Lifestyle
“Rrethimi i Sarajevës” dhe dëbimi i shqiptarëve nga Kosova nën objektivin e fotoreporterit britanik
Demokracia
21:36 | 09 Qershor 2024

Share:

Fotoreporteri britanik, Paul Lowe, është dëshmitar i tmerreve që kanë përjetuar qytetarët boshnjak gjatë “Rrethimi të Sarajevës” nga forcat serbe që filloi me 1992 dhe përfundoi me 1996. Ai rrëfen ekskluzivisht për tëvë1 detaje interesante gjatë kohës sa ka qëndruar në Sarajevë.

Përmes fotografive po i tregonte botës se çfarë po ndodhte në Bosnje Hercegovinë, gjatë rrethimit të Sarajevës.

Me objektivin e tij, fotoreporteri i luftës Paul Lowe, çdo ditë dokumentonte për jetën që po zhvillonin në gjendje lufte qytetarët boshnjak.

Lowe thotë se nuk e priste që do zgjaste aq shumë rrethimi i Sarajevës nga forcat serbe.

“Rrëfimi i Sarajevës ishte një ngjarje shumë unike. Kur ne shkuam atje në ditët e para të rrethimit nuk e menduam se do të zgjaste aq shumë. Në atë periudhë qytetarët ishin duke luftuar për mbijetesë. Ajo që më ka bërë së shumti përshtypje është vullneti i qytetarëve për jetë edhe pse ishin të rrethuar ata vazhduan të jenë kreativ, artistët bënin art, regjisorët bënin filma, profesorët nuk e ndaluan mësimin, pra kishte akoma jetë kulturore në ato rrethana të vështira”, tregon Lowe për Tëvë1.

Ai rrefën për momentin më prekës gjatë kohës sa qëndroi në Sarajevë.

“Momenti më i vështirë për mua ishte në vitin 1994 gjatë një armëpushimi në dimër. Serbët e kishin zakon të bënin armëpushim dhe të heshtnin për disa ditë por befas më pas gjuanin. Ishin disa fëmijë të vegjël rreth moshës 6-7 vjeçare që luanin me topa bore dhe po rrëshqisnin me sajë. Disa prej tyre duke luajtur u goditën për vdekje. Ishte tepër e rëndë kur më pas i pamë ato trupa ne morg. Është shumë e ngjashme më atë që po shohim sot në Gaza”, shprehet fotoreporteri britanik

Paul Lowe tregon se për një kohë të shkurtër ka mbuluar disa ngjarje edhe në Kosovë gjatë vitit 1999.

“Për një kohë të shkurtër kam raportuar edhe për luftën në Kosovë gjatë prillit të vitit 1999 kur shqiptarët po dëboheshin nga vendi i tyre. Shumë prej tyre u larguan në drejtim të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Ata ishin të dërrmuar dhe nuk kishin asgjë me vete, me të vërtetë ishin pamje rrëqethëse. Më kujtohet shumë mirë ishte një person i maskuar me kallashnikov që i detyronte shqiptarët të largoheshin sa më shpejtë nga Kosova. Ju thoshte i keni vetëm edhe 5 minuta kohë të ikni”, ka treguar Lowve

Paul Lowe ka punuar si fotoreporter që nga viti 1988, duke mbuluar ngjarje të rëndësishme në mbi 80 vende, duke përfshirë rënien e Murit të Berlinit, shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe shkatërrimin e Jugosllavisë.

Të ngjashme