Lajme
Rreth 90 raste të sulmeve nga qentë endacakë për tri vite
Demokracia
19:01 | 17 Mars 2021
ilustrim

Share:

Qentë endacakë vazhdojnë të jenë një ndër problemet permanente me të cilin është përballur Prishtina, por edhe qytetet e tjera në Kosovë.

Këto raste zakonisht raportohen në polici nga qytetarët, ndërsa ka edhe të tilla që përfundojnë edhe me dëme të mëdha.

Policia e Kosovës, në një përgjigje për Demokracia.com, ka treguar pasqyrën e raportimeve të qytetarëve ndaj rasteve të sulmeve nga qentë endacakë, gjatë periudhës 2018-2020.

33 raste të sulmeve nga qentë endacakë gjatë vitit 2018

Sipas Policisë së Kosovës në vitin 2018 janë raportuar 33 raste të sulmeve nga qentë endacakë, në të gjitha rajonet e Kosovës.

Në Prishtinë brenda vitit 2018 janë raportuar 20 raste të sulmeve nga qentë endacakë, derisa në Gjilan dhe Ferizaj janë raportuar vetëm nga një (1) rast dhe 11 raste në komunën e Pejës, ndërsa në Gjakovë, Prizren dhe Mitrovicë nuk është raportuar asnjë rast i sulmeve nga qentë endacakë.

Viti 2019 u karakterizua me 5 raportime më pak, nga viti 2018 ndaj sulmeve nga qentë endacakë në të gjitha komunat e Kosovës.

Sipas përgjigjeve të policisë për Demokracia.com, gjatë vitit 2019 janë raportuar 28 raste të sulmeve nga qentë endacakë.

Komuna e Prishtinës prin në raportimet e qytetarëve nga sulmet e qenve endacakë, kështu që në vitin 2019 në kryeqytet janë raportuar gjithsej 13 raste të raportimit nga sulmet e qenve endacakë.

Ndërkaq, Gjakova, Mitrovica e Jugut dhe Prizreni kanë shënuar vetëm nga një (1) rast të raportimit nga sulmi i qenve endacakë, ndërsa Peja u karakterizua me nëntë (9) raste dhe Ferizaj me tri (3) raste të raportimit nga sulmet e qenve endacakë. Zero raste të raportimit nga sulmet e qenve endacakë u shënuan në komunën e Gjilanit dhe Mitrovicën e Veriut.

Viti 2020 u shënua më 28 raste të raportimit nga qentë endacakë

Deri më 30 nëntor të vitit 2020, sipas policisë janë raportuar 28 raste të ngacmimit nga qentë endacakë, derisa Prishtina karakterizohet me më së shumti raste, gjithsej dhjetë (10) prej tyre. Qytetet e tjera të Kosovës me më pak raste, si Mitrovica e Veriut dhe ajo e jugut me nga një (1) rast. Me nga pesë (5) raste u shënua Ferizaj dhe Peja, ndërsa Gjakova me dy (2) raste dhe Prizreni me katër (4) raste. Me zero (0) raste u karakterizua vetëm komuna e Gjilanit, raporton Demokracia.com.

Këtë vit pritet të ndërtohet strehimorja për kafshët endacake

E komuna me më së shumti raportime të rasteve të sulmeve nga qentë endacakë, thotë se po i trajton në vazhdimësi, sipas kushteve të përcaktuara me ligj.

Në një përgjigje për Demokracia.com, Komuna e Prishtinës deklaroi se qentë endacakë merren në terrene të caktuara, trajtohen dhe shërohen e më pas lirohen në vendin ku janë marrë. Ndërkaq, për kafshët që paraqesin rrezik, për ndonjë sëmundje infektive, nuk lëshohen të lira, por trajtohen në bazë të ligjit, në mënyrë që të mos paraqesin rrezik për qytetarët.

“Komuna e Prishtinës në vazhdimësi është duke i trajtuar qentë endacakë konform kushteve të përcaktuara me Ligjin nr.02/L-10 për kujdesin ndaj kafshëve, Udhëzimin Adminstrativ (MBPZHR) nr.04/2017, Udhëzimin Administrativ nr.01/2018  dhe kontratës të cilën e kemi në realizim. Në bazë të dokumenteve zyrtare që cekëm më lart dhe kontratës, qentë endacakë merren në terren, trajtohen, shërohen dhe pas afatit ligjor lëshohen të lirë në vendin ku edhe janë marrë. Me përjashtim të atyre kafshëve të cilat janë të rrezikshme apo paraqesin rrezik nga ndonjë sëmundje infektive (me konstatim të veterinarit), të cilët nuk lëshohen të lirë, por trajtohen në bazë të ligjit, në mënyrë që mos të paraqesin rrezik për qytetarë. Por, largimi i tyre në tërësi është i pamundur, ngase nuk ka vend të veçantë të izoluar vetëm për qentë endacakë”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Ndërkaq, kjo komunë bën të ditur se me qëllim të uljes së agresivitetit të qenve endacakë, ka vendosur pesë (5) pika ushqyese, në lagje të ndryshme të qytetit, të cilat furnizohen me ushqim në baza ditore.

Komuna në përgjigjen e saj thekson se në vazhdimësi ka marrë hapa konkret ligjor për trajtimin dhe ushqyerjen e tyre.

“Me qëllim të zvogëlimit të agresivitetit të tyre për shkak të urisë, ne kemi vendosur 5 pika ushqyese, në lagje të ndryshme të qytetit, ku për çdo ditë i furnizojmë me ushqim.

Numri i madh i qenve endacakë dhe nevojës për parandalimin e rrezikut nga ta, komuna në vazhdimësi ka marrë hapa konkret ligjor për trajtimin dhe ushqyerjen e tyre.

Eliminimi i tyre nuk lejohet me asnjë akt ligjor apo nënligjor, përveç rastit që ceka më lartë”, thotë Komuna e Prishtinës për Demokracia.com.

Nga Komuna e Prishtinës thuhet se këtë vit është paraparë edhe ndërtimi i një strehimoreje për trajtimin e kafshëve endacake, deri sa kontrata pritet të fillojë të realizohet pas përmirësimit të kushteve atmosferike.

“Me qëllim të rritjes së kapacitetit të trajtimit, këtë vit ne kemi paraparë edhe ndërtimin e një strehimoreje për trajtimin e kafshëve endacake. Kontrata pritet të fillojë të realizohet pas përmirësimit të kushteve atmosferike. Me këtë projekt planifikohet të bëhet zgjidhje afatgjatë për qentë endacakë, sa i përket trajtimit të tyre”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Nga Komuna e Prishtinës bëjnë të ditur se po ballafaqohen me numër të madh të qenve endacakë edhe si shkak i migrimit të tyre nga qytetet e tjera, pasi që dihet se qentë nuk kanë territor të kufizuar të lëvizjes.

“Komuna e Prishtinës ballafaqohet me problemin e numrit të madh të qenve endacakë, për shkak të migrimit të tyre edhe nga qytetet tjera pasi që ata nuk kanë territor të kufizuar të lëvizjes, pasi që këtu mund të gjejnë hapësirë më të madhe për jetesë dhe ushqim, por edhe nga prurjet nga vendet përreth, mandej nga lëshimi i qenve me pronar nga pamundesia për t’u kujdesur më gjatë për ta. Prandaj duhet të kemi parasysh që problemi me qentë endacakë, nuk është vetëm në nivel lokal që prek Komunën e Prishtinës, por është në nivel vendi dhe numri i tyre është rritur në masë të madhe”, pohojnë nga Komuna e Prishtinës.

Ndërkaq, zgjidhja e këtij problemi është ngritur deri në nivelin qeveritar dhe në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në mënyrë që trajtimi i tyre të bëhet në nivel vendi dhe jo të mbetet në nivel lokal, sepse po të trajtohej lokalisht efekti do të ishte jo i kënaqshëm.

“Për zgjidhjen e këtij problemi, ne si Komunë e Prishtinës e kemi ngritur shumë herë këtë problem deri në nivel qeveritar dhe AUV-i, në mënyrë që trajtimi i tyre të bëhet në nivel vendi përndryshe, nëse shkojmë në mënyrë selektive vetëm në Komunën e Prishtinës, efekti është në shkallë jo të kënaqshme”, përfundohet në përgjigjen nga Komuna e Prishtinës.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në një raportim zyrtar që i kishte dërhuar më herët DASH-it, kishte thënë se edhe para COVID-19, Kosova është vend i vështirë për të shërbyer, me ndotje të lartë të ajrit, pak hapësira të gjelbërta, pak mundësi për aktivitete në natyrë dhe me infrastrukturë të keqe. Madje, Kosnett kishte thënë se Prishtina ka “tufa të kudondodhura të qenve endacakë”, që mund “të jenë agresivë kur janë në kërkim të ushqimit”. Për këtë dhe arsye të tjera, ai kishte thënë se stafi i tyre në masë të madhe janë mbyllur brenda gjatë krizës së COVID-19. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme