SHKRUAN: Blerim Shala
Këtë të premte (me 20 tetor), Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, mori pjesë në inaugurimin e Stacionit qendror hekurudhor Prokop, në Beograd.
Kjo ceremoni, siç u tha prej tij, u bë me rastin e 79 vjetorit të çlirimit të Beogradit (në vitin 1944), nga okupatori nazist.
Pak ditë para se të shënohej ky përvjetor me hapjen e Stacionit hekurudhor Prokop, në Beograd, u mbajt një ceremoni tjetër. Kësaj radhe, kushtuar Draža Mihailoviqit, prijësit të Lëvizjes çetnike në Serbi, që ka bashkëpunuar me nazistët, i ka luftuar partizanët dhe ka bërë krime ndaj etnive të tjera.
Mihaloviqit iu përurua shtatorja dhe shtëpia përkujtimore. Ai ka kohë që është rehabilituar, së bashku edhe me ata që kanë bashkëpunuar me të.
I njejti (Mihaloviqi pra), është pushkatuar nga po ata që e kanë çliruar Beogradin në vitin 1944, e në mesin e tyre, lideri serb komunist ka qenë Aleksandar Rankoviq, më pas Shef i UDBA-s (Sigurimit Shtetëror të Jugosllavisë së atëhershme), i cili ra nga pushteti në vitin 1966, në Plenumin e Brioneve, për shkak të keqpërdorimit të UDBA-s, në masë të madhe ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Natyrisht, edhe Rankoviq ka vite që është rehabilituar në historinë dhe në politikën serbe.
E përbashkëta e gjithë këtyre protoganistëve të historisë së re të Serbisë, të cilët ndryshe kanë luftuar kundër njeri-tjetrit deri në shfarosje, është interpretimi suprem i Presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për rolin dhe veprën e tyre.
Që të gjithë këta, gjithnjë sipas liderit të sotëm serb, janë përpjekur që ta fuqizojnë kombin serb dhe Serbinë, prandaj, nuk ka fort rëndësi se si është shpjeguar deri tash roli i tyre në histori.
Nuk ka këtu fare rëndësi që çfarë thotë Vuçiq për gjithë këta, është poashtu në kundërshti me një të vërtetë të etabluar në Evropë dhe në Perëndim se çfarë ka ndodhur në këto hapësira gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Nuk ka këtu aspak rëndësi ta zëmë (dhe ky është një tjetër shembull në këtë kontekst), që Gjenerali serb Ratko Mladić është dënuar me burgim të përjetshëm në Hagë (në ICTY, Tribunalin për krime të luftës në ish-Jugosllavi), për krimet e luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Muralet me portretin e Gjeneralit Mladić gjinden gjithandej Beogradit, dhe pushteti serb i toleron dhe madje i mbronë këto murale.
Shembulli tjetër, më i freskëti, për këtë politikë krejtësisht të çoroditur të Presidentit të Serbisë, lidhet me ngjarjet e njohura në Banjskë të komunës së Zveçanit, katër javë më parë (me 24 shkurt).
Vuçiq, në mbrëmjen e 24 shkurtit, në prononcimin e tij mediatik, u bë thuajse nuk di gjë për këtë zhvillim të rëndë, kur një grup paramilitar serb, i prirë nga Milan Radoičić, kreu sulme terroriste në Kosovë. Për më shumë, Presidenti i Serbisë ua barti fajin serbëve të Veriut për këtë rast.
Kur u kuptua botërisht roli i Milan Radoičićit, (për të cilin gjithë serbët e Veriut e dinë se çfarë detyre dhe çfarë roli ka tek serbët e Kosovës), Presidenti i Serbisë shpalli Ditë zie në Serbi, dhe u dha trajtimin e heronjëve pjesëtarëve të këtij grupi paramilitar të cilët u vranë në përleshjen e armatosur me forcat e rendit të Kosovës.
Por vetëm pak ditë më pas, kur Radoiçiq pranoi rolin e tij në Banjskë, gjithsesi edhe i shtyrë nga presioni i madh i Washingtonit dhe Brukselit për t’u marrë me këtë rast, Vuçiq aktivizoi Zyrën e Prokurorisë publike në Beograd, e cila përpiloi kallëzimin penal ndaj Milan Radoiçiqit dhe grupi të tij, për disa vepra penale, përfshirë këtu edhe rrezikimin e jetëve në Banjskë, për të cilat parashihet dënimi me dhjetëra vite burgim.
Megjithatë, Radoiçiq qëndroi vetëm një natë në burg, apo ai, përkundër peshës së rëndë të krimeve të tij në Kosovë, po vazhdon të jetojë pa kurfarë problemi dhe pengese në banesën e tij në Beograd.
Por, të mos harrojmë që Vuçiq urdhëroi Ditë zie për të njejtit njerëz, të cilët tash e tutje janë të ndjekur penalisht nga vetë gjyqësori i Serbisë.
Nuk ka kush që mund të kuptojë dhe mund të arsyetojë këtë përzierje të madhe politike të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kjo është zatën politika e Serbisë tash e sa vite. Për më shumë, duket që kjo politikë e mbrapshtë do të vazhdoj për kohë të gjatë në Serbi.