Lajme
Rritja e së djathtës së ashpër kërcënon qëndrueshmërinë politike të Europës
Demokracia
11:09 | 15 Qershor 2024

Share:

Votuesit amerikanë shpesh pyeten nga politikanët nëse janë më mirë tani se katër vite më parë. Homologët e tyre europianë, ndërsa hodhën votat për zgjedhjet parlamentare europiane, ndoshta nuk reflektuan sesi kanë qenë gjërat herën e fundit kur iu drejtuan qendrave të votimit pesë vite më parë.

Bashkimi Europian ka pasur gjysmë dekadë kohë për të harruar gjithë ato që kanë ndodhur. Tetë muaj pas votimit të zgjedhjeve europiane në maj 2019, blloku humbi zyrtarisht një shtet anëtar, për herë të parë në historinë e tij gjashtëdekadëshe, me largimin e Mbretërisë së Bashkuar.

Disa javë më vonë, goditi Covid-19. Pasi doli nga karantina, kontinenti u përball me fillimin e luftës në Ukrainë dhe krizën energjetike që e rrafshoi ekonominë e bllokut europian, duke çuar në rritjen e popullaritetit të partive ksenofobe.

Ata që mendojnë se gjërat mund të përmirësohen, mund të mbeten të zhgënjyer. Është e vërtetë se Brexit i përket tashmë së kaluarës, çmimet e energjisë janë ulur dhe pandemia ka mbetur si një kujtim i turbullt.

Por lufta në Ukrainë vazhdon dhe e djathta e fortë e Marine Le Pen në Francë apo e Viktor Orban në Hungari, po fiton gjithnjë e më shumë terren. Si për t’i përkeqësuar gjërat edhe më tepër, rezultati i zgjedhjeve erdhi në një periudhë të trazuar politike dhe tregoi një rritje të forcave të djathta ekstreme.

Në rastin më të mirë, 27 udhëheqësit e shteteve anëtare të bllokut, si dhe institucionet qendrore të BE-së do të kalojnë me muaj të tërë duke u marrë me operacionet e brendshme të bllokut, si për shembull, me vendimet se kujt do t’i jepet cili post në Bruksel.

Në rastin më të keq, grindjet rreth posteve të ardhshme të BE-së mund të zgjasin edhe pas përfundimit të vitit, duke lënë një boshllëk politik, në një kohë kur nga ana tjetër e Atlantikut, ka shumë mundësi që Trump të zgjidhet president në zgjedhjet e ardhshme.

Sado e largët që mund t’i duket BE-ja një votuesi të zakonshëm europian, në fakt, ajo çka ndodh në Bruksel, është e rëndësishme: qasja e bllokut ndaj politikës industriale, mbrojtjes, mjedisit dhe shumë politika të tjera, vendosen atje.

Dhe nëse bllokut i mungon një udhëheqje e qartë, ndikimin nuk do ta ndiejnë vetëm 450 milionë qytetarët e tij. Ukraina ende varet nga aleatët e saj europianë për ndihma dhe armë dhe Vladimir Putin do të ishte më i kënaqur se kushdo tjetër, nëse BE-ja do të ngecte në një ngërç politik.

Dhe kushdo që të fitojë Shtëpinë e Bardhë në nëntor, Europa është tani blloku i vetëm global që po mbështet ende rregullat e tregtisë së lirë, në një kohë kur Kina dhe Amerika i kanë braktisur ato.

Nëse BE-ja heq dorë nga ambiciet për eliminimin e emetimeve të karbonit, siç kërkojnë përgjithësisht populistët e Europës, pjesës tjetër të botës do t’i dërgohej një sinjal i tmerrshëm.

Ironia është se nga këto zgjedhje varen shumë gjëra, e megjithatë, europianët kanë prirjen që t’i shpërfillin ato. Pjesëmarrja në votimin e Parlamentit Europian është shumë më e ulët se pjesëmarrja në zgjedhjet kombëtare.

Shumicës së europianëve nuk i intereson që të ndjekin punën e 720 parlamentarëve europianë që do të nisin detyrën e re në korrik.

Sidoqoftë, zgjedhjet europiane do të kenë dy pasoja të rënda politike. Së pari, do të vendoset nëse presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, do të marrë një mandat tjetër pesëvjeçar.

Rreziku i dytë ka të bëjë me politikanët e vendeve europiane, disa prej të cilëve pësuan disfatë të madhe elektorale më 10 qershor. Të dyja këto zhvillime mund ta çojnë në një ngërç politikën europiane.

Vëmendja e menjëhershme do të përqendrohet në atë që ndodh në Bruksel. Udhëheqësit e BE-së do të mbajnë një samit ku do të vendosin se kush do të udhëheqë institucionet e bllokut, veçanërisht Komisionin Europian. Zonja Von der Leyen ka ndihmuar në krijimin e disa prej politikave kryesore të kontinentit.

Mbështetja e saj e palëkundur për Ukrainën ka qenë me rëndësi jetike. Ishte Komisioni Europian ai që e shtyu Europën të ndiqte synimet për eliminimin e emetimeve të karbonit deri në vitin 2050.

Zonja Von der Leyen ka përcaktuar natyrën e marrëdhënieve të kontinentit me Kinën, sipas parimit: të mos ta lëmë veten në varësi të Kinës, por njëkohësisht të mos shkëputemi fare nga importet e saj, siç parapëlqen Amerika.

Sidoqoftë, e ardhmja e saj nuk është e garantuar. Për të marrë një mandat të dytë, zonja Von der Leyen duhet të emërohet nga udhëheqësit e BE-së, më pas të miratohet nga shumica e deputetëve të rinj europianë.

Si “kandidatja kryesore” për Partinë Popullore Europiane të qendrës së djathtë (EPP), ajo kryeson në sondazhe.

Megjithatë, traktatet e bllokut përcaktojnë se udhëheqësit duhet të marrin parasysh rezultatet e zgjedhjeve kur emërojnë një shef komisioni. Kështu që nuk vlen shumë fakti se ajo është e parapëlqyera e udhëheqësve europianë.

 

Ngecur në baltë

Shumica e udhëheqësve të shteteve anëtare të bllokut, e pëlqejnë zonjën Von der Leyen, e cila ka qenë ministre gjermane e Mbrojtjes. Por çdo president, kancelar apo kryeministër, ka prioritete të veçanta që mund të bien ndesh me fqinjët europianë.

Çdo shtet ka portofolin e vet, qoftë në lidhje me mbikëqyrjen e rregullave të tregtisë, zgjerimin apo ekonominë e bllokut.

Mënyra e operimit e udhëheqësve europianë nuk është shumë e parashikueshme, por ka gjasa që presidentja e tanishme e komisionit, të marrë një mandat tjetër, në një nga dy samitet që do të mbahen në qershor.

Nuk pritet ecuri e qetë në Parlamentin Europian, sepse të paktën gjysma e deputetëve të tij, duhet të mbështesin kandidatin e propozuar nga udhëheqësit e BE-së. Për të siguruar mandatin e parë pesë vite më parë, Von der Leyen-it i mjaftoi një koalicion i liberalëve, socialistëve dhe partisë së saj.

Por që atëherë, ky grup ka humbur terren ndaj populistëve (shih grafikun), të cilët ndahen në dy grupe kryesore: Identiteti dhe Demokracia (ID), dhe Konservatorët dhe Reformistët Europianë, një grup më i moderuar.

E djathta e ashpër, që dikur ishte thjesht një forcë opozitare, tani përfshin edhe udhëheqës shtetesh, si Giorgia Meloni, kryeministrja e Italisë.

 

 

Partitë e qendrës fituan shumicën e vendeve në zgjedhjet katër-ditore, por zhvendosja djathtas mund ta bëjë më të vështirë miratimin e legjislacionit të ri për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë, ndryshimeve klimatike ose konkurrencës industriale nga Kina dhe SHBA.

Von der Leyen, presidentja gjermane e organit të fuqishëm ekzekutiv të Bashkimit Evropian, doli mѱ e fortë nga zgjedhjet në 27 vende, pasi Partia e saj e qendrës së djathtë Popullore Evropiane (EPP) fitoi më shumë vende.

Por për të siguruar një mandat të dytë pesëvjeçar, von der Leyen ka nevojë për mbështetjen e shumicës së liderëve kombëtarë të BE-së dhe një shumicë funksionale në Parlamentin Europian.

Këto rrethana e kanë shtyrë zonjën Von der Leyen që të lidhë një aleancë me partinë e zonjës Meloni, pjesë e grupit më të butë brenda së djathtës së ashpër. Por, si liberalët ashtu edhe socialistët, thonë se ngurrojnë të bashkohen me një aleancë të tillë.

Duke pasur parasysh edhe tensionet që kanë shpërthyer brenda vetë grupit të partive të djathta të rrepta, si më 23 maj, kur partia gjermane AfD u përjashtua nga aleanca për shkak të një skandali, mund të themi se në të ardhmen e afërt, pritet një riorganizim i aleancave të BE-së.

Në Ukrainë vazhdon lufta, ekonomia e kontinentit europian po mbetet mbrapa rivalëve globalë, duhet financuar tranzicioni i gjelbër, dhe shumë shtete, përfshirë Francën, dëshirojnë të ndryshojnë rrënjësisht buxhetin e BE-së.

Polonia dhe Greqia kanë këshilluar si pjesë të buxhetit një mbrojtje të kushtueshme me raketa për gjithë Europën, që mund të financohet nga paratë e huazuara bashkërisht, siç ndodhi me fondin e rimëkëmbjes nga pandemia.

Gjermania dhe Holanda, koalicioni i ardhshëm i të cilave përfshin të djathtën e ashpër, nuk e pëlqejnë këtë ide.

Mosmarrëveshje të tjera përfshijnë nevojën për të reformuar rregullat e BE-së për hyrjen e anëtarëve të rinj, përfshirë Ukrainën, dhe një grindje tregtare me Kinën për makinat elektrike.

Mosmarrëveshje të tilla janë mjaft të vështira për t’u ndërmjetësuar edhe me një komision plotësisht funksional në Bruksel. Pa një të tillë, ato mund të jenë dërrmuese. Akoma edhe më keq, një Bruksel pa timon do të ndikonte negativisht edhe në disa shtete anëtare.

Në Francë, partia e Emmanuel Macron përfundoi e dyta në zgjedhjet europiane, duke detyruar shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme nga presidenti.

Kjo pritet të forcojë opozitën në Parlamentin e Francës, ku qeveria në pakicë, ka pasur vështirësi të miratojë disa vota të rëndësishme. Presidenti Macron, që është një figurë kryesore për integrimin në BE, do të dobësohej politikisht në Francë, dhe si pasojë, edhe në Europë.

E njëjta gjë vlen edhe për Gjermaninë. Partia e së djathtës së ashpër AfD, fitoi një numër rekord votash, duke i dhënë një goditje të ashpër koalicionit qeverisës trepartiak të kancelarit Olaf Scholz në Gjermani dhe një shenjë të ndryshimit politik djathtas në të gjithë kontinentin.

Ky rezultat mund të prishë baraspeshën e brishtë që është vendosur në politikën gjermane.

Së shpejti, gjithë vëmendja e Gjermanisë do të përqendrohet në zgjedhjet kombëtare në vitin 2025. Kjo e bën edhe më të vështirë që politikanët në Berlin të pajtohen me nismat e mëdha të BE-së që kërkon Macron.

Macron dhe Scholz së fundmi u përpoqën të tregonin se ishin të bashkuar dhe presidenti francez kreu një vizitë shtetërore në Gjermani. Ndonëse marrëdhënia jetike franko-gjermane mbetet e ngrirë, dyshja po bën përpjekje të mëdha për të ecur përpara në pikat ku pajtohen.

Por nuk kanë shumë kohë për të realizuar shumë synime. Sepse, do të duhen me muaj të tërë, vetëm për të vendosur se kush dhe si duhet ta drejtojë Europën.

Të ngjashme