Lajme
Rregullorja e re e Kuvendit mund t’i “disiplinojë” deputetët
Demokracia
17:24 | 27 Mars 2022

Share:

Pothuajse në çdo seancë të Kuvendit ka mungesë të deputetëve, dhe rrjedhimisht ka edhe mungesë kuorumi për të filluar seancën apo për të votuar projektligje të rëndësishme. Monitoruesit e punës së Kuvendit vlerësojnë se deputetët duhet të jenë më të përgjegjshëm.

Ata vlerësojnë se rregullorja e re, e cila shumë shpejt do të shkojë në kuvend për shqyrtim të dytë, mund t’i “disiplinojë” deputetët.

“Ata të papërgjegjshmit i pritëm mjaft, kështu që nuk ka më këso tolerance për ata që nuk e dinë për çka e kanë dhënë betimin. Të gjithë ata deputetë që janë me rrogë, i ftojmë të bëhen pjesë e seancës së Kuvendit. Siç po shihet pa e bërë me tri mungesa si në shkollë fillore, nuk funksionon ky kuvend”.

Këto janë vetëm disa nga thirrjet e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, drejtuar deputetëve të kuvendit që të bëhen pjesë e seancave, ani pse deputetët janë betuar që të jenë aty. Për monitoruesit e punës së Kuvendit, rregullorja e re e Kuvendit qe pritet të miratohet parasheh sanksionimin e deputetëve që pa arsye mungojnë në seanca dhe kjo pritet ta përmirësojë këtë gjendje në Kuvend.

Për Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, deputetët e Kuvendit do të duhet të kishin etiken e vet, e jo pjesëmarrja e tyre në Kuvend të varej nga një rregullore.

“Deputetët e Kuvendit do të duhej të kishin integritetin dhe etiken e lartë, dhe nuk do të duhej që pjesëmarrja e tyre në seanca të varej nga sanksionet që parashihen në rregullore. Por kur kjo nuk ndodh, sigurisht që edhe kjo masë është e mirëpritur, në mënyrë që deputetët të marrin detyrën dhe përgjegjësit e tyre që ia përcakton Kushtetuta dhe për të cilat betohen”, ka thënë Miftaraj për Radio Kosovën.

Agnesa Haxhiu, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se nëse deputetët do ta votojnë rregulloren e re, e cila shpejt pritet të shkojë në Kuvend, atëherë deputetët mund të disiplinohen, pasi nëse mungojnë më shumë se tri herë në seanca dhe nuk e njoftojnë kryetarin e Kuvendit, atëherë do t’u hiqen mëditjet.

“Drafti aktual i rregullores ka përcaktuar një mekanizëm ku thuhet se deputetët që nuk njoftojnë kryetarin e Kuvendit apo kryetarin e komisionit për mos pjesëmarrje dhe nuk japin arsyen, do të sanksionohet për mospjesëmarrje duke ua hequr shumën e të hollave që marrin për atë mbledhje nga paga bazë”, ka theksuar Haxhiu.

Rregullorja e re e Kuvendit është miratuar në lexim të parë në Kuvend, ndërkaq shumë shpejt do të shkojë në Kuvend për shqyrtim të dytë.

Të ngjashme