Lajme
Që nga paslufta ndodhën 1406 vrasje, flasin sociologët dhe psikologët
Demokracia
23:37 | 30 Maj 2022

Share:

Rritja e numrit të vrasjeve, posaçërisht sikurse kjo në Ferizaj, padyshim se krijon frikë dhe pasiguri te qytetarët. Rastet e shumta të raportuara kohët e fundit tregojnë që kemi rritje të konflikteve që përfundojnë me fatalitet.

Me rritjen e numrit të vrasjeve po krijohet një ambient i pasigurt për qytetarët e Kosovës. Kjo pasiguri rritet edhe më shumë kur dorasit nuk dënohen apo edhe rastet e tilla marrin vite të tëra deri në një vendim nga gjyqësori.

Lidhur me këtë çështje për Demokracia.com ka folur hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Leotrim Gashi.

Gashi ka deklaruar se institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë duhet të ngrisin alarmin për rritjen e efikasitetit në parandalimin e këtyre vrasjeve.

“Duke parë një situatë të tillë, institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë duhet që të ngrisin alarmin për rritjen e efikasitetit në parandalimin dhe luftimin e këtyre veprave të rënda. Padyshim se një nga arsyet më të shpeshta të vrasjeve është edhe posedimi i shumtë i armëve, kjo pasi qytetarët lehtësisht janë duke u pajisur me armë, të cilat i posedojnë pa autorizim, me përdorimin e të cilave më pas po merren shumë jetë njerëzish. Për këtë arsye, Policia e Kosovës duhet ta shtojë prezencën e saj, posaçërisht në qytete, që të mund të ndikojë në identifikimin e personave që mbajnë armë pa leje dhe dërgimin e tyre para institucioneve të drejtësisë”, ka deklaruar Gashi për Demokracia.com.

Mos parandalimi i krimeve është politika e butë ndëshkimore

“Një aspekt tjetër që ndikon jashtëzakonisht shumë në mos parandalimin e këtyre krimeve është edhe politika e butë ndëshkimore e gjykatave. Nga monitorimi i IKD-së që bënë tash e më shumë se tetë vite, ka parë që sanksionet për veprat e armëmbajtjeve pa leje janë shumë të ulëta, kryesisht dënime me kusht ose dënime me gjobë, që në asnjë mënyrë nuk ndikon që qytetarët e tjerë të kenë frikë se mund t’i pret ndonjë dënim i rëndë nga gjykata nëse mbajnë armë, por përkundrazi, dënimet e ulëta për këto raste, ndikojnë që të rritet numri i qytetarëve që potencialisht mund të mbajnë armë pa autorizim. Edhe pse për veprat penale të vrasjeve parashihen dënime të larta, në mesin e të cilave edhe dënimi me burgim të përjetshëm, fatkeqësisht edhe në trajtimin e këtyre rasteve, ashtu siç ndodh zakonisht, institucionet e drejtësisë përpos zvarritjeve të mëdha, ndaj kryerësve të këtyre veprave nuk përdorin një politikë të fortë ndëshkimore, që normalisht që do të ndikonte që të parandaloheshin edhe veprat e tjera të ngjashme”, ka thënë ai.

Gashi, gjithashtu, ka deklaruar se shumë vrasje kanë mbetur të pazbuluara gjatë fazës së hetimeve.

“Ka edhe shumë raste të tjera të vrasjeve të cilat kanë mbetur të pazbuluara për shkak të gabimeve gjatë fazës së hetimeve. Sipas një raporti të IKD-së të publikuar gjatë vitit të kaluar, nga viti 2000 e deri në janar të vitit 2021 kanë ndodhur 1,406 vrasje, nga të cilat në 445 vrasje institucionet e drejtësisë nuk kanë mundur të gjejnë autorët, që është një shifër shumë shqetësuese. Një qasje e tillë e trajtimit të këtyre krimeve, pa dyshim se ndikon që besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë, në gati të gjitha matjet e opinionit publik, të jetë ndër më të ulëtit nga të gjitha institucionet”, ka thënë për Demokracia.com hulumtuesi i IKD-së, Leotrim Gashi.

Në anën tjetër, psikologu Ylli Avdijaj për Demokracia.com ka deklaruar se faktorët që çojnë deri tek vrasjet janë mosmarrëveshjet, urrejtja, gjendjet afektive dhe probleme të tjera që lidhen me gjendjen psikike dhe emocionale.

“Rastet e vrasjeve në Kosovë me të vërtetë janë bërë dukuri shqetësuese në shoqërinë tonë. Faktorët të cilët çojnë deri në vrasje zakonisht mund të jenë për arsye të ndryshme si p.sh. konfliktet ndërpersonale, mosmarrëveshjet, urrejtja, gjendjet afektive dhe probleme të tjera që lidhen me gjendjen psiko-emocionale. Rritjes së vrasjeve dhe vetëvrasjeve i kontribuojnë shumë faktorë, si gjendja sociale, ekonomike, politike, pastaj gjendjet psiko-emocionale, traumat e ndryshme etj.”, ka deklaruar Avdijaj.

Se sa konsultohen kosovarët me psikologët për problemet e tyre, Avdijaj thotë se është shqetësues fakti se qytetarët ende kanë paragjykime ndaj profesionit të psikologut.

“Në shoqërinë tonë, çdo ditë e më shumë shohim se ka interesim për konsulta tek psikologu edhe pse akoma jemi në një gjendje stigmatizuese si shoqëri. Vërehen dukshëm paragjykimet që qytetarët akoma i kanë ndaj profesionit të psikologut”, ka deklaruar psikologu Avdijaj.

Ndërsa, sociologu Labinot Konushevci për Demokracia.com ka deklaruar se shumë faktorë çojnë në fenomenin e vrasjes dhe dhunës.

“Ka shumë faktorë që çojnë në fenomenin e vrasjes dhe dhunës, ndër to mungesa e edukimit kulturor, mungesa e aftësive, inteligjencës emocionale, frustrimi dhe temperamenti (defektet psiko-patologjike të personalitetit, mungesa e kontrollit shoqëror, efikasiteti i dobët i institucioneve të sigurisë, iluzionet mediale, ndikimi i kulturës brutale dhe vulgare muzikore, etj. Këto shkaqe tregojnë për një trend në rritje të dhunës dhe konflikteve të dhunshme mes të rinjve”, ka deklaruar sociologu Konushevci./Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme