Lajme
Rritja e tatimit në paga, njohësi i ekonomisë: Mirë për qeverinë, keq dhe varfri për qytetarët
Demokracia
17:47 | 12 Prill 2022

Share:

Qeveria e Kosovës po planifikon ndryshimin e Politikave Tatimore. Në koncept-dokumentin e përgatitur nga Ministria e Financave, janë propozuar dy variante për normat e tatimit në pagë.

Njohë të ekonomisë po e shohin tatimin e pagës të pajustifikueshëm dhe papranueshëm.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, në një prononcim për Demokracia.com  ka thënë se çështja e tatimit si instrument i politikës fiskale është kompetencë e qeverisë.

Por, ai konsideron se gjendja ekonomike në vend është e rënduar, kurse pagat nuk janë rritur që nga viti 2011 dhe për këtë, rritja e tatimit të pagës rëndon mbi qytetarët.

“Sido që të jetë unë nuk do të shoh në nivelin e përqindjes, por duke pasur parasysh një krizë që e ka kapluar qytetarin në Kosovës rreth ngritjes së çmimeve enorme, kurse pagat minimale kanë ngelur që nga viti 2011, është e paarsyeshme në aspektin social dhe ekonomik që të ngritët normat të tatimit në pagë”, ka thënë Limani për Demokracia.com

Limani konsideron se ndryshimi i normave tatimore në paga ulë fuqinë blerëse.

Sipas  profesorit Limanit rritja e tatimit në pagë është në të mirë të qeverisë sepse rrit të hyrat buxhetore.

“Tatimi paraqet një instrument të politikës fiskale, kurse politika fiskale qoftë instrumentet ose masat fiskale paraqesin burime të të hyrave buxhetore, prandaj interesi i qeverisë këtu me ngritjen e normës së tatimit në pagë do të thotë rrit të hyrat buxhetor”, tha Limani.

Musa Limani

Rritjen e tatimit e quan të pajustifikueshme në aspektin ekonomik dhe social.

“Në këtë situatë në të cilët gjendet Kosova me një krizë sociale do të thosha është e palogjikshme dhe të mos ngritët paga nominale, e në anën tjetër më i ngrit normat e tatimit është e pajustifikueshme dhe papranueshme në aspektin ekonomik dhe social”, tha tutje Limani për Demokracia.com.

Opsioni në përputhje me programin e Qeverisë parasheh rritje në përqindje të normave në krahasim me ato aktuale – por edhe ngritje të pragut të pagës që nuk preket nga tatimi.

Këto janë dy opsionet e propozuara nga Qeveria e Kosovës në Koncept Dokumentin për Rishikimin e Politikave Tatimore:

Opsioni 1:
–Të ardhurat e tatueshme deri në vlerën e 150 euro në muaj (1800€ në vit), të tatohen me normë prej 0%;– Të ardhurat e tatueshme nga 150 euro në muaj (1800€ në vit) deri në 250 euro në muaj (3000€ në vit) të tatohen me normë prej 4% të shumës mbi 150 euro (1800€);

– Të ardhurat e tatueshme nga 250 euro në muaj (3000€ në vit) deri në 450 euro në muaj (5400€ në vit) të tatohen me normë prej 10% të shumës mbi 250 euro (3000€);

–Të ardhurat e tatueshme nga 450 euro në muaj (5400€ në vit) deri në 650 euro në muaj (7800€ në vit) të tatohen me normë prej 12% të shumës mbi 450 euro (5400€);

– Të ardhurat e tatueshme mbi 650 euro në muaj (7800€ në vit) të tatohen me 15% të shumes mbi 650 euro (7800€).

Opsioni 2:
Duke pas për bazë programin e Qeverisë dhe reformave të përfshira në program, ky opsion e merr për bazë ngritjen e pragut të pagës minimale në 250 euro.Fillimisht, ky opsion përfshin këto norma tatimore:

–Të ardhurat e tatueshme deri në vlerën e pagës 250 euro në muaj (3000€ në vit) të tatohen me normë prej 0%;– Të ardhurat e tatueshme nga 250 euro në muaj (3000€ në vit) deri në 450 euro në muaj (5400€ në vit) të tatohen me normë prej 10% të shumës mbi 250 euro në muaj;

– Të ardhurat e tatueshme nga 450 euro në muaj (5400€ në vit) deri në 650 euro në muaj (7800€ në vit) të tatohen me normë prej 12% të shumës mbi 450 euro në muaj;– Të ardhurat e tatueshme mbi 650 euro në muaj (7800€ në vit) të tatohen me normë prej 15% të shumës mbi 650 euro në muaj;

“Në aspektin e të hyrave, opsioni i dytë është pozitiv. Kjo politikë do të rezultonte me rritje të të hyrave për rreth 3.2%, adresim të mungesës së progresivitetit, dhe kontribuim më të barabartë, bazuar në kapacitetet kontribut-dhënëse”, thuhet në këtë dokument. /Demokracia.com/

Të ngjashme