Sot, në orën 16:00 skadon mandati i anëtareve të Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. Kësisoj, nga nesër ky institucion nuk do të ketë organe vendimmarrëse që kanë të bëjnë me investimet e parave, shkruan Periskopi.
Paratë investohen nga Bordi Drejtues i FKPK-së me qëllim që kursimeve të qytetarëve të Kosovës t’iu rritet vlera e kursimeve pensionale dhe që në afate të gjata t’ju mundësohet ofrimi i pensionit më të mirë të mundshëm.
Investimet bëhen në klasa të ndryshme investuese, dhe përmes tyre në tregje botërore dhe industri nga më të ndryshmet. Çdo investim i gabuar pëson më humbje. Në vitin e kaluar humben rreth 120 milionë euro që kanë qenë të investuara në tregjet globale. Bordi disa herë ka bërë tërheqjen e kursimeve në një organizatë kur shihte që kishte rrënje të aksioneve dhe mjetet i alukonte në një institucion tjetër financiare.
Tashmë shumica e mjeteve janë të investuara në tregjet e jashtme, dhe nëse ndonjëra nga to do të këtë luhatje këtyre ditëve, Trust-i nuk do të mund të lëvizë paratë e veta. Kjo për shkak se këtë mund ta bëjë vetëm Bordi, i cili është inekzistent nga nesër.
“Sot është dita e fundit e mandatit të Bordit. Natyrisht se mungesa e Bordit e ka rrezikun e vetë. Mund të ketë renje të aksioneve, dhe ato nuk mund të tërhiqen. Po ashtu, nuk mund të investohët as në ndonjë organizatë ku është më e favorshme. Pra FKPK-ja do ta ketë të pamundur të ndërmarrë çfarëdo vendimi rreth investimit të mjeteve pensionale për investimin, tërheqjen ose lëvizjen e mjeteve pensionale meqë është përgjegjësi ekskluzive ligjore e Bordit Drejtues”, tha për Periskopin, anëtari Bordit të Trust-it, Ymer Ymeri.
I pyetur nëse është bërë ndonjë lëvizje e aksioneve ditëve të fundit për shkak se tash e tutje nuk do të ketë bord, Ymeri ka thënë se “Janë bërë disa ndryshime vetëm tek letrat me vlerë te Qeveria e Kosovës. Pra kemi marr vendim që të investohen në letra më vlerë. Shpresojmë që Bordi do të emërohet shumë shpjet, për shakë që konkursi është mbyllur tashmë”
Ymeri ka konfirmuar se ka konkurruar edhe për një mandat të dytë.
Komisioni për shqyrtimin e aplikacioneve, i cili më pas ia rekomandon emrat dhe Kuvendit për miratim, përbëhet nga Guvernatori Bankës Qendrore të Kosovës, Ministri Financave dhe nga Auditori Përgjithshëm i Republikës së Kosovës.
Mësohet se në garë për këtë konkurs janë rreth 50 persona, dhe tashmë ambicie edhe për një mandate të dytë kanë shfaqur edhe anëtarët që kanë pas mandat deri sot.
Komisioni vlerësues akoma nuk i ka dërguar emrat në Kuvend.
Pesë anëtarëve të Bordit Drejtues, aktualisht në detyrë (katër anëtarë profesionalë dhe një anëtar përfaqësues), iu ka përfunduar mandati i rregullt më 30 nëntor 2022, por meqë askush nuk është emëruar nga Kuvendi i Kosovës deri në atë datë, mandati i këtyre pesë anëtarëve vazhdon automatikisht edhe për 90 ditë kalendarike. Si rrjedhim, mandati i këtyre pesë anëtarëve skadon përfundimisht më 28 shkurt 2023.
Me skadimin e mandatit edhe të pesë anëtarëve, nga data 1 mars 2023, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës nuk do të ketë mundësi të marr asnjë vendim sa i përket investimit të mjeteve pensionale për investim, tërheqje ose lëvizjen e mjeteve pensionale.
Vlera e mjeteve nën menaxhim të FKPK-së më 31 dhjetor 2022 arriti në 2,412,052,183 euro. Kthimi në investime ka qenë minus 120 milionë euro.
Sipas Trustit, performanca negative për vitin 2022 erdhi si pasojë e një sërë faktorësh negativë e me peshë të rëndë për ambientin investuese global. “Pasojave të pandemisë Covid-19 (me inflacionin e lartë, vonesave në zinxhirin furnizues, rënies së fuqisë blerëse dhe vështirësive buxhetore anembanë globit), iu shtua (dhe e përkeqësoi tutje) edhe lufta në Ukrainë; që nxiti rritjen e çmimeve të energjisë elektrike, naftës, produkteve ushqimore dhe krijoi një gjendje alarmante për të ardhmen e ekonomisë globale dhe performancës investuese. Të gjitha këto ngjarje negative lanë pasoja të rënda (të krahasueshme me vitin 2008) në zhvlerësimin e indekseve në bursat kryesore të botës”.
Bordi Drejtues qysh në fillim të vitit 2022, e në vazhdim, i kishte marrë një numër rekord vendimesh të rialokimit të mjeteve pensionale të investuara në tregjet financiare, duke e çuar në nivelin më të ulët historik riskun e investimeve të FKPK-së.