OpEd
Rreziqet e një Rusie të dëshpëruar dhe armiqësore
Demokracia
09:45 | 02 Maj 2022

Share:

Nga Jim Geraghty “National Riview”

Ndërsa po shtohen raportet mbi mizoritë e saj kundër civilëve ukrainas, Rusia është sot para nesh njëherazi më pak e frikshme dhe më e frikshme, sesa ajo që diplomatët tanë menduan se e dinin vitin e kaluar.

Tani po zbulohet se ushtria ruse është “një turmë e padisiplinuar” dhe tani e dimë se reputacioni i saj i frikshëm ishte ndërtuar mbi gënjeshtra dhe propagandë. Por një Rusi e humbur, e poshtëruar është një entitet i dëshpëruar, armiqësor, që tani flet hapur për “militarizimin e NATO-s, dhe se një sulm bërthamor ka më shumë gjasa të ndodhë sesa të mos ndodhë”.

Pranverën e vitit të kaluar, kur pushtimi rus i Ukrainës ishte ende vetëm një grumbullim i pazakontë i trupave ruse në kufi, presidenti amerikan Xho Bajden deklaroi se donte një marrëdhënie “të qëndrueshme, të parashikueshme” me Rusinë.

Në tetor 2021, Putin përdori terma të ngjashëm për të karakterizuar marrëdhëniet SHBA-Rusi. Ai tha se marrëdhëniet e Rusisë me administratën Bajden ishin “shumë konstruktive” dhe se ai personalisht kishte zhvilluar “marrëdhënie pune të qëndrueshme” me presidentin amerikan.

Dhe në sytë e shumë ekspertëve të politikës së jashtme, kjo ishte e arsyeshme. Rusia e Putinit ishte e ashpër, por racionale, një ish-fuqi e madhe që kishte ende një ndikim të konsiderueshëm në mbarë botën, dhe ishte një aleate e mundshme e SHBA-së për kontrollin e armëve, luftën kundër terrorizmit dhe çështje të tjera.

Korrikun e vitit të kaluar, Xhon Kerri, i dërguari special i Bajden për ndryshimet klimatike, bisedoi me Putin për më shumë se një orë dhe e quajti udhëheqësin rus “shumë të afërt dhe të zhytur në mendime” për mënyrat e reduktimit të emetimeve të gazrave serë.

Sot, kjo deklaratë tingëllon shumë naive. Ai vizion i Rusisë si një shtet i frikshëm por racional, ishte gjithnjë një iluzion që synonte të qetësonte liderët perëndimorë që e kundërshtonin konfliktin nën një ndjenjë të rreme sigurie.

Pas masakrës së Buçës, përdorimit të municioneve thërrmuese pranë një kopshti ku strehoheshin civilët, pas sulmeve ajrore mbi sheshet publike, sulmit mbi teatrin në Mariupol etj, vetëm më naivët kanë ndonjë iluzion se cila është fytyra e vërtetë e Rusisë.

Ushtria ruse është brutale, sadiste, e çorganizuar, e trajnuar shumë dobët dhe shpesh e paaftë. Trupat e saj janë ngacmuesit më të shëmtuar kundër të pambrojturve, por squllen përballë rezistencës së organizuar.

Në muajin e tretë të pushtimit të Ukrainës, Rusia duket më pak e frikshme se më parë.

Sepse është tashmë e qartë se forcat e saj ushtarake nuk janë aq të frikshme dhe të afta sa sugjeronte reputacioni i tyre. Rusia ka humbur gjithashtu më shumë se 3.000 makineri dhe pajisje në betejë. Këtu përfshihen tanket, automjetet e blinduara luftarake, avionët luftarakë dhe helikopterët, shkruan CNA.

Rusia në vitet e fundit ka prodhuar rreth 250 tanke dhe 150 avionë në vit, sipas Mark Sansian, një këshilltar në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, një institut kërkimi në Uashington. Kjo do të thotë se forcat ukrainase kanë shkatërruar në dy muaj ekuivalentin e të paktën dy viteve të prodhimit rus të tankeve.

SHBA beson se Rusia ka humbur afro çerekun e forcës luftarake që kishte përgatitur për të pushtuar Ukrainën, tha një zyrtar i lartë i Pentagonit javën e kaluar, pa dhënë më shumë detaje. Tanket mund të zëvendësohen, por të vdekurit nuk mund të ringjallen.

Javës që shkoi, Ministria britanike e Mbrojtjes vlerësoi se 15.000 ushtarë rusë janë vrarë deri tani gjatë luftës. Në pak më shumë se 1 muaj, ushtria ruse ka pësuar rreth gjysmën e viktimave që pësoi ushtria amerikane në luftën 3-vjeçare të Koresë.

Por nga ana tjetër është më e frikshme, sepse Putini e ka futur regjimin dhe vendin e tij në një situatë të dëshpëruar. Ai mendonte se ky pushtim do të përfundonte me nënshtrimin e Ukrainës, ndërsa rusët do ta kujtonin Putinin si “Vladimirin e Madh II”.

Tani, ai do të mbahet mend si lideri evropian më spektakolar i pamatur dhe më vetë-shkatërrues që nga koha e Adolf Hitlerit. Rusia do të shkatërrohet ekonomikisht, do të izolohet diplomatikisht, do të denoncohet globalisht, dhe do të “sterilizohet” ushtarakisht. . . Dhe të gjitha këto për disa pjesë toke të bombarduara në anën tjetër të kufirit të paraluftës.

Sa më keq të bëhet situata, aq më pak ka për të humbur Vladimir Putin. Në rrezik është stabiliteti i regjimit dhe ndoshta edhe jeta e tij. Tani media shtetërore ruse po e etiketon pushtimin e Ukrainës si një luftë me NATO-n.

Duke pasur parasysh të gjithë ndihmën që po dërgojnë vendet e NATO-s, dhe mënyrën se si SHBA-ja po e ndihmon Ukrainën të rrëzojë aeroplanët rusë, ky nuk është një vlerësimi dhe aq i paarsyeshëm. Një Zot e di nëse retorika e ashpër në televizionin shtetëror rus, duhet të interpretohen si thjesht shfryrje e zemërimit dhe zhgënjimit, apo nëse është në fakt një zgjedhje e qëllimshme për ta përgatitur publikun rus për lëvizjet e ardhshme ushtarake.

Por retorika po bëhet e çuditshme dhe shqetësuese. Ajo flet për nevojën e një operacioni të posaçëm ushtarak për të ”çmilitarizuar NATO-n”, pasi aleanca është “një Hitler kolektiv”, se një sulm bërthamor duket i mundshëm dhe se “një ditë të gjithë do të vdesim”.

Nëse media shtetërore ruse po pasqyron mendimin aktual të Putinit dhe udhëheqjes ruse. . . atëherë ata po përballen me pyetjen nëse është më mirë të jetosh me poshtërimin e tmerrshëm në Ukrainë, apo të shpëtosh njëfarë “nderi” duke përdorur armë bërthamore.

Nën shkëlqimin e një reje kërpudhore të shkaktuar nga bomba bërthamore, Putini dhe bashkëpunëtorët e tij mund t’u thonë bashkatdhetarëve të tyre se e kanë zhdukur një herë e përgjithmonë të ashtuquajturin kërcënim. Çfarëdo që të ndodhë më tej, Rusia që e njihnim, ose mendonim se e njihnim, gjatë pjesës më të madhe të periudhës së pas Luftës së Ftohtë tani është zhdukur prej kohësh.

Ajo që mbetet është diçka më afër një Koreje Veriore me një territor gjigant dhe me një arsenal bërthamor shumë më të madh – paranojake, irracionale, e palogjikshme, e paparashikueshme, me pikëpyetje serioze nëse udhëheqja po informohet saktë për

ndonjë çështje. Sot duket jo vetëm e pamundur një marrëdhënie “e qëndrueshme dhe e parashikueshme” me Rusinë e Putinit, por nuk ka gjasa që marrëdhëniet SHBA-Rusi të zbuten për të paktën një dekadë.

Të ngjashme
OpEd • 25 Qershor 2024
OpEd • 24 Qershor 2024
OpEd • 22 Qershor 2024