Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë ka thënë se veprimi i djeshëm i Serbisë ishte veprim agresor, të cilët rrëmbyen tre zyrtarë të policisë në brendi të territorit të Kosovës.
“Rasti i djeshëm ishte agression ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës që po lufton krimin dhe intencë për eskalim dhe destabilizim në kohën kur ne tashmë kemi propozuar planin 5-pikësh për de-përshkallëzim dhe stabilizim”, tha kryeministri.
Kurti tha se Serbia nuk ka ndryshuar, ndërsa e vlerësoi të çuditshme sjelljen e ndërkombëtarëve.
“I bëjmë thirrje ndërkombëtarëve të bëjnë trysni mbi Beogradin dhe bëjmë thirrje për lirimin e policëve. Serbia nuk është që po na befason, nuk ka ndryshuar nga apetitet e saj. Ajo që po na befason është toleranca dhe heshtja e ndërkombëtarëve ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht po kërkon destabilizim”, ka thënë Kurti në konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të enjten.
Për shkak të rastit të djeshëm, Kurti tha se institucionet e sigurisë “e kanë rritur nivelin e gatishmërisë”, ndërsa tregoi se janë shtuar kontrollet ndaj automjeteve me targa serbe, për shkak të sigurisë.
“Veprimet e radhës do të merren në bazë të rekomandimeve të institucioneve përkatëse”, tha ai dhe u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë “që ta dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë dhe të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”.