Rregullorja për sistematizimin e pozitave në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), tashmë e pezulluar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, duket se është miratuar pa një proces transparent dhe me një sërë dyshimesh procedurale e ligjore.
Demokracia.com ka biseduar me personelin shëndetësor brenda sistemit spitalor publik, të cilët kanë ngritur dyshime serioze për mënyrën sesi është duke u trajtuar kjo rregullore, e cila parashihte riorganizim të brendshëm dhe shtim të pozitave të reja.
Sipas informacioneve jozyrtare, rregullorja nuk është vënë në debat publik brenda ShSKUK-së, duke privuar punonjësit dhe zyrtarët e njësive përbërëse nga mundësia për të dhënë opinionet e tyre.
Po ashtu, nuk ka të dhëna që kjo rregullore është dërguar për konsultim në Departamentin për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (DMZP), një hap i domosdoshëm për dokumentet që prekin strukturën dhe pozitat në institucionet publike.
Një nga pikat më të ndjeshme është kostoja financiare që bart kjo rregullore. Meqë ajo parashihte shtimin e shumë pozitave të reja, Demokracia.com ka kërkuar konfirmim nëse është kërkuar pëlqimi i Ministrisë së Financave për këtë barrë shtesë në buxhet, por ShSKUK nuk ka kthyer përgjigje.
Paqartësi ka edhe mbi kompetencat e Bordit Drejtues të ShSKUK-së, i cili e ka miratuar këtë rregullore me propozim të një komisioni të udhëhequr nga drejtori i përgjithshëm, Elvir Azizi.
Kohëzgjatja dhe urgjenca me të cilën është shtyrë përpara kjo rregullore ngre dyshime të tjera. Kjo pasi Qeveria ndodhet në dorëheqje dhe është në proces të miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Shëndetësi, ligj ky që nuk parashikon pozitën e shumë funksioneve të reja të propozuara në rregullore.
Për këto çështje dhe më shumë, Demokracia.com ka kërkuar sqarime nga ShSKUK, por deri më sot nuk ka marrë përgjigje.
Rregullorja e miratuar nga Bordi Drejtues i ShSKUK-së më 8 prill 2024, për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në këtë institucion, ishte kundërshtuar nga punonjësit në rrugë ligjore. Gjykata Themelore në Prishtinë kishte pezulluar zbatimin e saj, duke u bazuar në padinë e një punonjësi që pretendon se ajo cenon të drejtat e të punësuarve me kontrata të përhershme dhe se nuk ofron garanci për vendet e tyre të punës.
Tjetër pretendim i palës paditëse ishte se Bordi i ShSKUK-së nuk është kompetent për miratimin e Rregullores, por është Ministria e Shëndetësisë.
Gjykata kishte miratuar kërkesën si të bazuar me arsyetimin se paditësit kanë ofruar argumente të besueshme, se është interes publik dhe se shtyrja nuk do t’i sillte dëm të madh palës kundërshtare.
“Kjo shmang pasojat e mundshme që do të shkaktoheshin në të ardhmen, nëse vendimi i kundërshtuar i të paditurës, në fund të procesit gjyqësor, rezulton se është marrë në kundërshtim me ligjin”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Avokati i paditësit, Ardian Bajraktari, kishte thënë se padisë i ishin bashkuar edhe 136 punonjës të tjerë.
Më pas edhe Gjykata e Apelit e kishte konfirmuar ligjshmërinë e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, duke e anuluar kështu Rregulloren Nr. 02/2024 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës. /Demokracia.com/
Lexo edhe:
SHSKUK-së i anulohet Rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës