Lajme
Rritje e frikshme e ankesave për tenderët publikë në OSHP në tri vitet e fundit
Demokracia
12:38 | 02 Janar 2024

Share:

Dhjetëra projekte të komunave apo nivelit qendror kanë mbetur të bllokuara në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), për shkak se ky institucion po vepron shumë ngadalë në shqyrtimin e ankesave, shkruan Demokracia.com.

OSHP është organ i pavarur administrativ, i cili është përgjegjës për adresimin e ankesave në prokurimin publik nga kompanitë e sektorit privat, të cilat kanë dorëzuar oferta në përgjigje të tenderëve të prokurimit. Kur një operator ekonomik parashtron një ankesë në formë të shkruar lidhur me vendimin e marrë nga autoriteti kontraktues, OShP-ja ka mandat të shqyrtojë pretendimet ankimore. Procesi i shqyrtimit kryhet brenda afateve të përcaktuara me ligj për të siguruar zgjidhje në kohë. Por, kjo nuk po ndodh ose po ndodh duke tejkaluar të gjitha afatet kohore. Pas përfundimit të shqyrtimit, OShP nxjerrë një vendim me shkrim që adreson ankesën specifike (pretendimin e palës) dhe aktivitetin shoqërues të prokurimit.

Demokracia.com ka arritur të nxjerrë disa të dhëna që kanë të bëjnë më ankesat e vitit të kaluar që janë drejtuar ndaj institucioneve publike nga kompanitë private.

Në këto të dhëna vërehet që janë mbi 200 ankesa që akoma nuk kanë marrë përgjigje nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Por, ajo që bie në sy është se në tri vitet e fundit 2020-2023 është rritur dukshëm numri i kompanive të pakënaqura me institucionet publike.

Statistikat e nxjerra nga Demokracia.com, tregojnë se në vitin 2023 në OSHP janë deponuar 1089 ankesa ndaj institucioneve nga kompanitë garuese në tenderë publikë.

Në vitin 2022 janë parashtruar 1280 ankesa.

Në vitin 2021 janë 940 ankesa.

Në vitin 2020 janë parashtruar 1196 ankesa.

Në vitin 2019, 905 ankesa.

Në vitin 2018 janë parashtruar 464 ankesa.

Në vitin 2017, 156 ankesa.

Në vitin 2023, 43.8 për qind ose 477 ankesa kanë të bëjnë me tenderët e vlerës së madhe, 50.69 për qind ose 552 ankesa kanë të bëjnë më tenderët e vlerës së mesme, ndërsa vetëm 5.51 e ankesave kanë të bëjnë më tenderët e vlerës së vogël.

Komuna Prishtinës e kapërcen KEK-un

Tradicionalisht, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka qenë në krye të listës si Autoriteti Kontraktues me më së shumti ankesa drejtuar atij. Në muajt e fundit të vitit 2023, Komuna e Prishtinës e ka kapërcyer këtë ndërmarrje publike.

Prishtina e ka mbyllur vitin me 93 ankesa. KEK-u me 68 ankesa. Pastaj vjen Komuna e Prizrenit me 53 ankesa, Policia e Kosovës me 49 ankesa, Ministria e Punëve të Brendshme me 41, Komuna e Gjakovës me 34 ankesa, Podujeva me 30, Gjilani me 29, etj. Në total gjatë viteve të fundit, KEK-u prin për numrin e ankesave drejtuar atij, me 438, ndërsa në vendin e dytë është Prishtina me 298 ankesa.

Pesë kompanitë që kanë bërë më së shumti ankesa në vitin e kaluar drejtuar institucioneve kanë qenë: AS Tech Sh.p.k me 18 ankesa, Infinitt SH.P.K. me 16 ankesa, Nika ProIng SH.P.K. me 15 ankesa, Albkos Safety Sh.p.k. me 14 ankesa dhe Pro Medical SH.P.K., 14 ankesa.

Nga 2017 e deri më tani janë ushtruar ankesa për 5094 aktivitete të prokurimit. Vlera e parashikuar e kontratave ka qenë 2,658,637,195.07 euro.

OSHP-ja nuk i ka nxjerrë të dhënat se sa është vlera monetare e krejt tenderëve, bazuar në ankesat që janë parashtruar vetëm në vitin 2023. Por, Demokracia.com ka gjetur se nga 2017 deri në fund të vitit 2023, prin Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për vlerën e parashikuar të kontratave. Meqenëse ky institucion ka buxhetin më të madh, vlera monetare e tenderëve ndaj të cilëve është ushtruar ankesë nga 2017 deri më tani është 504 milionë euro. Në vendin e dytë është KEK-u me 272 milionë euro, Agjencia Qendrore e Prokurimit me 218 milionë euro, Ministria e Shëndetësisë me 204 milionë euro, SSHKUK me 155 milionë euro, etj.

Vendimet e OShP-së janë obligative për të gjitha autoritetet kontraktuese që marrin pjesë në procedura të prokurimit. Këtu përfshihen ministritë, komunat, ndërmarrjet publike dhe çdo institucion tjetër, i cili kryen këto procedura. Pasi OShP-ja nxjerr një vendim, palët kontraktuese duhet ta respektojnë/pranojnë atë menjëherë. Nëse një palë nuk pajtohet me vendimin e OShP-së, ata mund t’i drejtohen gjykatës për rishqyrtim. Megjithatë, është e rëndësishme të kuptohet se ekzekutimi i vendimeve të OShP-së nuk shtyhet përgjatë procesit të shqyrtimit nga gjykata. Gjithashtu, palët e pakënaqura e kanë të drejtën të kërkojnë dëmin apo fitimin e humbur, siç e parasheh edhe Ligji për Prokurimin Publik (LPP), neni 1191.

Për dallim nga procedura e ankesës në gjykatë, ku pavarësisht ankesës së operatorit ekonomik, ekzekutimi i vendimit nuk pezullohet, procesi i ankesës së OShP-së çon në pezullimin e të gjitha aktiviteteve të prokurimit deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. Si pasojë, shumë aktivitete të rëndësishme në prokurim publik mbesin të bllokuara deri në marrjen e një vendimi në OShP.

Vonesat e shkaktuara nga ankesat mund të rezultojnë në shtyrje të konsiderueshme të investimeve kapitale, duke ndikuar në projekte me vlerë të konsiderueshme për muaj të tërë./Demokracia.com/

Të ngjashme