Barazia
RRGK reagon pas uljes së dënimit të Nuhi Mavrovqanin, i cili vrau gruan e tij me shufër metalike
Demokracia
15:53 | 05 Tetor 2021

Share:

Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) ka bërë të ditur se me shqetësim të thellë kanë pranuar lajmin për vendimin e  sotëm të Gjykatës së Apelit për të ulur dënimin e përjetshëm në 25 vjet për Nuhi Mavrovqanin, i cili në korrik të vitit 2020 vrau bashkëshorten e tij S.M me shufër metalike.

Sipas tyre kjo vrasje shkundi edhe një herë realitetin e secilës që përpiqet çdo ditë që dhuna dhe vrasjet ndaj grave të marrin fund, përcjell Demokracia.com.

“Vrasja e S.M fatkeqësisht edhe një herë dëshmoi se dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet një prej formave më pak të ndëshkueshme të dhunës. E megjithatë, kur vrasësi u dënua me burgim të përjetshëm në dhjetor të vitit 2020 nga Gjykata Themelore në Gjilan, u duk sikur drejtësia bëri një pjesë të punës së vet, duke e dënuar kriminelin, edhe pse jo duke e parandaluar krimin. Mirëpo, sot përsëri po dëshmojmë se kur flasin për vrasjet e grave, drejtësia po mbyll sytë”, thuhet në reagimin e RRGK.

Andaj, përmes një kumtese për media, RRGK i bën thirrje Gjykatës Supreme si instancë më e lartë se ajo e Apelit që ta rishqyrtojë këtë vendim dhe dënimin ta kthejë në atë paraprak, pra në dënim me burgim të përjetshëm.

“Vetëm kështu ne do të bindemi se vendi ynë, institucionet e drejtësisë e ato të mbrojtjes janë në krye të detyrës sa herë që trajtohet dhuna e vrasjet e grave. RRGK nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private. Drejtësi për gratë e vrara! Drejtësi për secilën grua të vrarë e të dhunuar”,përfundon reagimi i RRGK-së./Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 29 Mars 2024