Lajme
Rritja e tatimit në pronë| Ministria e Financave bëri vlerësimin e pronave, jo komunat (DOKUMENT)
Demokracia
21:37 | 24 Janar 2023

Share:

Vlerësimi i ri i pronave të paluajtshme nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka ndikuar që të ngritët shkalla e tatimit në pronë.

Demokracia.com ka siguruar dokumentin e Ministrisë së Financave në të cilin shihet se vlerësimi i pronave në Prishtinë është bërë nga ky dikaster e jo nga Komuna e Prishtinës.

Në vendimin e protokolluar më 31 tetor të vitit të kaluar, i cili i është dërguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, specifikohet ndryshimi i vlerësimit të pronës.

Ndërsa Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se ky dikaster bazuar në Ligjin për Tatim në Pronë, obligohet që në baza të rregullta të bëjë vlerësimin e pronave të paluajtshme, ndërsa shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat.

“Departamenti i Tatimit në Pronë, në kuadër të MFPT, përgjatë vitit 2022 ka kryer vlerësimin e përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, si dhe ka përpiluar raporte të vlerësimit për prona rezidenciale më datë 31.10.2022, për të cilat janë njoftuar të gjitha Komunat. Përgjatë vlerësimit të pronave rezidenciale, Departamenti i Tatimit në Pronë ka bashkëpunuar ngushtë me komunat për të përcaktuar çmimin për m2 për objekte dhe toka.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Kujtojmë se vendimi për ngritjen e çmimit të tatimit në pronë, ka sjell përplasje dhe paqartësi ndërmjet Ministrisë së Financave (MF), Asociacionit të Komunave të Kosovë (AKK) dhe opozitës.

Dhjetëra qytetarë nga gjithë vendi kanë reaguar, duke mos u pajtuar me këtë vendim./Demokracia.com/

 

Të ngjashme