Lajme
​Rriten çmimet e mallrave në bujqësi
Demokracia
15:43 | 08 Maj 2025

Share:

Indeksi i përgjithshëm i çmimeve të mallrave bujqësore shënon një rritje të lehtë në Tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i mallrave të përgjithshëm (Input 1 + Input 2) ka rritje për 0,1 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

“Në TM1 2025, indeksi i Input1 ka rënie për 2,5 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Kurse, Indeksi i Input 2 ka rritje për 3 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Produktet që e përbëjnë bazën për Indeksin e çmimit të inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2).

“Brenda grupit të Mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji; vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtja e materialeve, mirëmbajtja e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime tjera”, thuhet në njoftim.

Sa i përket mallrave dhe shërbimeve që kontribuojnë në investimet bujqësore, sipas ASK-së çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesat dhe të tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punët tjera përveç përmirësimit të tokës).

Të ngjashme