Lajme
Rriten tensionet në Serbi, policia i bllokon aktivistët e opozitës që janë nisur drejt Beogradit për të protestuar kundër Vuçiqit
Demokracia
16:49 | 17 Mars 2023

Share:

Aktivistët e partive të djathta në Serbi kanë bllokuar magjistralen e Ibrit, pas së cilës policia fillimisht ndaloi autobusin me të cilin po shkonte për në Beograd dhe më pas e dërgoi për kontroll të jashtëzakonshëm teknik.

“Policia po shpërdoron pushtetin. Ajo ndaloi autobusin në Konjeviqi afër Çaçakut. Nuk i lejon banorët e Kralevës dhe Çaçakut të vazhdojnë rrugëtimin e tyre për në Beograd dhe është e qartë se këto janë metoda të vjetra të sprovuara. Autobusët dërgohen për kontrolle të jashtëzakonshme teknike. Policia, e cila merr rroga nga qytetarët e Republikës së Serbisë, po keqpërdor pushtetin ndaj po këtyre qytetarëve dhe po përpiqet të pengojë mbrojtjen tonë të Kushtetutës dhe shtetit”, tha Zoran Çvoroviq në autostradë, transmeton Demokracia.com.

Aleksandar Vukadinoviq nga Dveri thotë për Nova.rs se torturat ndaj tyre po vazhdojnë për gati dy orë, vetëm se ata po shkonin në një tubim në Beograd për të mbrojtur Kosovën.

Sipas tij, policia i ka ndaluar, i ka bërë kallëzim shoferit dhe më pas autobusi është dërguar për kontroll të jashtëzakonshëm teknik.

“Ne u detyruam të bllokojmë autostradën në Konjeviq afër kompanisë ‘Auto – Çaçak’. Policët nuk kanë faj, por thonë se autoritetet u kanë thënë që ta ndalojnë autobusin, ta kontrollojnë ngadalë dhe nëse është e nevojshme ta dërgojnë tek tekniku i urgjencës, gjë që është bërë”, ka thënë Vukadinoviq.

Kujtojmë se partitë e djathta Zavetnici, Dveri, Novi DSS dhe POKS organizojnë tubim sonte para kishës së Shën Savës, ndërsa Milica Gjurgjeviq Stamenkovski thekson se më shumë se 80 autobusë, të cilët kishin planifikuar të vinin në Beograd me aktivistët dhe anëtarët e atyre partive, u penguan ta bëjnë këtë. Ajo tha se ose transportuesit i kanë anuluar udhëtimet ose policia i ka ndaluar dhe i ka dërguar autobusët me të cilët udhëtonin për një kontroll të jashtëzakonshëm teknik.

Aktivistët e djathtë bllokuan trafikun edhe në Novi Sad, pasi siç pretendojnë ata, e kishin të pamundur të shkonin në Beograd për protestën që kishin paralajmëruar për sot pasdite.

Ditëve të fundit janë ngritur tensionet në Serbi, pasi që opozita po e akuzon pushtetin për linçime publike ndaj liderëve të tyre, duke ngjitur posterë me mbishkrimin tradhtarë dhe emblemën e UÇK-së.

Opozita në Serbi ka dalë kundër planit evropian për Kosovën, duke e akuzuar Vuçiqin për tradhti kombëtare.

Nesër në Ohër të Maqedonisë së Veriut do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësim të BE-së. Ky takim do të vendos nëse dy shtetet e pranojnë përfundimisht planin evropian dhe ankesin për implementimin e tij. /Demokracia.com/

Të ngjashme