Lajme
Rritja e çmimeve thyen rekorde, inflacioni shkon në 14.2 për qind
Demokracia
15:06 | 12 Gusht 2022

Share:

Situata me rritjen e çmimeve është rënduar edhe më shumë në Kosovë. Gjatë muajit korrik, inflacioni ka shkuar si kurrë më parë, në 14.2 për qind. Produktet që janë shtrenjtuar më së shumti janë buka, drithërat, mishi, pemët dhe karburantet. Agjencia e Statistikave ka treguar se vetëm në muajin korrik çmimet janë rritur për 0.9 për qind krahasuar me muajin qershor.

Shtrenjtimi i produkteve ushqimore ka vazhduar ta rëndojë jetën e qytetarëve të Kosovës edhe gjatë këtyre muajve të ngrohtë të verës.

Norma vjetore e inflacionit, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tashmë ka thyer rekord duke shkuar në 14.2 për qind, raporton Demokracia.com.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 14.2 për qind në muajin korrik 2022, krahasuar me muajin korrik 2021. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë”, thuhet në raportin e ASK-së.

Agjencia ka treguar se vajra dhe yndyra ushqimore janë rritur për 54.1 për qind, lëndët djegëse për 43.5 për qind, bukë dhe drithëra për 32.1 për qind. Kurse, qumështi, djathi dhe vezët janë shtrenjtuar për  26.3 për qind.

“Vajra dhe yndyra ushqimore (54.1%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (44.1%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (43.5%); bukë dhe drithëra (32.1%); shërbime për transport (27.7%); gaz (26.8%); qumësht, djathë dhe vezë (26.3%); mish (21.8%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (19.1%); kafe, çaj dhe kakao (16.8%); prodhime të ndryshme ushqimore, salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë etj. (15.2%); shërbime hoteliere (14.6%); materiale për mirëmbajtjen dhe riparimin e banesës (12.2%); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (11.5%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (11.3%); shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (9.9%); pushime të organizuara (8.3%); perime (7.7%); kujdes personal (7.4%); pije alkoolike (7.1%); gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare (6.9%); gjërat personale (6.6%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (6.5%); pajisje shtëpiake (6.2%); pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal (6.2%); blerje e automjeteve (5.7%); mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (5.1%); duhan (4.7%); qelqurina, takëme dhe mjetet e kuzhinës (3.7%)”, ka treguar ASK.

Po ashtu, edhe inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë për 0.9 për qind në muajin korrik 2022.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0.9% në muajin korrik 2022, krahasuar me muajin qershor 2022. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pushime të organizuara (22.1%); shërbime për transport (9.4%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (7.4%); qumësht, djathë dhe vezë (4.8%); bukë dhe drithëra (3.9%); pemë (3.6%); pije alkoolike (3.5%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (2.6%); shërbime hoteliere (2.0%); mish (1.7%); qelqurina, takëme dhe mjetet e kuzhinës (1.1%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.5 për qind në IHÇK”, thuhet në raportin e ASK-së.

Ndërsa, sipas këtij raporti, rënia e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (-7.7%) dhe perime (-3.5%), me një ndikim prej (-0.6 për qind).

Agjencia e Statistikave kishte treguar se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022, me muajin qershor 2021, ishte 14,1 për qind.

“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1,4% në muajin qershor 2022. Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022, me muajin qershor 2021, ishte 14,1%”.

Sipas ASK-së, në muajin qershor ishin ngritur edhe çmimet e sheqerit, mjaltit, kafes, pijeve alkoolike dhe lëndëve djegëse të ngurta, dru zjarri, etj.

Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet të jetë rreth 460 euro.

Në sektorin privat, paga mesatare është rreth 380 euro, ndërsa në sektorin publik rreth 620 euro. Sindikalistë të sektorëve të ndryshëm në Kosovë kanë kërkuar disa herë rritje pagash.

Qeveria e Kosovës, në muajin prill ka miratuar projektligjin për rritjen e pagës minimale nga 130-170 euro, sa është aktualisht, në 250 euro neto. Po ashtu, ka qenë e paraparë që ky projektligj të dalë në votim në Kuvendin e Kosovës më 6 qershor, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së kuorumit.

Në prill, Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 milionë euro për kategori të ndryshme të shoqërisë, për t’i ndihmuar, siç është thënë, të përballojnë situatën e krijuar nga çmimet në rritje. /Demokracia.com/

Të ngjashme