Diaspora
Rreth 8 mijë vota të pavlefshme nga mërgata, LVV-ja paralajmëron ndryshim të ligjit për votim
Demokracia
11:42 | 22 Shkurt 2021

Share:

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, ka reaguar për numrin e madh të votave të pavlefshme nga diaspora, ku sipas organizatës GERMIN deri tani janë afro tetë mijë vota të pavlefshme. 

Numri i votave të pavlefshme nga diaspora, që sipas organizatës joqeveritare GERMIN, deri më tani ka arritur në 7 mijë e 670, ka bërë të që reagojë Lëvizja Vetëvendosje, shkruan Demorkacia.com.

Zëdhënësi i këtij subjekti politik, Përparim Kryeziu, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka thënë se duke e parë këtë situatë duhet të ndryshohet mënyra e votimit nga jashtë.

Sipas tij, me t’u formuar institucionet, Lëvizja Vetëvendosje ndër hapat e parë që do të ndërmarrë në Kuvendin e Kosovës do të jetë ndryshimi i ligjit për zgjedhje, në mënyrë që sipas tij, mërgata të mund të votojë nëpër ambasada apo konsullata.

“Me t’u formuar institucionet, ndër hapat e parë që Lëvizja VETËVENDOSJE! do të ndërmarrë në Kuvend është ndryshimi i ligjit ashtu që mërgata të ketë të drejtë të votojë edhe në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës. Bashkatdhetarët janë qytetarë të Republikës. Ata janë pjesë e pandashme e zhvillimit të vendit dhe vendimmarrjes në vend”, ka shkruar ndër të tjerash Kryeziu.

Postimi i plotë i Kryeziut në Facebook:
Numri i madh i raportuar i votave të pavlefshme nga mërgata është dëshmia përfundimtare që procesi i votimit nga jashtë duhet të ndryshohet menjëherë.
E drejta për të votuar është e drejtë dhe njësi themeltare e demokracisë, për çka shteti demokratik dhe institucionet e tij kanë përgjegjësi që të gjejnë mënyrat më të përshtatshme për të garantuar ushtrimin e saj.
Procesi i votimit duhet gjithmonë të jetë i lehtë dhe inkurajues.
Nëse nga rreth 200 mijë të regjistruar për votim nga jashtë dhe qindra euro pagesa për shërbim postar, një numër shumëfish më i vogël i tyre mbërrijnë në Kosovë me kohë, e shumëfish më i vogël numërohen si vota të vlefshme atëherë këtu problemi është sistemor e institucional.
Prandaj edhe ndërhyrja duhet të jetë e këtillë.
Me t’u formuar institucionet, ndër hapat e parë që Lëvizja VETËVENDOSJE! do të ndërmarrë në Kuvend është ndryshimi i ligjit ashtu që mërgata të ketë të drejtë të votojë edhe në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës. Bashkatdhetarët janë qytetarë të Republikës. Ata janë pjesë e pandashme e zhvillimit të vendit dhe vendimmarrjes në vend./Demokracia

Numri i madh i raportuar i votave të pavlefshme nga mërgata është dëshmia përfundimtare që procesi i votimit nga jashtë…

Posted by Perparim Kryeziu on Monday, February 22, 2021

Të ngjashme