Kriza e thellë ekonomike botërore po lë gjurmë edhe në Kosovë, duke bërë që shumë nga produktet esenciale ushqimore të shënojnë ngritje çmimesh. Sipas të dhënave nga organizata “Konsumatori”, deri më tani kemi më shumë se 30% qytetarë e familje konsumatorësh që jetojnë në varfëri dhe varfëri të skajshme, pra që kanë falimentuar sepse nuk ia dolën t’i përmbushin nevojat e tyre themelore konform Ligjit dhe Direktivës së BE-së.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini për Demokracia.com tha se e gjithë kjo ngritje e çmimeve në vend erdhi fillimisht me krizën që solli COVID-19 në tregjet botërore.
Përveç COVID-19, sipas Shahinit Kosova është gjithashtu një vend më shumë importues dhe ka pak rezerva të produkteve.
“Aleanca Kosovare e Biznesit është duke e monitoruar rritjen e çmimeve në Kosovë, në bazë të manualeve, kemi ardhur në përfundim që ngritja e çmimeve është si pasojë e krizës dhe pasojat negative që i la COVID-i në tregjet botërore, e që edhe Kosova preket nga kjo sepse është një vend importues”, tha ai për Demokracia.com.
‘’Kosova ka pak rezerva prandaj edhe ne nuk mund të ndajmë çmimet stabile, por varemi nga importet e përditshme, e bashkë me importet, importojmë edhe inflacionin’’, tha Shahini.
Shumë nga produktet shënuan rritje më të theksuar në këtë periudhë krize ekonomike e që rritje akoma më shumë pritet të kemi pas reshjeve të fundit në vend. Sipas Shahinit rritje mbi 40% pati në materialin ndërtimor dhe të vajit ushqimor, ndërsa deri në 30% rritje pati në derivatet e naftës gjatë kësaj periudhe pandemie.
“Çmimet janë rrit në mungesë të prodhimeve, është rrit kërkesa, shumë fabrika janë duke punuar me staf të reduktuar dhe kemi më shumë kërkesë sesa ofertë dhe këto kanë ndikuar në disa produkte që marrin pjesë në konsum të përgjithshëm siç janë materiali ndërtimor që është ngritur mbi 40%, disa produkte bazë siç është vaji ushqimor, që ka pasur ngrije mbi 40 %.”, tha ai.
‘’Ka shumë indikator që do të ngritën edhe çmimet e tjera për arsye të të reshurave të mëdha, që do të ndikojnë në ulje të rendimentit, dhe kjo të thotë që do të kemi më pak prodhim më pak bujqësor dhe industrial, kjo ndikon në rritjen e energjisë e cila është rrit po ashtu në vitin paraprak e edhe derivatet e naftës janë rritur për 30 %’’, tha Shahini.
Ndërsa në pyetjen se a duhet në ndërhyjë Qeveria e vendit për rregullimin e çmimeve dhe ndihmën që duhet dhënë qytetarëve, Shahini tha se Kosova ka pak rezerva ndërsa krejt çka shteti mund t’iu ndihmojë qytetarëve është në rritjen e pagave të punëtorëve.
“Janë disa produkte që mund të ndërhyjë shteti nëse ka rezerva, por Kosova ka rezerva të disa produkteve që nuk ka as minimumin e garantuar me ligj dhe me këtë rast konsumi ka mbetur në dorë të furnitorëve, prodhuesve dhe shitësve. Kjo bënë që të vihet në pikëpyetje rritja e pagave për punëtorët, dhe kjo duhet në të ardhmen të diskutohet, por të shohim edhe rastet me DELTA dhe të shikojmë edhe ekonomitë e vendeve të tjera’’, tha Shahini për Demokracia.com
Ndërsa Selatin Kaçaniku nga organizata “Konsumatori” për Demokracia.com tha se tregu duhet të jetë rregullator i çmimeve mirëpo në Kosovë mungon ky treg.
‘’Tregu duhet të jetë rregullator i çmimeve. Por, meqenëse Republika e Kosovës akoma nuk ka treg, sepse për identifikimin e tregut nuk mjafton vetëm dimensioni/përcaktori gjeografik ndërsa dimensionet /përcaktorët tjerë nuk funksionojnë ose nuk zbatohen mjaftueshëm – atëherë mund të themi se mungon tregu e së këndejmi mungon edhe rregullatori i çmimeve’’, tha Kaçaniku për Demokracia.com
Kaçaniku ashtu si Shahini tha se kjo krizë u ndikuan nga berëza Botërore e cila ndikoi edhe në shtetet më të zhvilluara prandaj Kosova si një vend importues nuk kishte si t’i ikte kësaj krize. Për rritjen e çmimeve sipas Kaçanikut u shfrytëzua edhe festa e Kurban Bajramit, ardhja e mërgimtarëve dhe stina e verës që në këtë mënyrë do të mbulonte humbjet e disa muajve pandemie.
“Është berëza Botërore, ndikimit të së cilës nuk mund t’i shmangen as shtetet/ekonomitë më të zhvilluara, superfuqitë ekonomike, ndikimi /varshmëria nga stinët, Trukimi i çmimeve dhe kartelizimi i tregut.’’
“U bë shfrytëzimi i festës së Kurban Bajramit për eksploatimin maksimal të qytetarit konsumator taksapagues, ardhja e diasporës – të cilët janë shënjestruar për t’ua mbuluar bizneseve humbjet 17 muajshe të shkaktuara nga “sundimi” i COVID 19-shit’’, tha Kaçaniku për Demokracia.com
Dhe e gjithë kjo ngritje e çmimeve sipas Kaçanikut ndikoi negativisht në ekonominë familjare të qytetarëve të vendit duke ditur se edhe pagat në vend janë rreth 10 herë më e ulët se në vendet e BE-së.
‘’Ngritja e vazhdueshme e çmimeve ka ndikim shkatërrues mbi buxhetin modest dhe mbi qytetarin dhe familjen konsumatore taksapaguese. Duke qenë se mbi 90% të nevojave tona i importojmë dhe bëjmë pjesë “mes tregut të lirë”, se rroga jonë mesatare është rreth 10 herë më e ulët se ajo në ndonjë shtet të BE-së ndërsa i paguajmë çmimet e njëjta, dhe nëse kësaj ia llogarisim edhe ngritjet e vazhdueshme të çmimeve, atëherë epilogu është i nënkuptueshëm’’, tha Kaçaniku për Demokracia.com
Ndryshe nga Shahini, Kaçaniku tha se janë disa nga masat që duhet të marrë Qeveria e Kosovës për ndikimin në uljen e çmimeve.
‘’Qeveria e Kosovës mund të rregullojë tregun, njohjen e të drejtës për matjen e cilësisë së prodhimeve e mallrave dhe e performancës së shërbimeve si e drejtë kushtetuese e juridiko-ligjore-administrative, etike e demokratike e qytetarit konsumator taksapagues, në ngritjen e zbatueshmërisë së ligjeve nga 40% e sa më lartë deri te 100%-shi.”
‘’Detyrimi për disiplinë, deri te marrja e licencës së punës, ndalimin e veprimtarisë lobuese në Kuvend, Qeveri e gjetiu për partitë politike e politikanët në mbrojtje të interesave të tyre biznesore, qofshin ato personale, aksionaritete, sponzorizime. Ndalimin e konfliktit të interesit për partitë e politikanët, ndërmarrjet e zyrtarët publikë – në veçanti në shëndetësi’’, përfundoi Kaçaniku.