1 mijë e 180 raste të reja të infektimeve me koronavirus janë regjistruar nga e hëna e deri më sot. Ministria e Shëndetësisë ka raportuar se vetëm të dielën janë regjistruar 304 raste të reja, duke shënuar kështu numrin në të lartë të infektimeve që nga muaji shtator kur në vend ishte prezent varianti Delta.
Tashmë Kosova është duke u prekur nga varianti i ri i COVID-it “Omicron”. Deri më tani autoritete shëndetësore kanë raportuar 17 raste të infektimeve me këtë variant.
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk ka njoftuar për raste të reja me variantin “Omicron”, gjatë këtyre ditëve.
Ushtruesit i Detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj për Demokracia.com tha ditë më parë se të infektuarit nuk janë duke marrë trajtim në këtë klinikë.
Vishaj ka thënë se mundësia e diagnostikimit të pacientëve ka qenë deri më tash e limituar.
“Në Klinikën Infektive nuk e kemi pas ndonjë pacientë të shtrirë, e që ka qenë i konfirmuar me ‘Omicron’, por mbase me siguri ka në komunitet pacientë të tillë. Mirëpo mundësia e diagnostikimit të tyre, ndoshta ka qenë deri më tash e limituar, por si do që të jetë me qenë se shumica infeksioneve vijnë nga vendet ku tashmë ‘Omicron’ është prezent, me gjasë edhe te ne do të jetë ky variant në qarkullim”, tha Vishaj.
Aktualisht në vend janë 1 mijë e 552 raste aktive me COVID-19.
Nga fillimi i pandemisë e deri më sot numri i të infektuarve është 162 mijë e 677. 2 mijë e 991 prej tyre kanë humbur betejën me këtë virus, ndërsa 158 mijë e 134 persona janë shëruar nga koronavirusi./Demokracia.com/