OpEd
Rritja e ndihmës ushtarake për Ukrainës, kundërpërgjigja më efektive ndaj mobilizimit të Putinit
Demokracia
18:17 | 29 Shtator 2022

Share:

Nga Adrian Karatnycky, “Wall Stret Journal”

Javën e kaluar në mbarë Rusinë, dhjetëra mijëra burra u thirrën për stërvitje dhe shërbim ushtarak në luftën që Kremlini po zhvillon që nga shkurti kundër Ukrainës. Ata janë pjesë e një mobilizimi, që mund të përfshijë në luftë deri në 1 milionë trupa.

Kjo është kundërpërgjigja e Vladimir Putin ndaj sukseseve të javëve të fundit të ushtrisë ukrainase. Bazuar në vlerësimet e shumë ekspertëve ushtarakë, rekrutët e rinj do t’u nënshtrohen stërvitjeve, do të jenë të armatosur me pajisje të epokës sovjetike dhe do t’u mungojë shumë morali për t’u ndeshur në fushën e betejës.

Pas muajsh apo javësh, ata do të jenë kandidatët kryesorë për të qenë “mish për top”, një rol që deri më sot e kanë luajtur luftëtarët e mobilizuar nga rajonet më të varfra dhe më të largëta të Rusisë.

Shumica e viktimave të vijës së parë të frontit nga pala ruse deri më tani, kanë qenë luftëtarë të futur në shërbim nga rajoni i Donbasit të pushtuar nga Rusia, apo vullnetarë të rekrutuar nga radhët e shtresave më të varfra dhe më të lëna pas dore të Rusisë.

Shumë prej atyre vijnë nga minoritetet aziatike dhe siberiane ose janë mercenarë nga ushtritë private të Rusisë apo kriminelë të rekrutuar nga burgjet ruse. Tani ata do të zëvendësohen pjesërisht nga një grup i gjerë luftëtarësh nga Rusia Evropiane dhe nga zonat e saj më të begata metropolitane, si Moska, Shën Petersburgu, Jekaterinburgu dhe Rostov-mbi-Don.

Tashmë protestuesit rusë kanë dalë të shprehin kundërshtimin e tyre në rrugët e Moskës dhe qyteteve të tjera ruse. Disa zyra të rekrutimit ushtarak janë djegur, ndërsa njëra prej tyre është sulmuar nga një person i armatosur. Zemërimi dhe ankthi vetëm do të rriten kur burrat të vriten ose të kthehen të gjymtuar përgjithmonë për shkak të marrëzisë së Vladimir Putin. Mobilizimi nënkupton se tani lufta do të hyjë në shtëpitë e shumicës së rusëve, në një mënyrë që Putin e kishte shmangur deri më sot. Në këtë kontekst, përgjigja më e mirë ndaj hapit përshkallëzues të Putinit në këtë luftë, është rritja e ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën, duke përfshirë tanke, avionë luftarakë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi.

Kjo ndihmë duhet të ketë dy qëllime. Së pari, ta ndihmojë Ukrainën të rimarrë me shpejtësi territoret në Kherson dhe Donbas, përpara se të ndihen efektet e mobilizimit të Putinit, dhe para se Rusia të mundet të ndërmarrë një ofensivë të re.

Nëse Ukraina rimerr disa nga territoret e saj të pushtuara gjatë javëve të ardhshme, ajo do të jetë në gjendje të mbrojë pjesë më të mëdha të territorit të kontrolluar prej saj. Forcat ukrainase do t’i shkaktojnë armikut një kosto shumë më të madhe në njerëz dhe para, nëse në sulm është Rusia dhe jo Ukraina.

Si rregull, ofensivat ushtarake i shkaktojnë më shumë viktima sulmuesit, pasi ata veprojnë në një terren të hapur për të shënjestruar forcat mbrojtëse të mirë-përgatitura dhe të pozicionuara në një front të fortifikuar. Qëllimi i dytë është të ndryshojnë politikat e pamatura dhe shkatërruese të Putin, duke i nxitur qytetarët rusë të ngrihen në revoltë për t’i dhënë fund luftës së tij.

Mjerisht, mënyra e vetme për të arritur nxitjen e një lëvizje të tillë qytetare, është duke i shkaktuar humbje shumë të rënda gjithë shoqërisë ruse. Deri më sot, rusët e kanë mbështetur në përgjithësi agresionin e Putinit kundër Ukrainës, kryesisht për shkak se kostot, kaosi dhe shkatërrimi fshihen nga mediat e tyre të kontrolluara. Por shumë shpejt kjo gjë nuk do të jetë më e mundur.

Gjatë gjithë kësaj lufte, Vladimir Putin dhe ushtria ruse kanë gabuar. Ata gabuan kur besuan se shumë ukrainas do t’i mirëprisnin si çlirimtarë. Gabuan kur prisnin që forcat ukrainase të kapitullonin që në sulmin fillestar të Rusisë në shkurt. Ata i bënë llogaritë gabim kur menduan se Rusia kishte armë dhe aftësi ushtarake superiore, të cilat do të sillnin një zgjerim të ngadaltë por të pandalshëm të pushtimit të tyre.

Ata gabuan kur menduan se një Perëndim i përçarë do të përgjigjej me butësi dhe shumë dobët. Dhe gabuan kur menduan se do ta thyenin vullnetin e popullit ukrainas përmes përdhunimeve, torturave dhe sulmeve ndaj infrastrukturës civile.

Tani, duke e universalizuar luftën, Vladimir Putin ka kryer gabimin e tij më të madh. Ky është momenti për t’iu kundërpërgjigjur me një nivel të ri mbështetjes ushtarake ndaj Ukrainës, duke përfshirë një rritje të madhe të sasisë së sistemeve raketore sulmuese, raketave me rreze më të gjatë veprimi, tankeve, avionëve dhe sistemeve kundërajrore.

Një rritje e tillë me në krye SHBA-në jo vetëm që do ta forcojë më tej Ukrainën, por do të dërgojë valë tronditëse në të gjithë Rusinë, të cilat në fund mund të tronditin edhe vetë regjimin e Putinit, duke i dhënë fund agresionit dhe gjenocidit të tij.

Shënim: Adrian Karatnycky, anëtar i think-tankut “Atlantic Council”, dhe autor i librit më të fundit “Fushëbeteja e Ukrainës:Nga pavarësia tek pushtimi rus”.

Të ngjashme
OpEd • 23 Prill 2024