Intervista
Rriten rastet me grip sezonal, doktoresha e QKMF-së tregon simptomat dhe moshën më të prekur
Demokracia
09:24 | 23 Shkurt 2023

Share:

Ka disa javë që numri i qytetarëve të prekur nga gripi sezonal është i lartë.

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, numri i atyre që kërkojnë shërbime brenda ditës shkon në 160.

Drita Peqani, doktoreshë në QKMF tha se 30% e pacientëve vijnë për trajtim mjekësorë për gripin sezonal.

Peqani deklaroi se mosha më e prekur janë fëmijët.

“25 deri 30 % të pacientëve po vinë me simptomatologji të gripit. Brenda një ndërrimi deri 160 pacientë vinë, atëherë 30% e tyre janë më grip sezonal. Fëmijët janë më të prekurit, të rinjtë dhe të punësuarit. Janë të kursyera moshat e vjetra për arsye se nuk lëvizin pasi rrinë më tepër në shtëpi, ndërsa moshat shkollore, studentore, janë më të prekurit”, deklaroi Peqani për Frontonline.

Doktoresha Peqani tregoi edhe simptomat e gripit sezonal.

“Simptomat e gripit sezonal janë të ndryshme varësisht prej moshës, mirëpo kryesisht të gjitha kanë ethe, temperaturë, kollitje, dhembje fyti. Tek fëmijët po manifestohet edhe me dhimbje barku dhe barkqitje”, u shpreh Peqani.

Ajo dha edhe disa këshilla për parandalimin e këtij gripi.

“Gripi po parandalohet me terapi simptomatologjike me barna kundër temperaturës, vitamina, duke marrë sasinë e mjaftueshme të lëngjeve, pemëve dhe perimeve dhe duke mbajtur higjienën personale”, tha Peqani

Ndryshe, nga 31 tetori ka nisur procesi i vaksinimit kundër gripit sezonal në nivel vendi.

Vaksinimi kundër gripit sezonal mbron nga gripi dhe preferohet sidomos për fëmijët mbi 6 muaj, të moshuarit, personelin shëndetësor, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.

Të ngjashme