Lajme
Rregullat e reja të COVID-19 kufizojnë udhëtimet në Ballkan
Demokracia
20:48 | 19 Shtator 2021

Share:

Në 30 ditët e fundit masat për të hyrë në disa vende të Ballkanit janë shtrënguar.

Kjo pasi numri i rasteve të regjistruara me COVID-19 është rritur, duke i kthyer udhëtimet për në rajon në një çështje të komplikuar.

Për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, Shqipëria ka ndryshuar masat për personat që duan të vijnë aty.

Tani është e detyrueshme që të kënë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë, të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.

Gjithashtu duhet të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

Përndryshe, për 10 ditë pas mbërritjes, karantina është e detyrueshme.

Të njëjtat rregulla janë vendosur edhe në Republikën e Kosovës që me 30 gusht.

Rregullat e reja të Malit të Zi, të cilat kanë hyrë në fuqi këtë javë tregojnë se të gjithë të ardhurit e vaksinuar duhet të dëshmojnë se kanë kaluar të paktën 14 ditë nga vaksinimi.

Gjithashtu ata që nuk janë të vaksinuar duhet të paraqesin një PCR negativ brenda 72 orëve, një test pozitiv PCR ose një test të shpejtë antigen brenda 48 orëve.

Nga ana tjetër, udhëtarët që hyjnë në Maqedoninë e Veriut duhet të dorëzojnë konfirmimin e vaksinimit, ose një test negativ PCR, ose një certifikatë që tregon se ata e kanë kaluar COVID-19.

Të mërkurën e 15 shtatorit, Serbia iu bashkua listës “së kuqe” të Bullgarisë, ku Kosova dhe Mali i Zi kanë qenë tashmë që nga fundi i gushtit.

Hyrja nga vendet e zonës së kuqe lejohet vetëm për udhëtarët me certifikatë vaksinimi.

Kur bëhet fjalë për të udhëtuar nga zona e Ballkanit në Evropën Perëndimore, ndryshimet më domethënëse janë në Gjermani, Britani dhe Itali.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia janë në listën e “zonave me rrezik të lartë” të Gjermanisë.

Pasagjerët që vijnë nga ato vende duhet të regjistrohen online në faqet përkatëse, si dhe të paraqesin një rezultat testi ose certifikatë vaksinimi.

Karantina dhjetë ditore në shtëpi është gjithashtu e detyrueshme me mbërritjen, por mund të përfundojë herët nëse dëshmia e shërimit nga COVID paraqitet në internet.

Mbërritjet nga vendet “me rrezik të lartë” duhet të bëjnë një test pesë ditë pas hyrjes në Gjermani.

Britania e ka zhvendosur Malin e Zi në “listën e saj të kuqe”, kështu që udhëtarët që vijnë nga ky vend mund të hyjnë në MB vetëm nëse janë shtetas britanikë ose irlandezë.

Në këtë rast, edhe nëse janë plotësisht të vaksinuar, ata duhet të bëjnë testin tre ditë para se të udhëtojnë, të rezervojnë një “paketë hoteli karantine”, e cila zgjat 10 ditë, dhe paguhet nga vetë ata.

Italia i ka zhvendosur vendet e Ballkanit Perëndimor nga lista e saj “E” në “D”, që do të thotë se udhëtimi nga dhe për këtu lejohet, sipas kërkesave të rrepta. /Albanianpost.com

Të ngjashme