Intervista
Rrënja jonë mëmë – shqiptarizmi!
Demokracia
12:02 | 22 Qershor 2024

Share:

Opinioni shqiptar tanimë ju njeh si studiues i përkushtuar, personalitet që keni bërë shumë për kulturën arbëreshe, për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe identitetit të shqiptarëve në atë regjion. Prej nga ky vullnet për këtë punë kolosale?

Antonio Bellusci: Është një vullnet i cili më buron nga nëna, nga mëmat dhe etërit tanë, të cilët erdhën në katundin tim arbëresh Frasnita, (Frascineto, Cosenza), i themeluar pas vdekjes së Skënderbeut. Sipas një dokumenti i cili flet për origjinën e katundit, tregohet se si janë vendosur të parët tanë në fshat. Dokumenti tregon se, kur kanë ardhur të parët tanë këtu, te kjo tokë e huaj, pronarët të cilët ishin peshkopët italianë, i pranuan ata dhe i angazhuan që të nënshkruanin disa marrëveshje, që nënkuptonte se për shërbimet që kryenin, duke filluar edhe nga bluarja e grurit në mulli, u duhej të paguanin doganë. Me një fjalë, të parët tanë u përballen me shumë vështirësi dhe jetuan në kushte shumë të rënda.

Pra, në këto rrethana, fillon origjina e një identiteti, një identitet që vjen nga larg. Është një rrënjë e shkëputur, e cila pavarësisht që është e shkëputur nga rrënja mëmëzore, kjo rrënjë gjen ushqime të tjera nga vendi ku është. E, kjo përfaqëson identitetin tim, nëna, babai dhe familja.

Dalëngadalë, ky identitet vjen e forcohet, së pari me studime në Gjimnazin – Liceun e Grottaferrata (Romë), pastaj, studimet në Universitetin Papnor Gregorian, (Romë) 1962, e me vonë edhe me diplomimin tim në Filozofi dhe Leje në Teologji me tezën e mëposhtme: “Platonis Epinomis: Epinomis 380c7-D7”. Emigrimet e shqiptarëve, ishin të shumta e të përballura me shumë sfida e sakrifica për të ruajtur identitetin. Ky identitet, që siç thuhet ’një fjalë kështu e bjerrë’, por nuk është e ‘bjerrë’ por është e ‘stisur’ tek një ndërgjegje, te kjo ndërgjegje e lindur, për të ruajtur identitetin e të parëve tanë. Dhe, për këtë njeriu duhet të ketë një bindje të brendshme, shpirtërore. Mendoj se, nëse nuk është i bindur njeriu nuk bënë asgjë. Të jetë i bindur njeriu, duhet të ketë ndërgjegje të fortë, në mënyrë që ajo që thotë dhe ajo që bënë, të ketë vlerë jo vetëm materiale, por mbi të gjitha një vlerë shpirtërore. Kur themi shpirtërore, themi humane, e humanizmi do të thotë dashuria ndërvëllazërore arbërore shqiptare, do të thotë bashkimi dhe dashuria ndaj vendit tonë, mëmëdheut tonë! Kujtojmë Kuvendin e Lezhës, që për arbrit, për shqiptarët është një ngjarje madhështore, sepse lindi ndërgjegjja për kombin, dhe tregoi se toka e Shqipërisë nuk është vend i huaj. Edhe ju këtu u përballët me pushtuesin, por më në fund fitoj drejtësia, se këtu është toka jonë, toka dardane. Pra, edhe ju i treguat pushtuesit se nuk duroni askënd t’u bjerë në qafë, sepse jemi liridashës, jemi vend i varfër, por duam të jemi në liri. Kjo ndërgjegje që jep këtë mundësi, filloi që nga miti i Skënderbeut në Kuvendin e Lezhës, që u fut në zemrat e arbëreshëve. Ne kemi kaluar nëpër shumë sfida, por megjithatë bëjmë përpjekje që t’i ruajmë gjurmët tona të arbrit. Edhe këtë vit kam ardhur në Prishtinë me tre djem nga katunde të ndryshme arbëreshe. Ata ndihen shumë të lumtur, këndojnë shqip këngët e motit të madh të Skënderbeut. Dhe them, si është e mundur kjo, nga vjen ky gëzim i madh, që të sforcon shpirtin dhe mendjen. Pra, identiteti ka shumë ngjyra që e bëjnë të thellë e të fortë rrënjën mëmë, që është shqiptarizmi. Mëma ime ishte shqiptare, babai im ishte shqiptar, arbëresh.

Kisha arbëreshe një kështjellë, ku gjuha shqipe ’lulëzon, trashëgon, këndon’!

I nderuar Bellusci, sa ruhet gjuha, kultura dhe traditat tona tek arbëreshët?

Antonio Bellusci: Ne në vendin ku jemi kemi një dhuratë të madhe, sepse nuk jemi të humbur, siç ndodhi tek emigracioni shqiptar në vende të tjera. Thuhet se rreth vitit 1990 kanë shkuar në Itali më se 150.000 shqiptarë, në gjithë krahinat e Italisë. Po ku janë ata, ku mund t’i gjejmë… Janë të gjithë të asimiluar, nuk flasin shqip! Fatkeqësisht, edhe tek katundi im janë disa që nuk flasin shqip. Dhe ua tërheqë vërejtjen, u them ne jemi që moti këtu por flasim shqip. Por ata sikur kanë një urrejtje shpirtërore prej vendlindjes. Lidhur me pyetjen që më bëre, mund të them se në gjithë katundin tim e mbajmë traditën dhe gjuhën tonë, sepse unë jam arbëresh, e italiani është i huaj. Ne themi se ai është i huaj, se ai nuk dinë gjuhën time dhe origjinën time, kurse ne dimë gjuhën e tyre. Kjo i sjellë edhe një inat atyre, sepse jemi më të zgjuar. Identiteti ynë është një identitet i hapur, ne respektojmë edhe tjerat kultura. Pra, shpirti i arbërit është i butë, nga dhjetëra anë është shumë i urtë, shumë i hapur.

Situata e sotme politike dhe ekonomike ka ndryshuar, tanimë nuk është ajo familja bujqësore, por është postindistruale. Problemi është se te katundet tona martohen mbi moshën 30 – vjeçare. Ata të rinj që kryejnë shkollë dhe marrin diploma detyrohen të largohen në veri sepse nuk gjejnë punë në fshat. Me këtë ikje gjuha humbet dalëngadalë, sepse mungon rrënja, ato degët të shumta. Ato degët që kishte lisi më parë, (e që degët janë fëmijët, dhe fëmijët nuk janë më), sepse tani është zvogëluar edhe numri i lindjeve. Pra zvogëlohet rinia. Në këtë kuptim edhe gjuha humbet, jo pse nuk e duan. Prindërit qëndrojnë vetëm në katunde, gjuha varfërohet, katundi varfërohet. Por është kisha arbëreshe, prifti arbëresh, dhe deri sa të bije kambana e kishës, do të ruhet gjuha dhe tradita arbëreshe.

Në kishën arbëreshe, janë peshkopët arbëreshë të cilët me ritin bizantin, pra me ritin e të parëve tanë, të cilët erdhën nga Himara e nga Dibra në shekullin XV. Roli i kishës është shumë i madh, pasi kemi ritet shqip, kemi lutjet shqip, kalimeret e Varibobës i kemi shqip. Pra kisha është një kështjellë, ku gjuha shqipe lulëzon, trashëgon dhe këndon.

I nderuar Bellusci, me vete keni edhe disa botime si: “Antologji e arbëreshe, në prozë dhe poezi gojore” pastaj jeni edhe drejtor i revistës arbëreshe “Lidhja” e themeluar në vitin 1980. Çka mund të na flisni për këto botime dhe rëndësinë e tyre?

Antonio Bellusci: Unë kam botuar 12 libra, këtë që kemi këtu është “Antologjia arbëreshe” proza gojore, për veshjet, këngët arbëreshe dhe ju dedikohet shkollave. Ndërsa tjetra është Antologji arbëreshe, ku janë përfshirë këngët, lojërat për rininë, ninullat, etj. Këtu kam edhe librin “Arbërorët – Arvanit. Një popull i padukshëm” – Kërkime etnografike në Helladhë/ Gli arbërori – Arvaniti – Un popolo invisibile/ Ricerche etnografiche nell’Ellade (1965 – 2000) – Testi e documenti di cultura orale raccolti in 37 paesi albanesi nelle regioni dellìAcaia, Corinzia, Argolide, Attica. Beozia e Locride/ Presentazione di: Prof. Agron Xhagolli di Tirana (Albania); Prof. Zymer Neziri di Prishtina (Kosova); Avv. Vangjel Ljapi di Mandra – Elefsina (Grecia), Editore Centro Ricerche G. Kastriota, Frascineto 2004, pp. 350.

Botimet i kemi, librat janë, por mjerisht në shkollat italiane nuk është e rregulluar me ligj që mësimi i gjuhës shqipe të jetë i obligueshëm. Shteti italian arsyetohet se s’kanë mundësi financiare. Jemi shumë të dëshpëruar nga kjo pikëpamje (pra mos rregullimi me ligj i mësimit të gjuhës shqipe në shkolla). Edhe në Universitet në Kozencë, në Romë, në Palermo, ka literaturë shqipe.

Profesor Anton Nikë Berisha na bënë të ndihemi krenar

I nderuar Bellusci, në njërin nga Universitetet atje, ligjëron edhe një profesor dhe studiues i nderuar nga Kosova, Anton Nikë Berisha. Si e vlerësoni kontributin e tij në atë Universitet, për përhapjen e kulturës shqiptare?

Antonio Bellusci: Kontributi i Anton Nikë Berishës është shumë i madh, prania dhe puna e tij na bënë të nderuar, na bën të ndihemi krenar me punën dhe angazhimin e tij. Puna e tij me studentë është e shkëlqer. Por është ligji ai që shumicës së këtyre studentëve që diplomojnë te profesor Anton Nikë Berisha, Profesor Franceso Altimari, nuk u jep mundësi ta japin kontributin e tyre për mësimin në gjuhën shqipe – arbërore fëmijëve arbëresh, ngase mësimi i gjuhës shqipe nuk është i obligueshëm, d.m.th. është fakultativ.

A do të thotë kjo se mungesa e ligjit, është një handikap që pengon mësimin në gjuhën shqipe?

Antonio Bellusci: Po e pengon, dhe kjo më dhemb shumë, më besoni më dhemb në shpirt. U bënë ligji për këtë për bilinguizëm, por ligji është ‘sakat’ jo vetëm me një këmbë por me të dy këmbët! Nuk jep para për këta studentë që mbaruan universitete, nuk bënë ndonjë konkurs, si dhe mësimi i gjuhës shqipe nuk është obligues. Janë 30 katunde arbëreshe ku nuk bëhet mësimi në gjuhën shqipe as në shkollën fillore, ose bëhet për një kohë, e pastaj thuhet se nuk ka para!

Duhet të bëhet një intervenim politik

Sa ka qenë këmbëngulës komuniteti arbëresh atje, që të ndikojë në shtetin italian që mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët tuaj, të jetë i obligueshëm, dhe që, arsimtarët që do të ligjëronin gjuhën shqipe të paguheshin nga shteti?

Antonio Bellusci: Mendoj se për këtë duhet të bëhet një intervenim politik. Ky intervenim duhet të vije nga Shqipëria. Ne jemi një popull i padukshëm, sepse akoma jetojmë me kujtimin e Jeronim De Radës. Këto ligje që nuk i kemi, për të drejtat tona, për të mbajtur gjallë historinë tonë, rrënjën tonë, janë shumë sfiduese për ne. Ligji nuk obligon këtu gjëra të tilla. Shpresoj që në të ardhmen, kur të vjen momenti që Shqipëria të hynë në Evropë, me paratë që i jep Parlamenti Evropian për pakicat gjuhësore, historike siç jemi ne arbëreshët, ndoshta mund të lëvizë diçka për të mirë për neve arbëreshëve në Itali. Kështu bënë Greqia për komunitetin grekë që jetojnë në Kalabri. Greqia merr para nga Parlamenti Evropian dhe i dërgon pedagogët të cilët i paguan Evropa.

D.m.th. jeni të mendimit se duhet gjendur rrugët nga shteti shqiptar që juve t’ju ndihmojnë?

Antonio Bellusci: Po, mendoj se duhet bërë ligjet, duhet gjendur rrugët. Unë nuk di të bëjë ligje, ligjet i bëjnë diplomatët.

Letërsia gojore – vlerë universale

I nderuar Bellusci, t’i kthehemi Seminarit dhe referimit tuaj, “Letërsia gojore te Arbërorët e Greqisë”, cila është ideja e këtij referimi?

Antonio Bellusci: Ky titull është si një grusht në sy. Pse letërsi gojore? Kur themi gojore, fjala gojore të sjellë tek populli që jeton duke i përcjellë rrëfimet gojë më gojë.

Ato të dhëna gojore janë të një niveli të lartë, që është letërsi gojore. Kjo letërsi ka vlera universale, të shkëlqyera, që vijnë nga një popull pa kulturë sipas mendimit të sotëm. Sipas pikëpamjeve antropologjike, kultura ka shumë degë, përmban njeriun i cili punon dhe përparon, kapërcen çdo vështirësi. Letërsi gojore, rrjedhë nga një popull i padukshëm, i cili nuk është në sipërfaqe, nuk është i njohur dhe nuk ka asnjë të drejtë, por tregimet e tij i përcjellë gojë me gojë, zemër me zemër. Prurjet shkencore të cilat i kam sjellë në këtë referim, për këtë popull të padukshëm, me këtë kodifikim nga mbledhja gojë më gojë e këtyre tregimeve, ato u vunë në letër u bënë letërsi e shkruar.

Një pjesë të këtyre tregimeve gojore nga letërsia e arbërorëve të Greqisë i kam përmbledhur edhe në librin ”Arbërorët – arvanitas/ Një popull padukshëm”-Kërkime etnografike në Greqi/ Arberori – arvanitasit/ Një popull padukshëm – Hulumtime etnografike (1965-2000). Tekste dhe dokumente të kulturës gojore arbërore të mbledhura në 37 katunde arvanite. Në këto punime kemi këngë, vjersha dashurie, intervista me këta vëllezër arbëreshë, ku pimë një gotë me verë, nderohemi, gëzohemi. Janë pjesë të rëndësishme që vijnë nga këta vëllezër të pashkollë që asnjeri nuk i vlerësojë, e që për mua këta njerëz, janë krijues popullor, janë të mëdhenj. Këtu ka edhe fotografi të shumta, dhe ajo që është më e rëndësishmja, janë të shkruara me alfabet shqip. Edhe arbërorët e Greqisë i kanë disa botime për kulturën e tyre popullore gojore, por me alfabetin grek. Por, alfabeti grek nuk mund t’i pasqyrojnë gjithë bukuritë e këtyre tregimeve sepse është një alfabet i dobët.

Vëllezërit arbërorë në Greqi i porosisja të shkruanin shqip

I nderuar Bellusci, a ruhet edhe sot letërsia gojore te arbërorët e Greqisë si vlerë kombëtare?

Antonio Bellusci: Unë kam shkuar shumë herë atje. Të gjitha këto katunde, të gjithë këta arbërorë të shpërndarë, janë urbanizuar, d.m.th. kanë ikur shumë nga katundet arbërore. Me të shkuar në qytete, shumica prej tyre janë asimiluar. Unë kam disa letra të shkruara shumë bukur me alfabet shqip nga ata vëllezër arbëror atje. Më pyesnin se kush na lexon neve atje, dhe unë u thosha shkruani, sepse ne këtu në Itali i botojmë shqip dhe në përkthim italisht.

Edhe ju, u thosha vëllezërve të mi arbërorë në Greqi, shkruani shqip, e pastaj përktheni në greqisht.

Flamuri shqiptar valëvitet në ballkonin e shtëpisë sime

Z. Belushi, jeni prift arbëresh me shtetësi shqiptare me dekret të Presidentit, Tiranë, 13.01.1994, çka do të thotë kjo për Ju?

Antonio Bellusci: Kjo për mua do të thotë shumë, më ka nderuar pa masë. Jam i vetmi arbëreshë që kam këtë nderë të madh nga shteti shqiptar. Këtë nderë ma bëri Presidenti dr. Sali Berisha për meritat e mija kulturore. Unë kam pasaportë shqiptare. Më besoni, kur vijnë shqiptarët në katundin ku unë jetoj, e marr flamurin shqiptar dhe e valëvis në ballkon.

Medalja nga Presidenti Rugova më nderoj shumë

Jeni edhe Doctor Honoris Causa në Etnologji nga Akademia e Shkencave, Tiranë, 15.05.1995, si dhe keni marrë Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga dr. Ibrahim Rugova, President i Kosovës, Prishtinë, 10.06.2003. Sa ju nderojnë dhe sa u bënë të lumtur ky vlerësim nga Shteti Shqiptar?

Antonio Bellusci: Vërtet ndihem shumë i nderuar, aq më tepër për vlerësimin e punës sime nga Akademia e Shkencave e Tiranës dhe profesor Shaban Demiraj, i cili më jep këtë titull, për një punë madhështore, e para ndër studimet dhe kërkimet për arbërorët e Italisë në një tirazh prej 500 faqesh, ku vura në dukje letërsinë e këtyre vëllezërve. Kur ata panë (vëllimin e dytë për arbërorët e Greqisë), mbetën të mahnitur. Ishte një punë që nuk kishte mundur ta realizonte një Institut i tërë, kurse unë e kisha realizuar i vetëm, me mjetet e mija financiare. Vura në dukje një popull shqiptar, me tradita shqiptare, me letërsi shqiptare. Tek arbërorët e Greqisë është edhe problemi politik, është problemi i Vori Epirit që e cilësojnë si tokë të tyre, kurse unë kam në katalog 900 katunde arbërore të dokumentuara nga vëllezërit e mi arbëror. Një shkrimtar bëri një recension ku e cilëson: Puna e Belluscit është një mal me argumente. Me një fjalë i vura në krizë, pasi që unë si prift, me punën time, me paratë e mija, me djersën time desha të hedhë dritë mbi këta vëllezër e motra shqiptare – arbërore, sepse i kam në zemër. Prandaj doktorata më nderoj shumë.

Por, edhe Medalja nga Presidenti Rugova më nderojë shumë. Kujtoj ato vite të vështira, ku unë isha në Nju York, bashkë me ata vëllezër në Amerikë, në kohën kur atje ku erdhi për vizitë dr. Ibrahim Rugova, akademik Idriz Ajeti, etj, e ku unë punoja atje për çështjen e Kosovës.

Ju njiheni edhe për shumë udhëtime në vende të ndryshme në botë, cili është qëllimi i këtyre udhëtimeve?

Antonio Bellusci: Po, kam bërë shumë udhëtime, jam edhe një gazetar udhëtarë.

Bëra shumë udhëtime, në Australi, në Kanada, në Greqi, në Evropë, kudo, për të vlerësuar gjendjen dhe situatën e arbëreshëve dhe emigrantëve shqiptar ku do që janë.

Çdo shqiptar është im vëlla!

Jemi themelues dhe drejtor i revistës “Lidhja” e themeluar në vitin 1980. Çka përmban kjo revistë?

Antonio Bellusci: Po nisem nga emri lidhje. Çka do të thotë lidhje, lidhje me çdo njeri, pa pengesa ideologjike e fetare, Lidhja do të thotë: “Arbëresh je TI, mos e harro, shpirtin e mëmës TI në zemër trashëgo’. Tek i pari editorial i “Lidhjes” shkruaja: “Ti arbëresh të lidhesh me kulturën e vendit, ti arbëresh nëse jeton te qyteti, të krijosh lidhje me katundin tënd ku janë varret e të parëve Tuaj! Të lidhesh me shqiptarët që janë në Shqipëri, me shqiptarët që janë në Kosovë. Pastaj lidhje me shqiptarët në Amerikë, Kanada e Australinë e largët. Është një fjalë, një program. Një lidhje shpirtërore. Për këtë bëra një studim. Çka do të thotë kombësi. Arbëreshët në vitin 1700 folën për kombin shqiptar. Ç’është kjo kombësi shqiptare për arbëreshët, kur Shqipëria nuk ekzistonte si shtet!

Kombi janë rrënjët tona shpirtërore, besimi ynë, gjuha jonë, zakonet zona, kujtimet tona. Gjithë kjo pasuri kulturore e shpirtërore krijon një komb, me të cilin Ti jeton, jeton ëndrrën dhe bashkëpunon, pa dallime, pa kufizime. Pra një Shqipëri etnike, ku çdo shqiptar është im vëlla. Për këtë arbëreshët kur përqafoheshin me njëri – tjetrin, thoshin, ‘ku je im vëlla, gjaku im i shprishur’. Kjo kishte një domethënie të madhe. Gjaku do me thënë identiteti, kombi.

Në revistë botova shumë shkrime mbi arbëreshët në Greqi, pastaj për shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë, shkova deri në Australi dhe gjeta disa shqiptarë që atje kishin mërguar nga Kosova. Dhe i pyetja ti kush je. Kjo, ‘ti kush je?’, ka shumë kuptim. Titulli i tekstit që botova në “Lidhje” për këto vizita dhe kontakte me vëllezër shqiptarë – arbërorë i titullova “Unë jam”. Pra dhe te Bibla është pyetja: Kush je ti o Zot?, dhe përgjigja e Perëndisë është “Unë jam AI që jam”.

A mund të themi se, edhe shqiptarët e Kosovës gjatë historisë, kanë pasur një udhëtim biblik?

Antonio Bellusci: Po, ishte eksodi, sidomos eksodi i fundit i shqiptarëve të Kosovës të përzërë në mënyrën më brutale nga forcat paramilitare e ushtarake serbe. Por është shumë madhështore edhe kthimi i tyre në vatrat stërgjyshore.

I nderuar Bellusci, faleminderit për intervistën dhe për kohën tuaj të çmuar që ndatë për lexuesit tanë! Suksese dhe punë të mbarë në rrugëtimin Tuaj fisnik!

Bellusci: Unë të falënderoj për respektin dhe këtë bisedë vëllazërore e cila besoj se do të jetë me interes për lexuesin!

Të ngjashme