenë qenë duke u përpjekur ta shënjestrojnë atë, por kanë marrë Prigozhinin e gabuar.

Nëse thirrja është e vërtetë, ajo shfaq një ndjenjë të thellë zhgënjimi dhe zemërimi edhe tek anëtarët e elitës ruse që janë gjoja pro-Kremlinit.

Prigozhin dhe gruaja e tij, ylli i popit Valeria, kanë qenë mbështetës publikë të Putinit për një kohë të gjatë. Ata bënë fushatë për të në zgjedhjet e vitit 2018 dhe i kanë bërë thirrje Kremlinit të ndjekë muzikantët që kanë dalë kundër luftës që u larguan nga vendi pas pushtimit të Ukrainës.

Akhmedov, 67 vjeç, i bëri paratë e tij në industrinë e gazit të Siberisë në vitet 1990 dhe vlerësohet të jetë i pasur rreth 1.36 miliard funte. Ai shërbeu si senator rus midis 2004 dhe 2009 dhe bëri bujë në vitin 2021 kur iu desh të paguante 450 milionë funte për ish-bashkëshorten e tij pas një beteje ligjore në Gjykatën e Lartë në Londër.

Ai kurrë nuk e ka kundërshtuar publikisht luftën dhe u sanksionua nga Britania e Madhe dhe BE-ja pas fillimit të konfliktit, masa që ai u përpoq t’i përmbyste pa sukses.

Prigozhin jeton në Moskë, ndërsa Akhmedov aktualisht jeton midis Azerbajxhanit dhe Moskës.

Në një pjesë tjetër të telefonatës, Prigozhin i referohet rrethit të brendshëm të Putinit si “njerëz të pavlerë” të cilët veprojnë sikur të ishin “zota” dhe i ankohet Akhmedovit për fraksione të ndryshme brenda shërbimeve të sigurisë duke fajësuar ministrin e mbrojtjes për gabime në Ukrainë.

“Ata janë njerëzit më të paqëndrueshëm ndonjëherë. Nuk kam asgjë të mirë për të thënë për ta”, thotë ai. “Ata po i tërheqin zvarrë të gjithë deri në fund”.

Akhmedov ankohet për sanksionet me të cilat po përballet, duke përfshirë sekuestrimin e superjahtit të tij MV Luna prej 225 milionë funtesh, për të cilin ai tha se po “kalbet” në Hamburg.

BE-ja tha prillin e kaluar se oligarku ishte “i afërt me Kremlinin”, por Akhmedov tha: “Ata shkruajnë se unë jam një mik i ngushtë i Putinit. S’është e vërtetë! Hera e fundit që pashë Putinin ishte në vitin 2008”.

Audioja e rrjedhur ka shpërfaqur një ndjenje të përhapur në mesin e establishmentit rus se “Putini e ka zhgënjyer vendin e tij”, tha Tatyana Stanovaya, një shkencëtare politike ruse.

“Disa u ndjenë thellësisht të kënaqur që më në fund dikush – lloji i tyre i njerëzve – i tha të gjitha me zë të lartë”, shkroi ajo për “Carnegie Endowment for International Peace” të mërkurën. “Rrjedhja padyshim kishte një ndikim të madh në mirëqenien mendore të elitës ruse”, transmeton Klankosova.tv.

Kremlini dhe media shtetërore, të cilat zakonisht thërrasin për hakmarrje ndaj “tradhtarëve”, kanë qenë dukshëm të heshtura për telefonatën, me vetëm disa blogerë pro luftës që bëjnë thirrje për gjak.

Prigozhin në fillim pretendoi se rrjedhja ishte tërësisht e falsifikuar përpara se më vonë të thoshte se pjesë të saj ishin të vërteta.

“Të gjithë janë të vetëdijshëm për qëndrimin tim politik, gjë që dëshmohet në të gjitha intervistat e mia”, tha ai për faqen e internetit “Fontanka” të hënën. “Por e dini, ndërsa po dëgjoja audion, pothuajse besova se isha unë. Sigurisht që ka disa gjëra reale këtu”.

Megjithatë, ai nuk e përsëriti mbështetjen e tij për Putinin. Akhmedov ende nuk ka komentuar.

Figura të opozitës ruse i kanë kërkuar Prigozhinit të largohet nga vendi për sigurinë e tij, por vëzhguesit e Kremlinit nuk presin që qeveria ta ndjekë atë sepse akuzat penale vetëm do të konfirmonin se biseda ishte e vërtetë dhe mbështetja publike për Putinin po zbehej.

Të ngjashme