Lajme
Rritja edhe njëherë e çmimit të rrymës, bankroton shumicën absolute të kosovarëve
Demokracia
15:08 | 26 Korrik 2022

Share:

Kërkesa e KESCO-s e bërë publike javën që shkoi për “shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike”, që i bie kërkesë për ngritjen edhe më tej të çmimeve të energjisë elektrike në Kosovë, në opinion dhe sidomos ndër konsumatorët e varfër dhe të skamur financiarisht kosovarë, shkaktoi “tërmet” të pakënaqësive, zhgënjim të ri të pasosur dhe shqetësim real se çka do bëhet me ta, si do t’ia dalin të jetojnë në këto rrethana të varfërisë dhe si është e mundur që askush nga shteti dhe pushteti mos ta ketë fare vëmendjen për këtë çështje kaq të ndjeshme dhe kaq me ndikim në stabilitetin e vendit.

Javën që shkoi Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE-ja famoze) ka plasuar një informacion se furnizuesi i energjisë elektrike në Kosovë, KESCO-ja monopoliste nga Turqia, “ka paraqitur kërkesë zyrtare pranë këtij institucioni për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike”, duke e pasur si pretekst gjoja mospagesën e subvencionimit nga Qeveria siç ishte zotuar.

Ky informacion në opinion dhe sidomos ndër konsumatorët e varfër dhe të skamur financiarisht kosovarë, shkaktoi “tërmet” të pakënaqësive, zhgënjim të ri të pasosur dhe shqetësim real se çka do bëhet me ta, si do t’ia dalin të jetojnë në këto rrethana të varfërisë dhe si është e mundur që askush nga shteti dhe pushteti mos ta ketë fare vëmendjen te ta.

Ndërkohë, për njohësit e rrethanave dhe të afarizmit të KESCO-s turke, ndër ta edhe për Buletinin Ekonomik, kërkesa e re e furnizuesit monopolist të konsumit të Kosovës me rrymë, ka qenë në njëfarë mënyre e pritshme, dhe jo edhe aq befasuese dhe tronditëse siç u reflektua ndër konsumatorë. Sepse, që me rritjen e çmimit të energjisë mbi qind për qind në shkurt të këtij viti, sipas kërkesës të po këtij furnizuesi dhe me pranimin lehtësisht fare nga ZRRE-ja të kërkesave të furnizuesit që ka monopol të padiskutueshëm në këtë sektor, është tërhequr vërejtja se KESCO nuk do të ndalet me përcaktimin e çmimit të ri, enorm të lartë, por do të vazhdojë të shfrytëzojë situatën, të kërkojë vazhdimisht çmime të reja të ngritura deri në pafundësi. Dhe, ja kjo po ndodhë…

Ende pa u bë gjashtë muaj qëkur Kosova shumëfishoi çmimin e energjisë elektrike, sidomos për konsumatorët e amvisërisë, pra për ata absolutisht shumicë në Kosovë, erdhi kërkesa e re shumë e kamufluar, e fshehtë jo pak e pandershme për “shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike”, duke u arsyetuar gjoja se “një kërkesë e tillë është bërë pas trendit në rritje të çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike”.

Dhe, ZRRE-ja, tashmë e njohur për koncesione të papara ndaj distributorit me kërkesa të pandalura zhvatëse, dhe tejdukshëm monopoliste e diskutabile për njohësit e zhvillimeve në këtë sektor, ia kthen, sipas komunikatës se “brenda 20 ditëve punë presin, arsyetim nga FSHU-ja për këtë kërkesë, dhe se e njëjta do të shqyrtohet dhe pastaj do të hapet shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave me pakicë për konsumatorët”.

Duke vazhduar se “ZRrE do të shqyrtojë kërkesën e FSHU-së për të parë nëse tejkalohet pragu i materialitetit prej 5% i të hyrave të FSHU-së dhe plotësohen kushtet e Rregullës për të Hyrat e FSHU-së që të hapet Shqyrtimi i Jashtëzakonshëm i tarifave me pakicë për konsumatorët e rregulluar të energjisë elektrike”.

Sipas ZRrE-së, më 19 korrik 2022, Furnizuesi i energjisë elektrike, i ngarkuar me obligimin e shërbimit publik si Furnizues me Shërbim Universal (FShU/KESCO), ka paraqitur kërkesë zyrtare tek ZRrE-ja për hapjen e Shqyrtimit të jashtëzakonshëm të Të Hyrave të Lejuara Maksimale për FShU.

FShU, kërkesën e tij e mbështetë në operimin nën kosto, si rezultat i mungesës së subvencionit të zotuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe trendit në rritje të çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike.

Dhe, duhet theksuar tash e këtu, se kjo kërkesë e re e KESCO-s, është tentativë e re për të zhvatur kosovarët e varfër, për të rënduar edhe më tej gjendjen e skamur financiare të tyre, është e pandershme dhe kundër të gjitha ligjeve të vlefshme në ekonominë e tregut. Sepse Kosova, që nga Kriza e madhe, në njëfarë mënyre deri në javën e kaluar, me prodhimin e vet, pra me energjinë elektrike të prodhuar nga njësitë e Kosovës B dhe  A, ka plotësuar tërësisht nevojat e konsumit veror.

Dhe jo vetëm që ka plotësuar këto nevoja, por në këtë periudhë ka eksportuar më shumë energji elektrike se sa që ka importuar.

Sipas të dhënave të ASK-së, në muajin maj 2022, prodhimi bruto nga termocentralet e energjisë elektrike ishte 525.96GWh; prodhimi bruto nga hidrocentralet e energjisë elektrike ishte 16.88 GWh; dhe prodhimi bruto nga era dhe ajo solare i energjisë elektrike ishte 18.81 GWh.

Edhe në muajt para majit dhe në qershor pak a shumë eksporti dhe importi i rrymës ka qenë i ngjashëm me muajin maj. Sepse, preteksti se mospagesa e subvencioneve të premtuara nga Qeveria qenka një nga shkaqet e kërkesës për të ngritur çmimet ende pa u bë 6 muaj nga çmimet enorme të ngritura, nuk qëndron ngase KESCO e di që paratë e zotuara nga Qeveria e Kosovës do t’i ketë, madje shpejtë.

Prandaj, pse gjithë ky premtim i ZRRE-së ndaj distributorit monopolist, pse bëhet kaq zemërgjerë ZRRE-ja me paratë e taksapaguesve të varfër të Kosovës? Pse, pra, nuk ia thotë shkurt dhe shqip KESCO-s, ndalo se kërkesa për çmime të reja të rrymës në Kosovë nuk ka asnjë bazë të ligjshme ekonomike dhe asnjë logjikë afariste dhe pse nuk ia bënë të qartë se këtë shantazh dhe të këtilla shantazhe nuk do të pranojnë më, në asnjë moment dhe në asnjë çast?

Edhe ashtu, çmimet e energjisë elektrike në Kosovë, të ngritura mbi 100 për qind përnjëherë dhe nëpërmjet aplikimit të jashtëligjshëm të bllok tarifave të rikthyera, të ngritura edhe disa herë, janë çmime enorme të larta edhe për rrethanat evropiane të ecurive të çmimeve në këtë sektor. Ndërkohë, çmimi tjetër, që kosovarët e paguajnë tashmë për dhjetëra vite, si banorë rezidentë dhe pronarë të ligjshëm të thëngjillit që eksploatohet nga tokat e tyre dhe nga ndotja dhe degradimi me pasoja enorme të ambientit, është i pamatë dhe i pavlerësuar asnjëherë as nga ZRrE-ja e as nga zyrtarët e tjerë.

KESCO, ZRRE, KOSTT-i e KEK-u, duhet ta kenë të qartë, në mos e kanë pasur deri tash këtë qartësi, se Kosova vazhdon të jetë njëra ndër vendet me ambientin më të ndotur dhe të degraduar, si rrjedhojë në radhë të parë e prodhimit të pjesës dërmuese të energjisë elektrike nga qymyri për dekada me radhë (aktualisht mbi 90 për qind e megavatëve te energjisë elektrike janë nga prodhimi në bazë të thëngjillit).

Këto subjekte që në njëfarë mënyre kërkojnë bashkarisht çmime të reja të rrymës në Kosovë, duhet të jenë të informuara për të dhënat e bëra publike nga individë ambientalistë dhe dashamirës të natyrës së pastër, por edhe ca të shifrave sporadike që vijnë nga institucione të ndryshme dhe nga shoqëria civile, që flasin se Kosova ka nivel alarmant ndotjeje, dimrit dhe verës, në vendbanimet urbane dhe rurale, në tokë dhe në ujëra, por edhe pasoja të përmasave alarmuese të ndotjes në shëndetin e kosovarëve.

Duhet të jenë të njoftuar për alarmin që kohë më parë Luan Shllaku, një ambientalist i thekur i këtij vendi, dha në një televizion të vendit, duke njoftuar se rreth 470 vdekje ndodhin brenda një viti nga sëmundjet që shkaktohen si pasojë e ndotjes nga termocentralet Kosova A dhe B.

Mbase KESCO, ZRRE, KOSTT dhe KEK-u nuk i kanë qitur në harresë të dhënat edhe më alarmuese të një raporti të vitit 2019 të Bankës Botërore, ku thuhej saktësisht se ndotja e ajrit vret rreth 760 njerëz çdo vit në Kosovë.

“Komuna e Obiliqit ka rreth 30 për qind më shumë pacientë me sëmundje kronike të frymëmarrjes dhe 30 për qind më shumë raste të tumoreve malinje (kanceri) sesa pjesët tjera të Kosovës si pasojë e ndotjes së mjedisit”, kanë konstatuar mjekët vendas.

Sipas të dhënave të Balkan Green Foundation, “njerëzit që jetojnë në zona të kontaminuara (lexo: njerëzit që jetojnë rreth e qark kompleksit elektroenergjetik të Kosovës) humbasin rreth pesë vjet jetë për shkak të ndotjes së ajrit”.

Sipas ambientalistëve, kostoja aktuale e energjisë elektrike në Kosovë është shumë më e lartë, kur merren parasysh efektet në shëndetin publik të termocentraleve të vjetruara. Prandaj, njohësit e zhvillimeve energjetike dhe ekspertët gjithmonë kanë ngritur zërin, kanë alarmuar në sinkroni me njëri-tjetrin se “kosovarët kurrë nuk e paguajnë lirë koston e energjisë elektrike, as më së liri në rajon”. Përkundrazi. Sipas tyre, e paguajnë shumë shtrenjtë këtë kosto, dhe që nuk matet me para.

Shëndeti i rrënuar i qindra mijëra kosovarëve rreth e qark teromocentraleve dhe minierave sipërfaqësore dhe sëmundjet kronike të qindra mijëra kosovarëve, të fituara nga ndotja e ambientit dhe degradimi i natyrës për të prodhuar energji elektrike, është çmimi që paguajnë kosovarët e që nuk kompenzohet dot, as nga importi i KEDS-it as nga Qeveria, as nga ZRRE-ja. Ky është çmimi i vërtetë, ai reali, që paguajnë kosovarët për energjinë elektrike.

Ndërsa, rritja eventuale edhe njëherë e çmimit të rrymës, bankroton financiarisht dhe definitivisht shumicën absolute të banorëve të Kosovës, ç’rregullon paqen sociale në shtetin ende të brishtë të Kosovës dhe komprementon skajshëm dhe pandreçshëm autoritetin e pushtetit aktual të vendit.

Ndërkohë, për krizat energjetike të paralajmëruara dhe të cilat ka gjasë të të jenë të pashmangshme edhe në dimrin që po vjen, fajtorët duhet kërkuar ndër këto katër subjekte përgjegjëse për ta furnizuar Kosovën me energji elektrike.

Pse këto subjekte rrinë duarkryq dhe presin të shtatëfishohet çmimi i rrymës, dhe pse presin të përkeqësohet edhe më tej situata energjetike, pa ndërmarrë asnjë hap e asnjë veprim të vetëm. Nuk mund të fajësohet situata globale as konsumatori kosovar. Subjektet e lartpërmendura, pra KESCO, ZRRE, KOSTT dhe KEK, janë ato që duhet siguruar energjinë elektrike të nevojshme për konsumin e Kosovës dhe me çmime reale. Ndërsa, konsumatori i mbingarkuar me kosto të papërballueshme edhe të deritashme duhet të paguajë vetëm çmimet reale. Shantazhet, kërkesat zhvatëse dhe shfrytëzimi i situatave të krizës në asnjë mënyrë nuk duhet jenë të pranueshme as nga institucionet, as nga qytetarët.

Ndërsa, tentativa më e re e KESCO-së për “shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike”, që ndryshe është kërkesë për ngritje të reja të çmimeve të energjisë elektrike, është shantazhuese, zhvatëse dhe tentim për të rishfrytëzuar situatën e krizës energjetike në botë. 

Të ngjashme