Lajme
Rreth 250 mijë euro rroga: Përfitimet e deputetëve të Listës Serbe pa shkuar kurrë në Kuvend
Demokracia
19:59 | 11 Shkurt 2024

Share:

10 deputetë të Listës Serbe u betuan në mesin e nëntorit të vitit 2022, pas dorëheqjes që dhanë deputetët e kësaj partie aso kohe. Megjithatë, si ata të parët, si këta pasues, sjelljet i kanë të njëjta.

Kur janë bërë më shumë se 1 vit që kanë dhënë betimin e tyre në Kuvendin e Kosovës, 10 deputetë të Listës Serbe shihen në seanca plenare një herë në gjashtë muaj.

Kjo vetëm për ta vazhduar mandatin, duke shfrytëzuar kështu zbrazëtirat ligjore.

Pavarësisht kësaj, 10 deputetëve serbë rroga iu ecën normalisht. Madje, në bazë të një përllogaritje që nga nëntori i vitit 2022 kur janë betuar, e deri në shkurt 2024, ata kanë përfituar paga rreth 250 mijë euro.

Pra, 250 mijë euro rroga, pa shkuar kurrë në vendin e tyre të punës, në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë vitit 2023, paga e deputetit ka qenë 1 mijë e 722 euro. Nëse këtë shumë e shumëzojmë me 10 sa janë deputetë të Listës Serbe, atëherë këta deputetë kanë marrë paga mbi 17 mijë euro në muaj.

E kur llogariten 17 mijë euro në 13 muaj atëherë kjo shuma e pagave shkon në mbi 220 mijë euro. Plus muaji janar i këtij viti ku pagat e deputetëve janë rritur në 1 mijë e 804, atëherë del që gati 250 mijë euro kanë marrë paga këta zyrtare.

Krejt kjo duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, e cila thekson se deputeti mbaron ose humb mandatin vetëm nëse mungon në seanca për gjashtë muaj rresht.

“Mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse: (1) nuk bën betimin; (2) jep dorëheqjen; (3) emërohet anëtar i Qeverisë së Kosovës; (4) përfundon mandati i Kuvendit; (5) mungon gjashtë (6) muaj rresht në seancat e Kuvendit. Në raste të veçanta, Kuvendi i Kosovës mund të vendosë ndryshe; (6) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim; (7) ajo/ai vdes”, thuhet në Kushtetutën e Kosovës.

Deputetët serbë, pak pa u bërë gjashtë muaj, shkojnë nënshkruhen në seancë, qëndrojnë pak minuta dhe largohen, për ta vazhduar mandatin edhe për gjashtë muaj të tjerë.

Glauk Konjufca kryetar i Kuvendit të Kosovës tha se kjo sjellje e Listës Serbe është një papërgjegjësi të cilën ata në vazhdimësi e kanë treguar si sjellje në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Ne për t’i mbajtur më shumë në përgjegjësi jemi duke e ndërtuar një kod të etikës sepse Rregullorja e Kuvendit vërtetë bazohet në Kushtetutë dhe Kushtetuta është mjaft liberale sa i përket deputetit dhe nuk mund t’ ika marrësh mandatin deputetit. Mirëpo kodi i etikës të cilin jemi duke e përpiluar sepse Kuvendi i Kosovës ka qenë njëri nga parlamentet e vetme në Evropë i cili nuk ka kod të etikës. Në kod të etikës parashihen disa masa më të ashpra sa u përket të gjithë deputetëve të cilët nuk e ushtrojnë me përgjegjësi man datin e tyre prej të zgjedhurit të popullit”, tha Konjufca.

Përveç pagave që marrin nga Kuvendi i Kosovës, shumica e këtyre deputetëve por edhe zyrtarëve tjerë të lartë të Listës Serbe, marrin paga edhe nga buxheti i Serbisë.

Të ngjashme