Lajme
RrGK: Ngacmimet seksuale në punë nuk raportohen për shkak të frikës së përjashtimit
Demokracia
13:11 | 07 Prill 2022

Share:

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka lansuar botimin e dytë të raportit Diskriminimi me bazë Gjinore dhe Punësimi në Kosovë.

Igballe Rugova nga RrGK ka thënë se prej vitit 2016 vazhdimisht po avokojnë për Ligjin e Punës, pasi sipas saj, sot e kësaj dite i diskriminon qytetarët e Kosovës e sidomos gratë.

Ajo ka thënë se kanë pasur bashkëpunim shumë të dobët më institucionet, mirëpo shton se tani gjërat kanë ndryshuar dhe sidomos për këtë raport kanë pasur bashkëpunim të mirë me ta

“Ka qenë një ngecje e punës, e faktorë për këtë ka qenë ndërrimi i qeverive, dhe për këtë ne kemi pasur ngecje në këtë raport. Pastaj pandemia, por tani nuk kemi më arsyetime që të amandamentohet Ligji i Punës, kjo është urgjente. Duhet të shtohet numri i inspektorëve të punës”, ka thënë ajo.

Adelina Tershani, një nga autoret e hulumtimit ka thënë se 67 për qind e respodentëve janë pajtuar se personat diskriminohen në punë për shkak të gjinisë.

Sipas saj, 67 për qind e grave dhe 66 për qind e burrave nuk e kanë raportuar askund diskriminimin gjinor për vitin 2021. Ndërsa sipas saj, 44 për qind gra dhe 51 për qind burra nuk e kanë raportuar askund ngacmimin seksual.

“Arsyet pse nuk e kanë raportuar ngacmimin seksual ka qenë se kanë qenë të frikësuar se mund ta humbasin vendin e punës, e disa janë përgjigjur se mund të kujdesen për veten e tyre nuk kanë nevojë ta raportohen. Gratë përballen në konkurse të punës me pyetje që nuk kanë të bëjnë me aftësitë e tyre, për shembull për gjendjen e tyre martesore. Burrat fitojnë 34 euro neto më shumë se gratë në muaj. Në Polici shumë herë kanë pasur vështirë ta identifikojnë ngacmimin seksual si formë e diskriminimit gjinor. Inspektorati i Punës është i njoftuar me kornizën ligjore, por ka pak raste të raportuara”, ka thënë ajo.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka thënë se 138 ankesa kanë pranuar që kanë pasur të bëjnë me diskriminimin në punës, vitin e kaluar.

Sipas tij, për rastet e diskriminimit gjinor shumë rrallë raportohen.

Ai ka thënë se për vitin 2022 kanë planifikuar aktivitete për vetëdijesimin dhe raportimin e diskriminimit gjinor.

“Na kemi identifikuar disa shkaqe për mosraportim, e ndër to është mosbesimi në institucione”, ka thënë ai./Reporteri.net/

Të ngjashme