Lajme
Rreziku për vërshime si pasojë e reshjeve të shiut, flet Bedri Hamza
Demokracia
19:08 | 11 Qershor 2023

Share:

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka folur pas paralajmërimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës për vërshime, si pasojë e reshjeve të shpeshta të shiut.

Hamza në një prononcim për Insajderin ka thënë se brenda kapaciteteve të komunës, është duke u bërë maksimumi. Megjithatë, ai ka thënë se kapacitetet e komunës për të parandaluar fatkeqësi janë të limituara.

“Unë mendoj që jemi ndër komunat thuajse më të rrezikuara, për shkak se e kemi numrin më të madh të lumenjve që kalojnë nëpër qytetin e Mitrovicës. Brenda kapaciteteve tona, ne e bëjmë maksimumin. Megjithatë, dihet se ato kapacitete janë bukur të limituara. Po urojmë që të mos ketë vërshime sepse e dimë si kaluam jo fort larg prej ditës së sotme. Kështu që, jemi në përcjellje të situatës, mbetet me pa”, ka deklaruar.

IHMK ka paralajmëruar për reshje shiu që nga nesër, të cilat do të përfshijnë pjesën më të madhe të shiut.

“Në disa zona ato do të jenë më intensive të cilat mund të krijojnë vërshime të shpejta, të karakterit lokal, sidomos në lumenjtë me karakter të rrëkeve, të cilat zbresin prej viseve malore, ku si pasojë do të ketë tejkalim të kapaciteteve transportuese të tyre dhe mundësi të paraqitjes së vështirësive në sistemet e kanalizimeve, shembje të dheut, probleme në komunikacion, bujqësi etj”, u tha në njoftimin e IHMK-së gjatë ditës.

IHMK paralajmëron përmbytje si shkak i shiut, këto janë zonat që rrezikohen

Sipas IHMK-së, zonat ku rrezikohen nga përmbytjet janë zonat veriore dhe ajo jugore. Tek pjesa veriore, rrezikohen Mitrovica dhe Skenderaj, ku janë edhe lumi Ibër, Sitnica dhe ai i Drenicës, ku ka pasur përmbytje së fundmi.

IHMK paralajmëron përmbytje edhe në pjesë të tjera të Kosovës.

“Nga këto prognoza fillimisht meteorologjike me reshje e pastaj hidrologjike me mundësi vërshime në interval afatshkurtër nga shiu, parashihet që të kenë ndikim sidomos në:

– Pjesa veriore: Pellgu i Ibrit (Sistemet lumore të: Ibrit, Sitnicës Llapit, Drenica etj.) ku Probabiliteti për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 20-vjeçare: është 20 % ndërsa 5-vjeçare: 24 %.

– Ndërsa pjesa Perëndimore, jugore dhe lindore (Pellgu i Drinit të Bardhë, Lepencit dhe Moravës së Binçës), parashikohet një probabiliteti për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 5-vjeçare, gjegjësisht sasi më e vogël e reshjeve”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Mitrovica u godit nga vërshimet në fillim të këtij viti. Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri, pati thënë se vërshimet patën shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 9 milionë e 100 mijë eurove.

“Në bazë të raporteve profesionale që i kanë bërë zyrtarët e komunës së Mitrovicës, 10 shtëpi janë të pabanueshme, pra janë të dëmtuara tërësisht, ndërsa 200 shtëpi janë dëmtuar pjesërisht. Pra ato mund të renovohen dhe ka mundësi që të bëhen të jetueshme përsëri… Ne kemi arritur ta finalizojmë raportin dhe në bazë të këtij raporti dëmi në Komunën e Mitrovicës së Jugut është 9 milionë e 100 mijë euro. Këtu përfshihen bizneset private, ekonomitë familjare, infrastruktura publike, objektet publike, vlera në sektorin e bujqësisë”, pati thënë Tahiri.

Qeveria ende s’ka arritur të kompensojë dëmet materiale të janarit në komunën e Mitrovicës, Skenderajt, Podujevës dhe atë të Klinës.

Të ngjashme