Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për të cilin opozita kishin kërkuar vlerësim kushtetues për shkak të rrezikshmërisë për politizim.
Rreziku për politizim të KPK-së dhe shkëputja e mandateve në formë arbitrare, eliminimi i mundësisë për ankesë në Gjykatën Supreme pas shkarkimit të tyre janë disa nga pikat kryesore që ngrejnë shqetësimin e këtij projektligji, i cili pompozohej nga kryeministri dhe pushteti i tij, raporton Demokracia.com
Ky projektligj, sipas aktvendimit kushtetues “ndryshon përbërjen e Këshillit Prokurorial, duke e zvogëluar proporcionin në mes të anëtarëve prokurorë dhe jo-prokurorë, me këta të fundit, të zgjedhur me votën e shumicës së thjeshtë të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë në Kuvend, duke e nënshtruar zgjedhjen e anëtarëve të një institucioni të pavarur kushtetues vetëm në vullnetin e shumicës qeverisëse të përfaqësuar në Kuvend. përcakton kompetencën e Avokatit të Popullit për të zgjedhur një (1) nga anëtarët jo-prokurorë të Këshillit Prokurorial, në kundërshtim me Kushtetutën dhe funksionet kushtetuese të Avokatit të Popullit”.
Në anën tjetër, ky projektligj “nuk trajton në mënyrë të barabartë anëtarët prokurorë dhe jo-prokurorë në kontekst të mjetit juridik në dispozicion në rast të shkarkimit të tyre, duke u mundësuar ankesën e drejtpërdrejtë në Gjykatën Supreme vetëm anëtarëve prokurorë të Këshillit”.
Gjithashtu, ndërpreja arbitrare e mandatit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial është parë si anti-kushtetues dhe në kundërshtim me praktikën gjyqësore të Gjykatës dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).
Lidhur me këtë projektligj, pati reaguar vetë KPK duke ashpërsuar në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë.
“Ky nxitim i Ministrisë për të proceduar me shpejtësi këtë draft të projektligjit, pa e ndarë draftin final me aktorët e këtij procesi dhe pa i pritur komentet finale nga Komisioni i Venecias, është tendencë për të cenuar pavarësinë e Këshillit Prokurorial”, thuhej në njoftimin e KPK-së.
Projektligji për KPK-në pati kaluar në parim në Kuvendin e Kosovës. Kurti pompozonte këtë projektligj, duke thënë se “do ta rrisë llogaridhënien dhe transparencën”.
“Në këtë mënyrë, ligji i ri do të zhvendosë diskutimin e takimeve të KPK-së nga interesat vetanake të prokurorëve, tek interesat që kanë në fokus fuqizimin e sistemit prokurorial, veprimin energjik të prokurorëve dhe aktakuzat e fuqishme të cilat nuk mundësojnë lirimin e kriminelëve me kusht por sigurojnë zbatimin e ligjit për kategori të tilla”, thoshte ai.
Kurti pati tentuar ta cenonte sistemin e drejtësisë edhe nëpërmjet deklaratave politike. Ai pati thënë se “më keni bërë kryeministër, më mirë të isha bërë kryeprokuror”. /Demokracia.com/