Lajme
Rritja e çmimeve, papunësia dhe varfëria| Tri problemet më madhore të qytetarëve në Kosovë
Demokracia
14:01 | 05 Korrik 2022

Share:

Tri problemet madhore të raportuara gjatë kësaj ankete ishin papunësia me 36.4 për qind, varfëria me 21.1 për qind dhe çmimet e furnizimeve esenciale me 7.7 për qind.

 

Rritja e çmimeve, papunësia dhe varfëria janë tri problemet kryesore që i shqetëson qytetarët e Kosovës.

Kështu thuhet në anketën e Pulsit Publik të publikuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, duke shtuar se 34 për qind e qytetarëve janë të shqetësuar me papunësinë, ndjekur nga varfëria me 21.1 për qind dhe rritja e çmimeve të produkteve bazike me 7.7 për qind.

Derisa mjedisi, që ishte një nga tri problemet kryesore në vjeshtë 2021, tani ka rënë në vendin e tetë.

“Tri problemet madhore të raportuara gjatë kësaj ankete ishin papunësia me 36.4 për qind, varfëria me 21.1 për qind dhe çmimet e furnizimeve esenciale me 7.7 për qind. Mjedisi, që ishte një nga tri problemet kryesore në vjeshtë 2021, ka rënë në vendin e tetë. Kujdesi shëndetësor me 5.7 për qind dhe korrupsioni me 5 për qind, ishin ndër pesë problemet kryesore të identifikuara nga të anketuarit”, thuhet në raport.

Sipas UNDP-së, Indeksi i Besueshmërisë Ekonomike (IBE) qëndron në 0.98 pikë, që është ulje prej 0.54 pikë nga vjeshta 2021.

Po ashtu, aty theksohet se 22.2 për qind e anketuarve pohojnë se perceptojnë që korrupsioni në shkallë të gjerë është i pranishëm në institucionet publike dhe ndërkombëtare në Kosovë. Kjo vlerë paraqet rënie prej 1.2 pikë përqindje nga vjeshta e 2021-së.

Të ngjashme