Lajme
Rritja e rasteve me Covid-19 në Kosovë, paralajmërohet vendosje e masave
Demokracia
23:00 | 26 Qershor 2022

Share:

Që nga viti 2020, “COVID-19” apo koronavirus vazhdon të jetë një prej shqetësimeve të mëdha tek njerëzit.

Anipse në Kosovë rastet e para u konfirmuan më vonë se në vendet e tjera,shumë njerëz humbën jetën si shkak i këtij virusi.

Jetë të humbura, probleme të shumta shëndetësore e dëme në ekonomi e zhvillim u shkaktuan pikërisht që nga marsi i vitit 2020.

Ani pse kanë kaluar më tepër se dy vite, situata me këtë virus ende nuk është lënë në harresë komplete.

Tash e ca muaj numri i rasteve me koronavirus kishte shënuar një rënie të dukshme. E gjithë kjo falë vaksinimit të qytetarëve, por edhe uljes së rasteve në nivel botëror.

Kësisoj institucionet e vendit morën vendime që të hiqeshin masat antiCOVID, e jetë më në fund të vazhdonte si dikur, por njëkohësisht duke mos lënë anash vendosjen e maskës në shumë raste dhe pastrimin e duarve në mënyrë të vazhdueshme.

Në rregullat elementare që s’duhej lënë anash pavarësisht zbutjes së masave antiCOVID, ishte edhe mbajtja e distancës.

Por edhe pse rastet ranë deri në 0, gjatë këtyre javëve në Kosovë, Shqipëri, por edhe më gjerë është vërejtur sërish një ndryshim sa i përket përballjes me koronavirus.

Numri i rasteve aktive është rritur dukshëm, kurse nga Instituti Shëndetësorë Publik i Kosovës kanë bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes të shtuar.

E lidhur me këtë çështje, ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifi ka deklaruar se ka mundësi edhe që të bëhet kthimi i masave antiCOVID.

Madje ai tha se së shpejti do të takohet me Komitetin për Koordinim dhe vlerësim të situatës epidemiologjike për të diskutuar për masat e nevojshme që duhet marr.

“Jam i shqetësuar për atë shkak, kjo nuk është vetëm në Kosovë, është në gjithë botën duke ngjarë. Është mirë që janë rastet më të buta nuk kemi vdekje tash e disa kohë, por megjithatë unë jam i shqetësuar. Komiteti për masat e duhura do të takohet shumë shpejt dhe ne jemi duke menduar me i marr masat e duhura konform gjithë vendeve të kontinentit të Evropës dhe të gjithë botës”, deklaroi Latifi.

Ai iu bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen, teksa paralajmëroi se shumë shpejt në Kosovë do të nis edhe administrimi i dozës së katërt të vaksinës antiCOVID.

Ndryshe në 24 orët e fundit në vend janë konfirmuar 52 raste të reja të të infektuarve me koronavirus, derisa numri i përgjithshëm i rasteve aktive është 250.

Në Kosovë gjithsej janë administruar 1.830.405 doza të vaksinës antiCOVID.

Kurse doza të treta, apo përforcuese janë dhënë vetëm 103.145.

E nga njohësit e Ekonomisë është theksuar se pavarësisht rrezikut nga COVID-19, një mbyllje e sërishme apo një vendosje e masave të reja anti-COVID do të dëmtonte shumë ekonominë dhe zhvillimin në vend duke pasur parasysh kohën e gjatë nëpër të cilën është kaluar me vendim të tilla./Lajmi.net/

Të ngjashme