Lajme
“Rrezik i lartë”, çfarë dëmi shkaktoi Rusia në një termocentral bërthamor të Ukrainës?
Demokracia
09:46 | 10 Gusht 2022

Share:

Kreu i firmës shtetërore të energjisë bërthamore të Ukrainës ka paralajmëruar për rreziqe “shumë të larta” nga granatimet në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, në rajonin e pushtuar nga Rusia dhe tha se ishte jetike që Kievi të rimarrë kontrollin e këtij objekti për dimër.

Shefi i Energoatom, Petro Kotin, i tha Reuters në një intervistë se granatimet ruse të javës së kaluar kishin dëmtuar tre linja që lidhin uzinën e Zaporizhzhia me rrjetin ukrainas dhe se Rusia dëshironte të lidhë objektin me rrjetin e saj, transmeton Gazeta Express.

Sipas operatorit ukrainas Energoatom, forcat ruse që pushtojnë centralin bërthamor të Zaporizhzhia po riorientojnë prodhimin e energjisë elektrike të uzinës për t’u lidhur me Krimenë, e aneksuar nga Moska në vitin 2014.

“Për ta bërë këtë, së pari duhet të dëmtoni linjat e energjisë të centralit të lidhur me sistemin energjetik të Ukrainës. Nga 7 deri më 9 gusht, rusët kanë dëmtuar tashmë tre linja elektrike. Për momentin, uzina po funksionon vetëm me një linjë prodhimi, e cila është një mënyrë jashtëzakonisht e rrezikshme e punës”, tha kreu i Energoatom, Petro Kotin për televizionin ukrainas.

Centrali, i vendosur jo shumë larg gadishullit të Krimesë, ka gjashtë nga 15 reaktorët e Ukrainës dhe është i aftë të furnizojë me energji për katër milionë shtëpi.

Të ngjashme